Mini-shteti Devolli uzurpon tregun

  • 20 October 2016 - 07:40
Mini-shteti Devolli uzurpon tregun

Nokaj: "Shteti i kapur tashmë në shumë fusha është si produkt i klaneve politiko-ekonomike PDK-Devolli"

Ajo që ka ndodhur të martën në mbledhjen e radhës të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri, në të cilën raportoi ministri i Infrastrukturës, Lufti Zharku, lidhur me çështjen se përse po lejohet monopoli i QAK-ut në homologim, që është në pronësi të oligarkëve Devolli dhe deklarimi i ministrit Lutfi Zharku se nuk ka guxim që të marrë vendim që ta ndërpresë marrëveshjen me Devollët, sepse mund të gjobiten Ministria dhe Qeveria, për ekspertët dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës është një tregues se shteti i Kosovës është shndërruar në një minishtet të Korporatës "Devolli", shkruan gazeta Kosova Sot.

Sipas analistëve dhe deputetëve, duke i lejuar këto monopole nuk mund të flitet për një treg të lirë, kur i ashtuquajturi "treg i lirë " në realitet është i kontrolluar dhe monopolizuar nga kompanitë oligarkike që janë në pronësi të vëllezërve Devolli. Madje, është një vlerësim i ekspertëve dhe deputetëve të opozitës se për bizneset e vëllezërve Devolli janë duke punuar gati të gjitha institucionet kosovare, duke filluar nga Qeveria e Kosovës, Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës, ART-ja e Kosovës, PTK-ja e Kosovës, Homologimi i Kosovës, importet e grurit dhe krundeve të Serbisë, Terminalet e Kosovës, ATK-ja e Kosovës, qumështi dhe birra e Kosovës, pasi me një fjalë gati të gjitha këto që u përmendën më lart tashmë pothuajse kanë kaluar në pronësi të dy vëllezërve Devolli, Blerimit dhe Shkëlqimit.

Qeveria hesht

Në bazë të kësaj çfarë po ndodh tek ne, vlerësohet se pothuajse e gjithë klasa politike e Kosovës i kanë veshur paturpësisht fanellat e Devollëve. Analistët dyshojnë se dështimi i privatizimit të PTK-së lidhet pikërisht me ndikimin e Devollëve, për shkak të MVNO-së "ZMobile".Veç saj, ata thonë se janë pastaj Terminalet Doganore, duke bërë që Dogana të jetë në shërbim të kësaj familjeje, me bekimin e pushtetit, pastaj heshtja për importin e grurit që Devollët e blejnë nga Serbia, e që e shesin në vendin tonë si miell, për të vazhduar me monopolin mbi homologimin e veturave, ku ministri i dikasterit Zharku thotë se nuk guxon që t'ua ndërpresë kontratën 10-vjeçare, edhe pse të gjithë janë në dijeni se kjo është shkelje e Kushtetutës dhe monopol i pastër. Ata ndërkaq e kanë shtruar çështjen se për çfarë tregu të lirë mund të flitet në Kosovë, kur çdo gjë është nën mëshirën e kësaj familjeje, duke shtruar çështjen se a janë financuesit e partive mbi tregun e lirë? Zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu, nuk është përgjigjur në pyetjet dhe çështjet e ngritura se përse po heziton Qeveria "Mustafa", me saktësisht ministri Lutfi Zharku, që nuk po e heq monopolin e homologimit të makinave që e ka kompania që është në pronësi të afaristit Shkëlqim Devolli, i cili po vazhdon që të zhvatë paratë e qytetarëve kosovarë.

Politikanët veshën fanellën e monopolistëve

Në vlerësimet e tyre, përfaqësuesit e opozitës ankohen se u pa qartë ditë më parë se Qeveria nuk do ta ndërpres monopolin në homologim të vëllezërve Devolli. Deputeti opozitar, Enver Hoti, (Nisma për Kosovën), që ishte pjesëmarrës në këtë mbledhje, tha për " Kosova Sot" se ajo çfarë u pa dje në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ku prezantoi edhe ministri Lutfi Zharku, tregon qartë se Qeveria "Mustafa" as nuk ka guxim, e as nuk ka dëshirë apo vullnet që ta bëjnë heqjen e monopoleve dhe liberalizimin e tregut. Hoti është i mendimit se kjo po ndodh pasi ata janë pjesë e fitimit në këtë biznes, pra është në pyetje ndarja e "tallit" apo pjesës së tyre të fitimit, sepse vetë Qeveria dhe njerëzit e Qeverisë janë pjesë e atyre "talleve që bëhen përmes këtij homologimi. "Në bazë të kësaj çfarë po ndodh tek dhe çfarë ndodhi dje në këtë Komision mund të themi lirshëm se pothuajse e gjithë klasa politike e pushtetarëve të Kosovës i kanë veshur paturpësisht fanellat e Devollëve", theksoi ai.

Keqpërdorimi i shtetit

Specialisti i fushës së integrimeve evropiane për ekonomi, Ardi Nokaj, tha për "Kosova Sot' se dështimi i privatizimit të PTK-së lidhet pikërisht me ndikimin e Devollëve, për shkak të MVNO-së "Z -Mobile".Veç saj, Nokaj tha se pastaj janë edhe Terminalet Doganore, duke bëre që Dogana të jetë në shërbim të kësaj familjeje, me bekimin e pushtetit korruptiv të PDKsë, pastaj heshtja për importin e grurit që Devollët e bëjnë nga Serbia, e që e shesin në vendin tonë si miell, për të vazhduar me monopolin mbi homologimin e veturave, ku ministri i dikasterit, Zharku, thotë se nuk guxon t'ua ndërpresë kontratën 10-vjeçare, edhe pse këtë e dinë të gjithë se kjo është shkelje e Kushtetutës dhe monopol i pastër. "Shteti i kapur tashmë në shumë fusha është si produkt i klaneve politiko-ekonomike dhe po ashtu lirshëm mund të themi PDKDevolli, sepse shumë herë po përballemi me fenomenin e pushtetit të nëntokës, të cilët në fakt po e shkatërrojnë dhe po e gjymtojnë edhe ashtu ekonominë e brishtë të Kosovës". Analisti Nokaj thotë se Devollët dhe PDK-ja po e keqpërdorin shtetin kjo edhe nuk do ndonjë koment, pasi për ekonomistë këta si duket po e menaxhojnë edhe Prokurorinë e Shtetit, e cila vazhdimisht veç po hesht e nuk e bën madje as edhe një gjë të vetme në këtë drejtim.

QAK-u, monopol i pastër

Eksperti i fushës së konkurrencës dhe ish-kryetari i parë i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Osman Ejupi, për gazetën"Kosova Sot", tha se çështja shumë e përfolur e homologimit të automjeteve, e cila përmban në vete testimin e përshtatshmërisë teknike dhe dokumentare, e të cilës duhet t'i nënshtrohen të gjitha mjetet motorike të vjetra e të reja, të importuara, qoftë nga persona fizikë apo juridikë në Kosovë, është një problem real, definimin dhe zgjidhjen e së cilit që sa vite më parë është dashur t'i japë Qeveria përmes dikasterit përkatës (me marrëveshje ekskluzive) si dhe rregullatori përkatës Autoriteti i Konkurrencës me konstatimin e pozitës dominuese. Ai thotë se, shikuar nga aspekti ligjor, ligji për mbrojtjen e konkurrencës, rasti i QAK-ut paraqet një monopol të pastër, pra ka një pozitë të pastër dominuese në tregun e Kosovës, pasi i njëjti është i vetmi institucion i autorizuar për kryerjen e homologimit të automjeteve, dhe që i njëjti institucion, pra QAK-u, nuk i nënshtrohet konkurrencës së lirë në treg, ka fuqi të rëndësishme në treg pa konkurrentë ekzistues ose potenciale të tjera të ngjashme, dhe po ashtu i njëjti ka një pjesëmarrje të gjerë dhe pozitë të plotë dominuese në gjithë tregun relevant të Kosovës."Kjo gjendje në treg nuk mundet të quhet ndryshe përveçse monopol i pastër. Autoriteti i Konkurrencës duhet që të konstatojë abuzimin e QAK-ut, me pozitën dominuese-monopolin. Se sa QAK-u abuzon me pozitën dominuese, monopolin në treg, është një proces pune ku duhet matur faktorët e tregut dhe duke analizuar mirë dhe thellë, ngase i njëjti në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë a ka vendosur çmim real apo joreal të homologimit, ose kushte të tjera që kufizojnë marrësin e shërbimit, prodhimin, tregun ose zhvillimin teknologjik në dëm të konsumatorëve", theksoi Ejupi. Ai, po ashtu, thotë se "fusha tjetër e abuzimit të mundshëm që duhet të investigohet është se si QAK-u po vepron në zbatimin e kushteve të ndryshme të transaksioneve për punët e njëjta me ndërmarrjet e tjera homologuese në regjion, në vendet fqinje, duke mos i sjellë konsumatorët kosovarë në një pozitë të pafavorshme në raport me konkurrencën e tregut homologues regjional." Ligji është mbi çdo marrëveshje, qoftë edhe për çfarëdo shërbimi, edhe nëse ai përmban ekskluzivitetin për homologimin e automjeteve", potencoi Ejupi.

Dyshime për korrupsion

Kundër monopoleve të Devollëve dhe heshtjes së ministrit Lutfi Zharku është deklaruar edhe eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi i disa kolegjeve, Nehat Maxhuni. Ai tha për "Kosova Sot" se është i habitur dhe i pakënaqur me heshtjen e djeshme në Komision që e bëri ministri Zharku, por edhe me Autoritetin e Konkurrencës, që lejojnë monopolet në shumë fusha të ekonomisë, përfshirë edhe homologimin e makinave që e bënë Kompania "EuroLab", ku pronar është Kompania "Devolli". "Sikurse që është e vërtetë që Devolli e ka monopolin, po ashtu është më se e vërtetë që Kompania "Devolli" është financuesi më i fortë i PDK-së dhe njerëzve të PDK-së si gjatë fushatës zgjedhore, ashtu edhe pas saj", theksoi ai. Sipas Maxhunit, për ruajtjen e monopolit në këtë fushë kanë interes të dyfishtë edhe Kompania e Devollëve, por edhe ministri Lutfi Zharku, pasi për këtë shërbim Zharku e merr kundërshpërblimin. "Për fat të keq, kështu funksionon Qeveria dhe ekonomia e Kosovës, që dallohet për të keq në rajon dhe në Evropë ", ka thënë ai. 

(Kosova Sot)