Personat me nevoja të veçanta duan një strehë të veten

  • 01 October 2016 - 20:58
Personat me nevoja të veçanta duan një strehë të veten

“Është e kuptueshme që i jemi gëzuar këtij lajmi. Vërtet kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi shumë nevojë për një objekt të këtij lloji, prandaj shpresoj që të bëhet realitet”, është shprehur Brilanta Ballata,shkruan gazeta Kosova Sot.

Niveli i humanitetit të një shoqërie, pos tjerash, vlerësohet edhe sipas asaj se sa kujdes i kushtohet zhvillimit, shkollimit, aftësimit shtesë dhe krijimit të kushteve për veprimtari të personave me aftësi të kufizuara. Në shoqëri të varfra, çfarë definitivisht është edhe Kosova, shpesh kemi pasur rast të dëgjojmë konstatimin se “kemi punë më të rëndësishme”, që është shumë i gabuar, sepse në asnjë moment nuk duhet harruar se personat me aftësi të kufizuara janë pjesë e kësaj shoqërie dhe si të atillë edhe duhet të trajtohen. Mirëpo, në mungesë të fondeve të nevojshme, problem ky prezent thuajse në të gjitha mjediset kosovare, duket se pushtetarët tanë më së lehti vendosin që t’ua “kthejnë shpinën” personave me aftësi të kufizuara!

Objekti i specializuar nevojë e jo luks

Kështu, tash e 17 vjet ka qenë edhe në komunën e Gjakovës. Që nga përfundimi i luftës vazhdimisht është premtuar se do të ngrihet një objekt që do t’u dedikohet këtyre personave e në radhë të parë organizatës “Handikos”, e cila në fakt merret me rehabilitimin dhe krijimin e mundësive të barabarta për përfshirje sociale të fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara. Por, edhe sot e kësaj dite, edhe pse kanë kaluar më shumë se 17 vjet nga përfundimi i luftës, një gjë e tillë nuk është bërë ende! Siç ka pohuar shumë herë edhe Brilanta Ballata, menaxhere e “Handikosit” në Gjakovë, kësaj organizate i nevojitet shumë një objekt adekuat pasi  rehabilitimi i personave me aftësi të kufizuar zhvillohet përmes përpjekjeve të kombinuara të vetë personave që kanë aftësi të kufizuar, familjeve të tyre, bashkësive dhe shërbimeve përkatëse të shëndetësisë, arsimit, shërbimeve profesionale dhe sociale. “Mu duke e pasur parasysh se ky është një proces mjaft i ndërlikuar dhe se në te janë të inkuadruar një numër mjaft i madh i vetave, një objekt i specializuar për këtë na është më se i domosdoshëm”, ka thënë Ballata, e cila kohë më parë, thuajse ishte dorëzuar, duke mos shpresuar shumë se kjo çështje edhe mund të zgjidhet.

 Objekti i ri, fryt i Konferencës së Donatorëve

Si duket, dëshira e menaxheres së “Handikosit” në Gjakovë për edhe e personave me aftësi të kufizuara në këtë komunë, ka gjasa që të plotësohet. Në fakt, siç bëjnë të ditur zyrtarët e Drejtorisë komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, shumë shpejt pritet të fillojë ndërtimi i një objekti të tillë. “Komuna e Gjakovës, në bashkëpunim me organizatën “Save the Children”, shumë shpejt, sipas të gjitha gjasave gjatë muajit tetor, do të fillojnë së ndërtuari të një objekti, i cili në fazën e parë do t’i dedikohet ekskluzivisht “Handikosit”. Më vonë, në fazat e tjera, ky objekt do t’i përmbushë edhe kërkesat e grupeve të tjera të personave me aftësi të kufizuara, siç janë të verbrit, shurdhmemecët dhe personat me sindromë daun”, ka bërë të ditur drejtori Basri Komoni. Ideja dhe projekti për ndërtimin e një objekti të tillë kanë qenë të prezantuara para donatorëve në Konferencën e Donatorëve që në komunën e Gjakovës është mbajtur para rreth dy vjet e gjysmë. “Tashmë Komuna e ka caktuar lokacionin, hapësirë në pronë publike, ku do të ndërtohet ky objekt. Fjala është për hapësirën në afërsi të çerdhes së fëmijëve tek garazhet e autobusëve të ”Kosovatransit”, një lokacion me pozitë shumë të përshtatshme, pasi është një hapësirë që ka qasje në rrugën kryesore dhe është në brendi të qytetit, që do të jetë një lehtësi e konsiderueshme për ata që do ta frekuentojnë këtë objekt”, ka thënë Komoni. Komuna e Gjakovës e ka përgatitur projektin për këtë objekt, dhe, sipas Komonit, tash janë duke u zhvilluar bisedimet përfundimtare me donatorin për rrumbullakimin e marrëveshjes në mënyrë që punimet të fillojnë sa më parë. Lajmi se shumë shpejt do të fillojë së ndërtuari ky objekt, kuptohet, i ka gëzuar zyrtarët e “Handikosit”. “Është e kuptueshme që i jemi gëzuar këtij lajmi. Vërtet kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi shumë nevojë për një objekt të këtij lloji, prandaj shpresoj që të bëhet realitet”, është shprehur Brilanta Ballata.

(Kosova Sot)