Harrohen takimet "vëllazërore"

  • 20 October 2016 - 07:54
Harrohen takimet

PASOJAT DRAMATIKE TË VIZITËS SË KRYEMINISTRIT EDI RAMA

Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, në periudhë krize

Ky debat shihet edhe si një ndikim indirekt i presidentit Thaçi, ngase, sipas analistëve politikë, është i pari i shtetit të Kosovës ai që po xhelozon guximin e Edi Ramës, mikun e dikurshëm, që po ua thotë mu në Beograd krerëve të shtetit serb ato fjalë, që Thaçi nuk ua tha për disa vjet dialog në bisedime me homologët serbë

Zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës dhe analistë të ndryshëm kanë nisur një fushatë të egër kundër qëndrimeve të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, rreth Kosovës gjatë ballafaqimit të fundit në Beograd me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq. Qëndrimet pro dhe kundër interesimit të kryeministrit Rama për zhvillimet në Kosovë dhe raportet me Serbinë, madje në shumë raste janë cilësuar edhe si fillim i hyrjes së marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri në një fazë krize, që mbase do të mund të sjellë edhe deri te dështimi i takimit të radhës të të dyja qeverive, që planifikohet dhe është bërë tradicional. Analistë të pavarur dhe deputetë opozitarë theksojnë se ky lloj debati është një mjegull e qëllimshme, të cilën po e krijojnë vetë zyrtarët politikë të shtetit të Kosovës, me qëllim të fshehjes së krizës së brendshme, që ka kapluar vendin, duke orientuar përqendrimin e vëmendjes në një çështje, që nuk është fare problem për zhvillimet dhe nuk ka të bëjë me mundësi acarimi të raporteve Kosovë-Shqipëri. Për më tepër shihet edhe si një ndikim indirekt i presidentit Thaçi në këtë debat, ngase, sipas analistëve politikë, është i pari i shtetit të Kosovës ai që po xhelozon guximin e Edi Ramës, mikun e dikurshëm, që po ua thotë mu në Beograd krerëve të shtetit serb ato fjalë, që Thaçi nuk ua tha për disa vjet dialog në bisedime me homologët serbë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Shqiptarët u rezistuan lojërave me identitetin

Analisti Fadil Lepaja thotë se oligarkia kosovare edhe ashtu është në krizë serioze, në përballje me ligjin dhe mosaprovimin nga ana e qytetarëve të gjendjes së krijuar në shtet. "Z. Thaçi, po ashtu, ndodhet në një fazë shqetësimi, kur po prodhon ngjarje mediale pa substancë, në përpjekje për të dëshmuar siguri dhe vetëbesim, por kjo nga shoqëria po kuptohet krejt ndryshe. Shqiptarët e Kosovës nuk u instrumentalizuan asnjëherë në lojërat me identitet që i bënin pareshtur pretenduesit e ndryshëm kolonialistë, dhe gjithsesi janë për Kosovën që e krijuam me mund, por edhe për kombin, të cilin nuk e kemi rehatuar ende në rajon", tha Fadil Lepaja për "Kosova Sot". Një gjykim të ngjashëm ka edhe politologu i ri Islam Krasniqi. "Nuk mund të them së kanë hyrë në një krizë marrëdhëniet Kosovë -Shqipëri, sepse Shqipëria e ka me ligj të rregulluar kujdesin dhe mbrojtjen e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve të saj, por këtu reaguan disa patriotë, që gjithçka mund të jenë vetëm shqiptarë jo", tha Islam Krasniqi për "Kosova Sot". Në këtë situatë, pavarësisht këtyre fërkimeve që krijojnë mjegull në opinion, ai nuk sheh rrezik të madh të thellimit të krizës deri në dështimin e takimit të radhës mes dy qeverive, sepse kjo do të ishte një situatë e barabartë me tradhti të interesave kombëtare.

Po i rrahim gjoks vetëm Shqipërisë

Analisti Islam Krasniqi thotë se është e sigurt që qeveritë e të dyja vendeve prapë do të vazhdojnë takimet e tyre, sepse Qeveria e Kosovës pa Shqipërinë është zero, edhe vetë e dinë këtë. "Por, janë disa 'këlyshë' të vegjël, që janë trajnuar edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare, apo edhe Beogradi, që të mos flasin për shqiptarët që janë jashtë kufijve të territorit të shtetit, siç i kemi harruar pothuajse gati krejt ne shqiptarët e Luginës, sikurse edhe ata në Maqedoni, që po vdesin nëpër burgje nga torturat. Po këta janë që u munduan dhe mundohen edhe tutje t'ia mbyllin gojën kryeministrit shqiptar që të mos flasë në emrin tonë", u shpreh ai. "Është e pakuptimtë pse duhet ta xhelozojmë tani një kryeministër, i cili para një viti u konsiderua si hero, për të njëjtën gjë, në të njëjtin vend. Kjo mund të vijë si reagim i tillë, vetëm nëse pranojmë se ne jemi mësuar të jemi servilë nga BE-ja dhe të rrahim gjoks vetëm karshi Shqipërisë, derisa me të tjerët as si shtet s'po mund të paraqitemi, e lëre më të polemizojmë e kundërshtojmë diçka", tha politologu Islam Krasniqi. Deputeti i lëvizjes 'VETËVENDOSJE', Ismail Kurteshi, pohon se ky lloj debati që po nxitet nga disa individë, brenda dhe jashtë Qeverisë ka për qëllim zbehjen e plotë të çdo ndikimi të mundshëm të faktorit shqiptar në rajon dhe më gjerë, ashtu sikur e dëshiron dhe e ka në agjendë nacionale vetë shteti serb. "Duke mos e dashur faktorizimin e shqiptarëve në Ballkan dhe eliminimin e padrejtësisë, që e kanë bërë fuqitë e mëdha në Konferencën e Londrës, në vitin 1912, kur gjysmën e trojeve shqiptare e lanë nën sovranitetin e vendeve fqinje e sidomos Serbisë, ishte insistim i Serbisë që në Kapitullin e parë, nenin l, pikën 3 të Kushtetutës së Kosovës të shkruhet: "Republika e Kosovës ... nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti". Tani edhe ata që po e paraqesin Shqipërinë si rrezik për shtetin e Kosovës ose janë argatë të djallit ose janë miopë politikë", theksoi ai.

Përvetësime politike në kurriz të patriotizmit

Sipas Kurteshit, zhurma që po bëhet këto ditë rreth vizitës së Ramës në Serbi s'ka si t'i ftohë marrëdhëniet në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, veçse kjo vizitë ua ka hapur gojën atyre që kanë qenë përherë të ftohur dhe përherë e kanë pritur momentin e përshtatshëm për ta forcuar idenë e Serbisë, që ata e kanë përvetësuar për gjoja dallimet në mes të shqiptarëve në dy anët e kufirit dhe "interesin" që Kosova të qëndrojë kështu, në mënyrë që Serbia ta bëjë fakt të kryer ndarjen e sovranitetit me shtetin e Kosovës që ajo nuk po e njeh. "Ndërhyrjen e Serbisë dhe rrezikimin e sovranitetit të Kosovës këta "vizionarë" e amortizojnë, duke thënë se Serbia kurrë më nuk do të mund të kthehet në Kosovë, të njëjtët i arsyetojnë bisedimet me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, e arsyetonin edhe "Zajednicën" edhe Demarkacionin me "faktin" se kështu po kërkojnë ndërkombëtarët. Asnjëherë nuk e kemi dëgjuar zërin e tyre të protestës, kur politikanët serbë thonë se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, madje as atëherë kur ata kërcënohen se edhe me luftë do ta mbrojnë 'Trepçën'. Por, këta e rrisin zërin kur Edi Rama tha se "Trepça" është në Kosovë, dhe se i takon Kosovës, se Beogradi duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, se ai u mor vesh të dërgojë tekste shkollore në Luginën e Preshevës, që dështoi ta bëjë Qeveria e Kosovës. Sikur Edi Rama të mos e kishte përmendur fare Kosovës, të njëjtët do ta kritikonin që nuk e ka përmendur", tha deputeti Ismail Kurteshi. Ai ka pohuar se megjithatë kjo zhurmë të disa individëve të papërgjegjshëm, është krejt e natyrshme, që shumica e shqiptarëve mendojnë ndryshe nga këta "mbrojtës" të Kosovës nga Shqipëria, prandaj marrëdhëniet mes një kombi të ndarë me forcë nuk kanë si të ftohen. 

(Kosova Sot)