Alarmante, po zbrazet Emergjenca

  • 20 October 2016 - 17:15
Alarmante, po zbrazet Emergjenca

Interesim i paparë i mantelbardhëve që të marrin rrugën drejt Gjermanisë.

Me ndihmën e Qeverisë, disa infermierë të Klinikës Emergjente, por edhe të klinikave dhe qendrave të tjera spitalore kanë filluar t'i ndjekin kurset e gjuhës gjermane, duke synuar punësimin në Gjermani. Në vend po alarmohet për rrezikun e mungesës së këtij kuadri, kurse Qeveria po pamundëson edhe punësime të reja,raporton Gazeta Kosova Sot

Klinika Emergjente në QKUK, si qendër terciare referente për gjithë Kosovën, por edhe qendrat e tjera spitalore në vend mund të rrezikohen në një të ardhme të afërt nga mungesa e infermierëve. E gjithë kjo pasi infermierët, por edhe mjekët, janë të interesuar për gjetjen e një vendi pune jashtë vendi. E gjithë kjo zbrazje e këtij kuadri po ndodh pas një marrëveshje të nënshkruar në mes të institucioneve vendore dhe Organizatës gjermane GIZ . Musa Demiri, zëdhënës në Ministrin e Punës dhe të Mirëqenies Sociale ka shpjeguar se MPMS-ja në nëntor të vitit të kaluar ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë e Përkrahjes së Punësimit në Kosovë (APPK), Diakonisch Werk Wurttemberg (DWW-DIAGONI) dhe Organizatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) për mbështetjen dhe përkrahjen e punësimit legal në Gjermani. Sipas tij, në kuadër të kësaj marrëveshjeje, MPMS-ja ka përkrahur 54 kandidatë nga Kosova për t'u arsimuar dhe për t'u aftësuar profesionalisht në Gjermani në drejtimin e infermierisë. 

Trendi i ikjes Por, kjo marrëveshje në mes të dy palëve për drejtorin e Qendrës Emergjente nuk po shihet si pozitive në një aspekt. Fillimisht Lenjani ka theksuar nevojën e madhe të punësimit të infermierëve në këtë qendër, përderisa ka alarmuar për një krizë të mundshme që mund t'i përcjellë institucionet shëndetësore, nëse ky trend i ikjes së kuadrove të gatshme do të vazhdojë. "Menaxhmenti i Klinikës Emergjente në vazhdimësi ka kërkuar që Klinika Emergjente të plotësohet me stafin mjekësor, mjekë dhe infermierë. Në veçanti kemi probleme të natyrës së mungesës së infermierëve, dhe përkundër kërkesës së vazhdueshme në Drejtorinë ekzekutive të QKUK-së dhe përcjelljes së tyre drejt Ministrisë së Shëndetësisë,ende nuk kemi ndonjë rezultat. E gjithë kjo sipas të dhënave zyrtare po ndodh për shkak të moslejimit të buxhetit shtesë për punësimin e infermierëve të rinj", është shprehur Lenjani. Sipas tij, kërkesat për punësime të reja në Klinikën Emergjente janë parashtruar për 25 infermierë. Me tej ai ka shpjeguar se deri më tash Klinika Emergjente është plotësuar nga lista rezervë, e cila ka ekzistuar në QKUK."Por, edhe kjo listë rezervë është harxhuar. Që është më e keqja në kohën e fundit po identifikohen edhe personat infermierë, por edhe mjekë të kësaj klinike të cilët po ndjekin kurse të gjuhës gjermane, pra duke synuar punësimin në Gjermani", ka theksuar Lenjani, duke e paraparë këtë si të rrezikshme për ikjen e kuadrit. "Shoh që është një interesim i paparë i mantelbardheve që të marrin rrugën drejt Gjermanisë, sigurisht për të krijuar një jetë më të mirë. Por, unë këtu shoh rrezikun që mund të vijë në një të ardhme të afërt për institucionet shëndetësore. Pra, Kosova mund të mos ketë personel të edukuar dhe të trajnuar mjekësor pasi një pjesë e madhe po shprehin interesim të marrinë rrugën e perëndimit", thotë Lenjani. 

"Po ua japim kuadrin e gatshëm shteteve të perëndimit" Duke vlerësuar për rrezikun, Lenjani ka sugjeruar që për shërbimet emergjente të gjenerohen vende të reja të punës. "Jemi një shtet i cili po e përgatit kuadrin,po i shkollojmë, po i trajnojmë dhe po dorëzojmë si një kuadër të gatshim shteteve të perëndimit duke u mundësuar atyre të mos bëjnë asnjë investim në kandidatët. Të paktën unë mendoj se politika shëndetë- sore, brenda qeverisë duhet të krijojë një hap më të guximshëm që këta njerëz të mos marrin rrugën e kurbetit", ka thënë ai, duke u shprehur se nuk arrin të akceptojë marrëveshjen ndërinstitucionale për punësime të infermierëve jashtë vendi. Sido që të jetë, Lenjani ka nënvizuar se është zgjidhje individuale e secilit, dhe nuk ka mundësi të detyrohet të pengohet askush, kur kihen parasysh kushtet e punës dhe ato materiale. Ndryshe, infermierët e punësuar në Klinikën Emergjente paguan me një koeficient më të lartë se sa paguhen shërbimet e tjera. Një infermier, i cili është i angazhuar në kujdestari merr një pagë prej 550 euro, kurse pa kujdestari infermierët marrin pagën mujore afërsisht 400 euro. Ndërkohë, bazuar në një deklaratë anonime të një infermiere, e cila synon punësimin në Gjermani është bërë e ditur se pikërisht janë kushtet materiale ato që ajo ka shprehur interesimin për të punuar jashtë vendi."Po kërkojmë një pagesë më të mirë, kushte më të mira pune, e gjithë kjo për të siguruar një jetë më të mirë për familjen", është shprehur në kushte anonime kjo infermiere

Kurse Lenjani u shpreh: "Në Klinikën Emergjente, aty ku bëhet një punë e madhe janë të punësuar 78 infermierë, afërsisht 15 për qind janë infermierë të moshuar, të cilët janë pranë kohës së pensionit, kurse 8 infermiere janë në pushime të lindjes dhe ato nuk mund të punojnë në ndërrime bazuar me ligjin për 3 vjet me radhë", ka shpjeguar Lenjani. Kurse, aktualisht, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka rreth 613 mjekë dhe 1,833 infermierë, të punësuar, por numri tyre nuk është aspak në përputhje me nevojat dhe kërkesat e popullatës së Kosovës. Sido që të jetë, në një dokument që ka siguruar gazeta në lidhje me mundësinë e punësimit në Gjermani është bërë e ditur në mes të tjerash se: Me efekt ligjor nga data 28.10.2015 janë lehtësuar kriteret ligjore për futjen në tregun gjerman të punës të qytetarëve nga Republika e Kosovës. "Nga data 01.01.2016 e deri më datën 31.12.2020 qytetaret e qytetarët nga Republika e Kosovës kanë mundësi të marrin një leje qëndrimi në Gjermani për të gjitha profesionet e punës, shkollimet profesionale, e punë të tjera ndihmëse. Aktualisht janë radhitur mbi 130 profesione pune gjithsej, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë- dhe të kujdesit mjekësor, në profesione si mekatronik- dhe elektricist, ndërtimtari - dhe profesione të tjera teknike, si edhe profesione nga sektori i komunikacionit rrugor dhe i logjistikës. Gazeta ka kërkuar një përgjigje edhe të zyrtarëve nga Ministria e Shëndetësisë,por gjatë të mërkurës nuk kemi arritur të marrim një përgjigje. 

(Kosova Sot)