Zhvatja dhe keqqeverisja e çojnë Kosovën buzë falimentimit

  • 01 October 2016 - 07:38
Zhvatja dhe keqqeverisja e çojnë Kosovën buzë falimentimit

Përfitimet e paligjshme shkatërrojnë shtetin

Bazuar në vlerësimet e përfaqë- suesve të opozitës dhe ekspertëve e specialistëve të ekonomisë, Kosova është duke u shndërruar në një shtet të falimentuar ekonomikisht, ndërkaq e tëra kjo situatë e brishtë e vendit po vjen në saje të politikave plaçkitëse dhe zhvatjes së pushtetarëve tanë që po i bëjnë ndaj pasurisë së Kosovës. Sipas opozitës dhe analistëve, synim i vetëm i pushtetarëve tanë ka qenë për të privatizuar sa më shumë prona publike që deri dje ishin në pronësi të shtetit. Ata vlerësojnë se futja nën kontrollin e tyre të sektorit të ekonomisë ka qenë ndër synimet kryesore, duke i arritur këto qëllime përmes krijimit të kompanive fantome që dyshohet se janë të regjistruara në emra të të afërmve të pushtetarëve, si edhe zhvatja e buxhetit të shtetit përmes tenderomanisë. Sipas tyre, sundimi 17-vjeçar i këtyre politikanëve e ka kthyer Kosovën në një vend importues të çdo gjëje dhe krejt çka eksportojmë janë disa profesionistë që na i merr Perëndimi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Mungon perspektiva zhvillimore

Deputeti i opozitës, Pal Lekaj (AAK), tha se synimi i vetëm i sundimtarëve aktualë është futja nën kontrollin e tyre të ekonomisë kryesore përmes kompanive fantome e tenderomanisë, duke e kthyer vendin në një shtet importues të çdo gjëje dhe krejt çka eksportojmë janë disa profesionistë që na i merr Perëndimi. Eksperti i ekonomisë dhe ish-kryetari i OEK-ut, Nazmi Mustafa, tha se duhet që të analizohen shumë gjëra dhe të gjenden korrektorët e këtyre të metave dhe sëmundjeve në Kosovë, në mënyrë që të hapen rrugë të reja për vendin e qytetarët tanë. Sipas Mustafës,17 vjet pas lufte nuk janë pak, por nuk duhet shikuar gjërat me pesimizëm, pasi një thënie në botën Perëndimore sugjeron: "nëse shikon mbrapa nuk mund të fitosh para dhe nuk mund të zhvillohesh". "Jemi ku jemi dhe duhet që çdo gjë të fokusohemi se çfarë duhet bërë tash e çfarë nesër, sepse kjo mënyrë e të shtruarit të problemeve është zgjidhja e vetme dhe funksionale e Kosovës dhe qasje tjetër ndaj kësaj situate nuk ka", ka potencuar ai."Edhe në aspektin zhvillimor duhet që të hapen perspektiva të reja zhvillimore", u shpreh ai.

Zhvatja e resurseve

Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi i disa kolegjeve për fushën e ekonomisë, Nehat Maxhuni, tha për "Kosova Sot" se Kosova ende nuk është vend i falimentuar ekonomikisht, sepse ende ka edhe pak kohë dhe pak resurse që kanë mbetur pa u zhvatur nga sundimtarët tanë. "Privatizimi i 'Feronikelit' dhe gjendja e tanishme, ku 1200 punëtorë kanë mbetur ose edhe do të mbesin pa punë, privatizimi i Fabrikës së Llamarinës në Vushtrri dhe po thuajse privatizimi i çdo ndërmarrje shoqërore, janë bërë shkel e shko", ka thënë ai. Ndaj Maxhuni thotë se kjo situatë ku jemi të jep një pasqyrë të qartë të ekonomisë së brishtë të Kosovës, ku gjithçka importohet dhe shumë pak eksportohet. "Ky buxhet prej 1.5 miliard eurove po qe se nuk ka infuzione nga burime të tjera, qoftë edhe ato prej kredive të marra vështirë se do t'i përballojë shpenzimet e krijuara dhe të rritura nga ana e Qeverisë së Kosovës". Ai thotë se edhe rasti i numrit enorm të veteranëve të luftës, rasti i padisë së "AXOS-it" ndaj PTK-së, rasti i pasaportave dhe padia e kompanisë "Z. Mobile" ndaj PTK-së janë ato raste të cilat pothuajse vendin tonë e fundosin dhe e falimentojnë ekonomikisht .

Qytetarët e pësojnë

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori'), tha për "Kosova Sot", se nëpër gjykatat tona janë bërë "pothuajse turshi" rreth 500.000 lëndë. "Kjo na ndodh nëse qytetari konsumator e taksapagues ka shumë për të thënë e nuk dëgjohet kur ai merr rolin e tij, për t'i përmbushur nevojat themelore e kërkesat, si blerës ushqimi, nxënës e studentë, pacientë, turistë e udhëtarë, palë - klient i Administratës Publike, niveli qendror e lokal, si konsumator i shërbimeve publike, rrymë, ujë, ngrohje qendrore", tha ai. Sipas Kaçanikut, kjo situatë ndodh nëse politikat nuk bëhen për standardin, as për shijen e qytetarit konsumator e taksapagues, nëse ai nuk pyetet, nuk konsultohet, nuk i raportohet, sepse mungon transparenca. Kaçaniku tha se kjo po ndodh ngase asgjë nuk është siç na është premtuar. "Nëse eksodi vazhdon e Kosova zbrazet, atëherë e gjitha flet mjaft. Realiteti flet se kjo klasë politike, e cila nuk di për vetëkritikë personale as brendapartiake, institucionale e zyrtare, profesionale e etike dhe akoma na mashtron duke na ambalazhuar "perspektivën e varfërisë" me ëndrrat që premtojnë vetëm përsëritje, riciklim e vetëmashtrim", potencoi ai.

(Kosova Sot)