Tentuan t’i dërgonin ilegalisht 15 persona në Kosovë

  • 01 October 2016 - 11:16
Tentuan t’i dërgonin ilegalisht 15 persona në Kosovë

Goditet një tjetër rast i trafikimit të personave që vijnë nga vendet e treta, të cilët hyjnë ilegalisht nga Greqia në Shqipëri, duke i trafikuar në drejtim të Kosovës nëpërmjet kufirit të gjelbër.

Sipas policisë, finalizohet me sukses operacioni antitrafik i koduar “Kaskada”, ku u arrestuan në flagrancë 4 shtetas për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, në bashkëpunim”.

Të arrestuarit janë Gjerard Markaj, 35 vjeç, banues në Tiranë, Riza Hasani, 54 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, Shefqet Velaj, 34 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë dhe Zeqir Bajrami, 27 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tyre u bë pasi në datën 30.09.2016, në rrugën e Kombit, në vendin e quajtur “Fushë-Dugagjin”, me drejtim lëvizje Tiranë-Kukës, u kapën në flagrancë, duke transportuar 15 shtetas të huaj, siranë, me automjetet e tyre, tip “Volzëagen” me targa AA 517 KS, automjetin tip “Benz”, me targa AA 973 GF dhe automjetin tip “Golf”, me targa AA 013 AF, cilët nëpërmjet kufirit të gjelbër do t’i kalonin për në Kosovë, kundrejt fitimit.

Materialet do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë për veprën penale” Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 298/2 e 25 të K.Penal.

(Kosova Sot)