Kështu i drejtohet nga Gjermania Nënës Ajshe në Dubovik, Jusuf Gërvalla në shtator 1980!

  • 01 October 2016 - 12:08
Kështu i drejtohet nga Gjermania Nënës Ajshe në Dubovik, Jusuf Gërvalla në shtator 1980!

E bija e Jusuf Gërvallës, Donika ka publikuar letrën që babi i saj, Jusufi ia kishte dërguar nënës së tij, Ajshes në shtator të vitit 1980.

Jusufi ndër të tjera në këtë letër, ia kujton nënës edukatën që ua kishte dhënë se vetëm ndershëm mund të ecët përara.

Lexojeni të plotë letrën:

Kështu i drejtohet nga Gjermania Nënës Ajshe në Dubovik Jusuf Gërvalla në shtator 1980!
—–
Nanë e dashtun!
Rruga e jetës na pruni deri këtu. Zor sa të duesh. Po kollaj, s’ka qysh bahet ma kollaj. Ti vetë sa e sa herë, në prag të gjumit, kur ishim fëmijë e kur kishim dalë prej lojnave të fëminisë, na ke kallxue përralla që kanë të njëjtin përfundim: rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njerin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!

Sot, në vjeshtën e kësaj rruge, kur s’po kemi qysh me i dhanë gjevap bereqetit kaq të pasun, farën e të cilit e kemi mbjellë vetë, kush lodhet i pari mundet me thonë: a vyen me luftue për nder, tuj i ngarkue vetit kaq të liga në shpindë?!

Unë, besoj, nanë, se ti nuk je ajo që thotë kështu. Ti gjithmonë u ke përballue burrnisht rrebesheve të mëdha. Unë besoj se ti nuk je lodhë. Rruga jonë, mendja e shpirti ynë kanë pasur strofull fjalën tande, dashuninë e kujdesin tand të pashoq. Kur i kujtoj këto, më del se ti, në vend se të mërzitesh, duhet të gëzohesh e të përtërihesh. Ma në fund, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue kur kanë kukatë qyqet.

Jam shumë i lumtun që për këtë pikë, pra, për mërzinë tande, shpirtin e kam të fjetun. Ti je nji lis, që nuk don me ditë për fërfllazat e forta. Bile, nji lis, madhështia e të cilit del në pah bash kur merr mot me fërfllazë. As bora as ngricat e mëdha nuk të kanë ba kurrë shejë.

Pse, pra, dridhesh aq fort prej lagshte e prej bryme?

Në përfytyrimet e mia të gjalla, këtu në tretdhé, të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg, e rrugës të bjen me u shpërndrrue me anmiq të mëdhenj e të vegjël të pjellës sate. Le të pëlcasë anmiku, gjithë ai që e ka ba synin qorr e veshin shurdh kur e do puna me lufte për nderën, për ato që ti jau ke kushtue jetën e shëndetën. Dhe dije se krejnia jote përballë fërfllazës së sotme, asht helmi ma i fortë për anmikun.

. . .

Të përqafojmë me mall prej së largu, djemtë, rejat e nipat.
Djali yt – Isufi

14563377_10207223849811510_2665820834196509607_n

(Kosova Sot)