Ekspertët falsifikatorë meritojnë ndëshkim

  • 01 October 2016 - 07:32
Ekspertët falsifikatorë meritojnë ndëshkim

TRAFIKIMI I DREJTËSISË NË KOSOVË

Avokati Tomë Gashi ka thënë se në parim çfarëdolloj ekspertize jo vetëm e natyrës penale, por edhe e asaj civile, kërkon që ekspertët e lëmit përkatës të jenë të kyçur dhe nëse, sipas tij, ata me vetëdije japin shënime të gabueshme, të rrejshme apo edhe të falsifikuara, kjo është vepër jashtëzakonisht e rëndë penale, ngase, përveç dënimeve që janë të parapara me burg, gjithashtu rastet e tilla e dëmtojnë shumë rëndë edhe kredibilitetin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi

Ekspertizat në gjykata dhe në prokurori nuk mbikëqyren

Vetë fakti se thuajse asnjëherë deri më tani nuk ka pasur ndonjë kontroll apo mbikëqyrje të detajuar mbi ekspertizat ligjore të cilat përdoren nga ekspertët e lëmenjve përkatës në rastin e caktuar në gjykatë dhe prokuroi, doemos lind dyshimin për objektivitetin dhe besueshmërinë e tyre. Këto dyshime kohë pas kohe janë ngritur edhe në opinion nga njohësit dhe analistët e fushës së drejtësisë, të cilët kanë shprehur edhe shqetësimin se në të shumtën e rasteve ekspertizat në fjalë janë të rrejshme dhe që nuk përkojnë me realitetin, shkruan gazeta Kosova Sot.

Ndaj, është shtuar edhe dilema se sa janë objektive ekspertizat në gjykata e në prokurori, derisa është ngritur edhe pyetja se a është e vërtetë se shumë nga to janë të paragjykuara, të montuara e të fabrikuara, por edhe të rrejshme, përmes të cilave zakonisht trafikohet apo shitet e blihet drejtësia në gjykatat e Kosovës nga gjyqtarët trafikantë e të inkriminuar? Analisti politik Nexhmedin Spahiu, i cili edhe më herët e kishte ngritur shqetësimin e tij për këtë çështje, siç thotë, shumë serioze, dhe se si e tillë, sipas tij, duhet ta ketë vëmendjen e të gjitha institucioneve të drejtësisë që ballafaqohen me ekspertizat në fjalë, e veçmas, siç tha, duhet ta vërë në lëvizje edhe Prokurorinë e Shtetit në mënyrë për të vërtetuar besueshmërinë e tyre. Kjo, ngase Spahiu pretendon se që nga paslufta, ekspertizat në përgjithësi në shumicën absolute të rasteve janë mbuluar me "ekspertiza" të pavërteta apo edhe të tilla që janë misterioze. 

Manipulimi i rasteve

Spahiu thotë se dallaveret janë bërë në fusha të ndryshme, duke filluar, siç tha, nga ekspertët që janë të thirrur të caktojnë përmbushjen e kritereve të një tenderi, ku, sipas tij, ata kanë konstatuar se, për shembull, asfalti i kërkuar me kushte të tenderit është 10 cm dhe është plotësuar, ndërkohë asfalti, de fakto, është bërë 2 cm. Por, raste të tilla ai thotë se ka edhe tek ekspertët ligjorë, të cilët në gjykatë japin ekspertiza të rreme, derisa ato në rastet civile Spahiu thotë se aty nuk ka nevojë fare që ta korruptosh gjykatësin, ngase këtë e bën duke e korruptuar thjesht ekspertin ligjor, ku më pastaj, sipas tij, në bazë të asaj ekspertize edhe e fiton rastin. " Andaj, dyshimet për këtë lloj krimi, që është bërë që nga paslufta në Kosovë, në emër të ekspertizave të caktuara, deri më tash asnjë 'ekspert' nuk është hetuar apo arrestuar për këtë, por këtu mendoj se ka një lidhshmëri në mes të ekspertëve, avokatëve e gjykatësve, por edhe të palëve", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" analisti Nexhmedin Spahiu.

Anë e errët e drejtësisë

Analisti tjetër, Naim Kelmendi mendon se kjo mund të jetë një anë e errët e korrupsionit dhe abuzimeve me drejtësinë edhe në këtë segment të saj, përmes të inkriminuarve në gjykata e prokuroritë e Kosovës, sigurisht, siç tha, nga gjyqtarë të pandërgjegjshëm e të inkriminuar edhe në dyshimet në raste të tilla të abuzimit me ndarjen e drejtësisë e në bashkëpunim me ekspertët ligjorë, që paskëtaj sigurisht se janë profiterë në këto raste. "Mbase kjo çështje është përfolur jo rrallëherë në opinion se ekspertizat e caktuara nga ekspertët ligjorë, që bëhen në fusha të ndryshme, ato nuk tregojnë gjithmonë anën e tyre të vërtetësisë dhe saktësisë, duke qenë të paragjykuara paraprakisht, por mbase edhe të fabrikuara, ngase sikur edhe ka dyshime se ato edhe fabrikohen si të rrejshme, duke ia shtrembëruar kësisoj kahen procesit dhe të vërtetës së ekspertizës së bërë, për të marrë më vonë drejtësia po ashtu kahen e dëshiruar në kundërshtim me të vërtetën. Andaj, kjo anë e errët e lëndon dhe atakon drejtpërdrejt vetë etikën e institucioneve të drejtësisë dhe gjyqë- sisë!?", ka vijuar më tej ai, duke shtuar se kështu dyshohet se përfundojnë disa nga vendimet e pastajme të gjykatave, duke e shtrembëruar qëllimisht të vërtetën mbi procesin e këtyre ekspertizave. " Pra, kjo vërtet ngrit me të drejtë shqetësimin për të mbikëqyrur dhe për të vërtetuar gjendjen e këtyre ekspertizave të ekspertëve ligjorë, por që do të duhej ngritur hetimet për të zbardhur të vërtetën, ngase derisa kështu bëhet trafikim dhe shitblerje me ekspertizat ligjore nga trafikantë eksperto-ligjorë dhe të inkriminuarit, atëherë vërtet gjendja e vendimeve të drejta në lëndët dhe rastet e gjyqësisë lë shumë për të dëshiruar!", theksoi Kelmendi.

Raportet e rrejshme, vepër e rëndë penale

Avokati Tomë Gashi thotë se nëse pretendohet se ka ekspertiza të tilla, atëherë kjo çështje do të duhej të hetohej, por edhe të merren masa të menjëhershme, ngase, sipas tij, dorëzimi i rrejshëm i tyre në gjykatë apo në prokurori, pavarësisht se nga kush ndodh, është vepër e rëndë penale, pasi bëhet fjalë për dorëzim të dokumenteve të falsifikuara me të cilat dikush mund të dënohet, të lirohet apo ta gëzojë ose ta humbë një të drejtë që i takon.. Më tej, Gashi ka spikatur se gjithmonë duhet të kontrollohen edhe ekspertët, por veç kësaj ata duhet kontrolluar edhe për atë se në çfarë gjendje janë dhe sa kanë njohuri për të kryer ekspertiza të tilla dhe a i bëjnë ato sipas porosisë apo në bazë të pagesave që mund t'u bëhen. " Ata duhet të kontrollohen nga organet të cilave u dërgohen ato ekspertiza. P.sh., ai i cili e porosit ekspertizën edhe duhet ta kontrollojë, por deri më tani nuk kam asnjë njohuri se është kontrolluar ndonjë ekspertizë në sistemin juridik të Kosovës, përveç nëse kanë qenë ekspertiza të tilla për të cilat është kërkuar super ekspertizë, por që janë të rrejshme deri më tash nuk kam pasur ndonjë rast të tillë", është shprehur ai. Gashi ka shtuar se në parim çfarëdolloj ekspertize jo vetëm e natyrës penale, por edhe asaj civile kërkon që ekspertët e lëmit përkatës të jenë të kyçur dhe nëse, sipas tij, ata me vetëdije japin shënime të gabueshme, të rrejshme apo edhe të falsifikuara, kjo, siç tha, është vepër jashtëzakonisht e rëndë penale, ngase, përveç dënimeve që janë të parapara me burg, gjithashtu rastet e tilla e dëmtojnë shumë rëndë edhe kredibilitetin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi.  
 

(Kosova Sot)