Ajeti: Thaçi, shkatërrimtari i Kosovës

  • 19 October 2016 - 07:35
Ajeti: Thaçi, shkatërrimtari i Kosovës

INTERVISTË ME AVNI AJETIN, BASHKËPUNËTOR DHE BASHKËLUFTËTAR I AFËRT I HEROIT TË KOMBIT ZAHIR PAJAZITI

"Për vrasjen e Zahirit duhet të deklarohen Ismet Abdullahu, Xhavit Haliti, Nait Hasani, Ali Ahmeti edhe disa të tjerë, që sot janë futur në biznese të thella dhe nuk i takojnë skenës politike", deklaron Avni Ajeti

"Hashim Thaçi si kryeministër nuk i është dashur as luftës, as paqes, sikurse nuk i duhet as Gjykatës Speciale. Ai ka mundur që në Kuvendin e Kosovës ta themelojë një Gjykatë, ku për çdo aktakuzë eventuale, ata të dyshuar do të gjykoheshin këtu, në Kosovë. Shiheni pozitën individuale të tij dhe krahasojeni me Kosovën. Ky njeri ka shkatërruar çdo gjë në Kosovë. Ka zhvatur çdo gjë dhe ka neglizhuar çdo proces përparues për vendin. I tilli ka demoluar çdo gjë që është ndërtuar nga qytetari, nga djersa e tyre. Ky person u pasurua në kurriz të qytetarëve dhe punës se tyre. Ky është kanceri i shtetit që efektet e tij do t'i shohim pas disa vjetëve", ka thënë Avni Ajeti, bashkëpunëtor dhe bashkëluftëtar i afërt i heroit të kombit Zahir Pajaziti

"Kosova Sot": Z. Ajeti, ju keni qenë bashkëluftëtar i të madhit Zahir Pajaziti, që ra për lirinë e Kosovës. Keni deklaruar se "Naiti (Hasani), nëse e di se si ka rënë në burg ai, duhet të tregojë edhe se si kanë rrjedhur ngjarjet. Edhe pse unë mendoj se Nait Hasani e di ku ka gabuar". Çka specifikisht keni pasur në mendje kur flisni për këtë rast?

Avni Ajeti: Unë kam respekt të madh për Nait Hasanin. Mirëpo, çuditërisht, këtij respekti ia mveshi edhe disa dyshime të mia në lidhje me arrestimin dhe burgosjen e tij. Tani është koha që Nait Hasani të hedhë dritë mbi ato ngjarje të kohëve të errëta.

"Kosova Sot": Po ashtu, e keni pyetur Nait Hasanin se "a ka mundësi që ke blerë makinë nga një shqiptar në Mitrovicë, i cili ka jetuar në Perëndim dhe ajo është përdorur në një atentat në Prishtinë si makinë bombë. Dhe, a ka të bëjë kjo edhe me arrestimin tuaj". Çka saktësisht keni pasur në mendje dhe me çka e lidhni veturën e Nait Hasanit?

Avni Ajeti: Unë kërkoj nga ai që në mënyrë të vazhdueshme të zbulojë të vërtetën mbi ngjarje të tilla që janë pluhurosur në harresë. Ai duhet ta bëjë këtë për hir të bashkëluftëtarëve, për hir të luftës çlirimtare dhe për hir të opinionit publik. Ai duhet të flasë, ai nuk duhet t'i shërbejë politikës në këtë rast, ai duhet ta thotë të vërtetën. Disa gjëra nuk thuhen kurrë dhe vdesin me njerëzit. Naiti ia ka borxh vendit një shpjegim të tillë. Mendoj se këto gjëra duhet t'i shpjegojë vetë Naiti. Në lidhje me këtë veturë, ne vetëm mundemi të mendojmë variante dhe mënyra rreth zbulimit të tij. Andaj, kërkoj edhe njëherë që Naiti të shpjegohet rreth kësaj.
Të zbardhen vrasjet e ushtarëve të UÇK-së në Shqipëri 

"Kosova Sot": Keni kërkuar po ashtu në cilësinë e bashkëluftëtarit nga ambasadori Ramiz Lladrovci që t'u bëjë shkresë organeve të drejtësisë së Shqipërisë dhe të kërkojë zbardhjen e vrasjeve të ushtarëve të UÇKsë që kanë ndodhur para dhe gjatë luftës në Shqipëri. Cilat janë dyshimet tuaja për këto vrasje para dhe gjatë luftës në Shqipëri?

Avni Ajeti: Ambasadori Ramiz Lladrovci, përveç përgjegjësisë institucionale dhe morale, si luftëtar i lirisë, duhet të kërkojë nga organet e drejtë- sisë së Shqipërisë zbardhjen e vrasjeve të ushtarëve të lirisë në Shqipëri, para dhe gjatë luftës. Në specifikacion, vrasjen e Ilir Konushevcit dhe Ahmet Krasniqit. Ne Shqipërinë e konsiderojmë shtet amë. Si ka mundësi që njerëzit tanë të vriten atje, madje edhe në sheshe?

"Kosova Sot": Keni deklaruar se Xhavit Haliti ju ka akuzuar se ju keni porositur ta vrisnin atë. Pse mendoni se ai ju akuzon për diçka të tillë, edhe pse ai ka përmendur vetëm iniciale?

Avni Ajeti: Ilir Konushevci në ZOLL ka pasur vetëm një bashkëluftëtar me iniciale A.A., dhe ai jam unë, Avni Ajeti. Nëse Xhavit Haliti ka pretendime dhe mendime të tilla, ai si një njeri i fortë i shtetit, i cili është gojë-plot për një shtet ligjor dhe demokratik, nuk duhet të fshihet pas inicialeve, por duhet që këtë çështje ta dërgojë në organe të drejtësisë dhe jo ta shfrytëzojë për konsum mediatik.

"Kosova Sot": Në çka e bazoni deklarimin tuaj se Xhavit Haliti është një mashtrues ordiner që nuk ka marrë pjesë në luftën e UÇK-së, por e ka penguar atë? Si e ka penguar Haliti luftën?

Avni Ajeti: Xhavit Haliti është shok i Hashim e Azem Sylës dhe Kadri Veselit, ku të tillët deklarohen se kurrë nuk kanë qenë pjesë e vijave të frontit. Të tillët e kanë penguar luftën. Nëse armatimi i nisur nga Shqipëria nuk ka kaluar nga kanalet dhe njerëzit e tyre, ai armatim është bllokuar nga SHISH-i.

"Kosova Sot": Po ashtu, keni deklaruar se Xhavit Haliti ka një biografi aq të errët, saqë ka tregtuar edhe me prostitucion. Keni ndonjë fakt se ku dhe kur është marrë Haliti me prostitucion?

Avni Ajeti: Nëse Xhavit Haliti gjatë viteve '90 - 93 është orvatur rreth gropave të Hajdin Sejdiut, atëherë gjithçka e pamoralshme është e pritshme.

"Kosova Sot": Kë specifikisht keni në mendje se kush janë personat që kanë lidhje me vrasjen e Zahir Pajazitit, Ilir Konushevcit, dhe shumë figurave të ndriçuara të luftës çlirimtare?

Avni Ajeti: Njerëzve që u ka penguar lufta çlirimtare kundrejt armikut serb, kanë gisht në këto vrasje, të paktën dinë rreth vrasjes së Zahirit dhe Ilirit.

"Kosova Sot": Kush janë personat që kanë vepruar nën pseudonimin "BAZA", të cilët dinë shumëçka për vrasjen e Ilir Konushevcit? 

Avni Ajeti: Këta persona që kanë vepruar me pseudonimin "BAZA" janë: Kadri Veseli, Azem Syla, Xhavit Haliti, Hashim Thaçi , etj etj... Këta duhet të deklarohen rreth vrasjes së Ilirit.

"Komandantët" që nuk e shkrepën një plumb

"Kosova Sot": Pas luftës ju e dini se dolën shumë komandantë që kurrë armën me dorë nuk e prekën. Cilët ishin në fakt komandantët e vërtetë dhe luftëtarët që sakrifikuan për Kosovën?

Avni Ajeti: Komandantët e vërtetë të UÇK-së janë: Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Mujë Krasniqi e shumë të tjerë që sakrifikuan dhe ranë për liri. Ne kemi edhe djem që s'kanë komanduar, por kanë dhënë mish, shpirt e frymë për këtë vend, gjersa disa 'komandantë' operonin me radiolidhje dhe e shikonin luftën nëpër televizor, sikur ajo të ishte një ndeshje futbolli.

"Kosova Sot": Kush janë "profiterët" e luftës, të cilët para lufte ishin "kumbarë" të serbëve e pas luftës po thirren si "komandantë" të UÇK-së?

Avni Ajeti: Gjatë luftës këta njerëz u infiltruan në UÇK, si ushtarë lirie, e në fakt nuk kishin qëllim luftën, por përfitimet e tyre materiale. Ata nuk harruan kumbarinë me serbët. Sot tregu ynë është i vërshuar dhe i bombarduar nga prodhimet serbe, sikurse dikur verdhoheshim e bombardoheshim nga raketat e bombat e tyre. Këta njerëz u kapluan nga interesi personal dhe ky interes personal i kushtojë UÇK-së me avari operative dhe ushtarake. Shumica e eprorëve politikë në Kosovë, që thirren në vlera të luftës, janë profiterët më të mëdhenj. Këta i njeh fare mirë populli.

"Kosova Sot": Figura të UÇK-së morën pushtet të madh pas luftës dhe u pasuruan duket shumë, por nuk po ngopen ende me pushtet dhe para. Sa e dëmtoi kjo imazhin e luftës së pastër të UÇK-së?

Avni Ajeti: Nëse shihni me kujdes se ku dhe si është gjendja e Kosovës, mund ta keni parasysh edhe imazhin e UÇK-së. Këta njerëz shkatërruan çdo gjë që i takoi luftës. Tani, po shkatërrojnë gjithçka që i përket paqes. Nëse shihni me kujdes se ku dhe si është gjendja e Kosovës, mund ta keni parasysh edhe imazhin e UÇK-së. Këta njerëz shkatërruan çdo gjë që i takoi luftës.

UÇK-ja bëri luftë të drejtë, vrasjet politike të zbardhen

"Kosova Sot": Sot, Kosova përballet me Gjykatën Speciale, që pritet të akuzojë ish- krerë të UÇK-së për krime gjatë luftës. Si e pritni ju veprimin e kësaj gjykate? A ka pasur krime gjatë luftës nga ana e UÇK-së ndaj civilëve?

Avni Ajeti: UÇK-ja ka bërë një luftë të pastër dhe të shenjtë. Ajo ka bërë një luftë të drejtë dhe çlirimtare. Nëse lufta për liri konsiderohet si krim, atëherë si mund të cilësohet lufta gjenocidiale e Serbisë kundrejt popullit të pafajshëm shqiptar. Ne jemi ngritur për popullin tonë, për ta çliruar atë. Atë që nuk ia dua popullit tim, nuk ia dua asnjë populli tjetër.

"Kosova Sot": Menjëherë pas luftës disa anëtarë të LDK-së u eliminuan. Ju e dini çfarë ka deklaruar Nazim Bllaca për vrasjet politike, por edhe për vrasjet e spiunëve. Kush janë, në rast se ka të tillë, individët brenda UÇK-së, që duhet të mbajnë përgjegjësi për këto krime eventuale?

Avni Ajeti: Ushtari i UÇK-së nuk ka prekur as edhe një individ, politik apo etnik. Ai ka luftuar për liri, që fëmijët e tij të mësojnë për matematikë e filozofi. Andaj, vrasjet e tilla politike të pasluftës nuk janë kryer nën ombrellën e UÇK-së. Këto vrasje janë bërë nga elemente politike (kriminale në këtë rast ) dhe duhen të gjykohen.

Abuzimi me listat e veteranëve, dështim institucional

"Kosova Sot": Sa ushtarë ka pasur, sipas jush, UÇK-ja? 

Avni Ajeti: Në bazë listave që janë dorëzuar nga vetë ushtarët e UÇK-së për t'u transformuar në TMK, kaq është edhe numri i përafërt i tyre

"Kosova Sot": Si shpjegohet se mbi 50 mijë veteranë dolën pas verifikimit të listave? Kush mban përgjegjësi për manipulimin e luftës dhe vlerave të luftës? A duhet të përgjigjen komandantët për listat e fryra?

Avni Ajeti: Ata që e kanë pasur për detyrë verifikimin e listave të veteranëve dhe komisionet përkatëse. Mirëpo, u dëshmua edhe njëherë papërgjegjshmëria institucionale për luftën. Në ZOLL, për t'i identifikuar ushtarët, do të duhej një thirrje publike që të bëhet një takim me ushtarët dhe secili të organizohet te togu, kompania, brigada dhe te komandanti i tij dhe shefi i shtabit, dhe në këtë mënyrë arrihet të kuptohet se kush ka luftuar dhe ku ka luftuar. Absolutisht do të duhej të përgjigjeshin dhe të japin llogari të gjithë ata që abuzuan me listat. Mirëpo, e gjithë kjo duhet të rregullohet me ligj, lufta e UÇK-së.

SHIK-u e kapi shtetin, Veseli shfrytëzon paaftësinë e Mustafës

"Kosova Sot": SHIK-u nuk ka bërë transparente punën e vet në institucionet e Kosovës. Krerët e kësaj organizate dhe anëtarët e saj janë të shpërndarë në institucionet kyçe, në ambasada, në qeveri, në komuna, në borde, në agjenci, në medie... 

Avni Ajeti: Unë mendoj që SHIK-u e ka kapur shtetin e Kosovës dhe është ndihmuar nga shërbimet sekrete të huaja. Ai vepron çdo kund dhe po ndihmohet nga jashtë. Sepse, ky shërbim që në fillim është dashur t'i ndalojë disa organizata të huaja që po veprojnë në dëm të Kosovës.

"Kosova Sot": Ju keni dëgjuar me siguri se si francezët thonë se Hashim Thaçi është agjent i tyre. A besoni se kjo është e vërtetë dhe a do të duhej ta verifikonte shteti nëse qëndrojnë këto pohime apo jo?

Avni Ajeti: Nuk e di nëse është apo nuk është agjent i francezëve. 

"Kosova Sot": Kadri Veseli po sillet si kryeministër, edhe pse është vetëm spiker Kuvendi. A besoni se do të bëhet kryeministër dhe si e parashihni qeverisjen me ishkreun e SHIK-ut?

Avni Ajeti: Kadri Veseli sillet si kryeministër i Kosovës, për arsye se Mustafa është i paaftë politikisht dhe nuk e ka gradën e Kadriut që t'i thotë mos u përziej në punën time. Kadri Veseli po e përgatit terrenin që të futet edhe në mesin e ushtarëve të UÇK-së, që të njihet i barabartë me ta. Ai nëpërmjet një shoku tim, që tani është këshilltar i ministrit të Ambientit, ku tani së voni e emëroi, sepse ai aderoi nga AAK-ja në PDK dhe nëpërmjet tij më kërkon që edhe unë si luftëtar të vihem në shërbim të tij. Këto tentime janë evidente. 

"Kosova Sot": Sot, kur presidenti Thaçi pyetet për luftën nga mediet e huaja thekson se ka qenë larg frontit të luftës dhe është marrë me drejtimin politik. A po i druhet ai një akuzimi të mundshëm nga Gjykata Speciale? 

Avni Ajeti: Hashim Thaçi si kryeministër nuk i është dashur as luftës, e as paqes, sikurse nuk i duhet as Gjykatës Speciale. Ai ka mundur që në Kuvendin e Kosovës ta themelojë një Gjykatë, ku për çdo aktakuzë eventuale, ata të dyshuar do të gjykoheshin këtu, në Kosovë. Shiheni pozitën individuale të tij dhe krahasojeni me Kosovën. Ky njeri ka shkatërruar çdo gjë në Kosovë. Ka zhvatur çdo gjë dhe ka neglizhuar çdo proces përparues për vendin. I tilli ka demoluar çdo gjë që është ndërtuar nga qytetari, nga djersa e tyre. Ky person u pasurua në kurriz të qytetarëve dhe punës së tyre. Ky është kanceri i shtetit që efektet e tij do t'i shohim pas disa vjetëve. 
 

(Kosova Sot)