Drejtësia kosovare nuk i reziston mitës

  • 30 September 2016 - 07:48
Drejtësia kosovare nuk i reziston mitës

Dje, Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin e prokurores Vahide Badivuku.

Zvarritja, humbja, parashkrimi i lëndëve, pazaret me sekserët për ndarjen e drejtësisë, janë tregues se korrupsioni është prezent në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, por duhet shumë vigjilencë për t'i zënë të korruptuarit në vepër dhe të hetohet prejardhja e pasurisë së tyre,raporton Gazeta Kosova Sot

Vërtetimi i dënimit me burgim nga Gjykata e Apelit që e bëri dje ndaj prokurores tashmë të suspenduar Vahide Badivuku, duhet t'u shërbejë si shembull edhe të gjithë prokurorëve, por edhe gjyqtarëve të tjerë që janë aktualisht në detyrë që mos të lëshohen në ujërat e pista të marrjes së mitës dhe korrupsionit, sepse në të kundërtën do të përballen me organet e rendit dhe të drejtësisë dhe do ta pësojnë keq. Rasti i Badivukut, deri më tash ka qenë i vetmi që dihet publikisht në opinion, kur është në pyetja çështja e marrjes së mitës nga ana e zyrtarëve të drejtë- sisë e prokurorisë, ndonëse gjykime të tillë të kësaj natyre, e veçmas ndaj gjyqtarëve, por të cilat nuk kanë rezultuar me ndonjë dënim të shqiptuar konform ligjeve në fuqi. Edhe pse mbetet e mjegullt kjo çështje, analistët dhe njohësit e kësaj fushe nuk e përjashtojnë mundësinë se ka përplot korrupsion në mesin e personave të drejtësisë. Analisti Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se, duke u mbështetur në faktin se kemi të bëjmë me dy mekanizmat të cilët janë të domosdoshëm për funksionimin e shtetit ligjor të së drejtës, në këtë rast prokurorisë dhe gjykatës, dhe po ashtu, siç tha, duke u mbështetur në anën tjetër në atë se kemi të bëjmë me dy institucione të cilat kanë qenë të kontrolluara dhe janë nën kontrollin e politikës, atëherë, sipas tij, mund të thuhet se në prokurori dhe gjykata të të gjitha niveleve ka korrupsion dhe krim.

Zvarritja e lëndëve është veprim korruptiv Kelmendi mendon se korrupsioni dhe krimi janë të pranishëm në drejtësinë kosovare. " Këto të dyja kryhen mbi dy baza, ku e para është se kemi të bëjmë me prokurorë dhe gjyqtarë të cilët në një mënyrë apo tjetrën janë të vendosur nën kontrollin e politikës dhe që kryejnë veprime në kuadër të asaj se çka thotë politika, dhe në anën tjetër kemi të bëjmë me një sistem të zgjedhjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve ku nuk është marrë për bazë e kaluara e tyre as familjare, por as ajo personale dhe natyrisht nuk janë marrë për bazë as kualitetet e tyre moralo-politike, por edhe të tjerat të cilat duhet t'i kenë jo politike, por morale, dhe natyrisht të dijës shkencore në fushën e tillë", tha ai. "Mendoj se kemi gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, mirëpo askush nga analistët në kontekstin e tillë nuk është në gjendje të japë ndonjë përqindje se sa kemi të bëjmë me korrupsion dhe jo, por duke u nisur nga fakti se kemi lëndë të fushës penale që presin me vite të tëra, po ashtu lëndë të fushës së punës, zyrtare civile të cilat presin me vite të tëra, atëherë nuk mund të themi se nuk kemi korrupsion për shkakun se kemi lëndë të cilat nuk kryhen në kohë të caktuar dhe brenda afateve të caktuara ligjore, derisa kjo edhe lë të nënkuptojë se korrupsioni ka qenë kryesor, sidomos në fushën civile, duke bërë që lëndët të mos kryhen dhe konfliktet kontraktore ose pronë- sore juridike të mos përfundojnë në afatin e caktuar dhe të kemi situata të tilla të çrregullta", theksoi më tej Kelmendi

Rasti i Badivukut, ndër të paktët Avokati Tomë Gashi thotë se personi i vetëm dhe kompetent është Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ai i cili duhet pyetur për atë se a ka prokurorë të cilët eventualisht janë të korruptuar dhe mund të marrin mitë për të kryer shërbime të caktuara, për shkak, siç tha, se Lumezi, përveç punëve të tjera shtetërore që i ka si Kryeprokuror i Shtetit të Republikës së Kosovës, ai e ka edhe obligim që të përcjellë punën e vartësve të vet e që të gjithë janë prokurorë në Republikën e Kosovës. Sipas avokatit Gashi, kushdo tjetër që mund të japë informata, mund të flasë ndryshe, atëherë ai duhet ta dokumentojë se prokurori me emër dhe mbiemër ka qenë i involvuar në afera korruptive. " Por, sido që të jetë ne nuk mund t'i përfshijmë të gjithë prokurorët apo shumicën e tyre nëse eventualisht diku ka raste individuale, prandaj sidoqoftë kësaj pyetje duhet prapë po them t'i përgjigjet vetëm Kryeprokurori Aleksandër Lumëzi dhe askush tjetër, pasi është në specifikat e punës së prokurorisë, kështu që tjetërkush mundet të flasë vetëm me hamendje, derisa nëse dikush eventualisht ka prova për këtë dukuri kaq negative, atëherë duhet të njëjtat t'i raportojë në Prokurorinë e Shtetit".Tutje, Gashi duke e përmendur rastin e prokurores të suspenduar dhe tashmë edhe të dënuar Badivuku, për të cilën, siç tha, është i vetmi rast që është publik dhe para këtij rasti, sipas tij, ne nuk kemi pasur raste të hapura penale kundër prokurorëve, por Gashi mendon se një rast nuk do të thotë se edhe prokurorët e tjerë janë të involvuar në afera korruptive. " Por, në këtë drejtim më tepër mendoj se një pjesë e prokurorëve kanë mungesë të njohurive profesionale sesa që ata janë të involvuar në afera korruptive. Ndërkaq, kësaj dukurie të mitëmarrjes nuk mundet t'i shpëtojë askush në këto faza, pasi besoj se shtetet që dalin prej një sistemi krejtësisht tjetër dhe kalojmë në sistem demokratik, ngase ne më herët kemi qenë shtet socialist derisa kemi qenë pjesë e ish- Jugosllavisë dhe Serbisë, ndërsa që nga 12 qershori i vitit 1999 ne jemi pjesë e shteteve kapitaliste", tha ai. 

Mungesa e efikasitetit lë hapësirë për dyshime Profesori i së Drejtës, Riza Smaka ka nënvizuar se është vështirë të flitet për mitëmarrje, pasi, siç tha, ajo është vetëm një nga shumë format e korrupsionit, ngase ai ka njëmijë forma, por, sipas tij, nisur nga faktet se gjyqësori nuk është efikas dhe efiçient as për së afërmi dhe shumë nën nivelin e mesatares sa i përket numrit të madh të rasteve prokuroriale e gjyqësore të p trajtuara fare, ndërsa shumë të tjerave të zvarritura panevojshëm jashtë gjitha afateve, dhe po ashtu numri i madh i lëndëve të parashkruara dhe i atyre të zhdukura fizikisht, tregojnë se diçka nuk është në rregull. "Këto të gjitha flasin se ka forma më se të ndryshme të korrupsionit në funksionimin e sistemit të gjyqësorit, ku një ndër to është edhe mitëmarrja, apo ryshfeti. Dyshimet janë të bazuara se ka jo pak të formave të korrupsionit në funksionimin e sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor", ka theksuar profesori i së Drejtës Riza Smaka, për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)