Tjetër testim i dështuar raketor nga Koreja e Veriut

  • 20 October 2016 - 20:46
Tjetër testim i dështuar raketor nga Koreja e Veriut

Një tjetër dështim i hedhjes së raketave nga Koreja e Veriut. Dështimi ka qenë i menjëhershëm sapo raketa është lëshuar. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes.

Ndërkohë lajmi është bërë i ditur nga ushtarakë të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, vetë pak orë pasi këto dy vende ranë dakord për të përforcuar përpjekjet kundër kërcënimeve bërthamore dhe raketore të veriut komunist.

BBC shkruan se raketa besohet të ketë qenë një “Musudan” me rreze të mesme veprimi dhe u lëshua nga qyteti perëndimor i Kusongut, aty ku vendi i izoluar komunist u përpoq por dështoi të lëshonte një tjetër raketë të të njëjtit lloj ditën e shtunë.

Lëshimi i dështuar i raketës shënon edhe përpjekjen e 8 në 7 muajt e fundit nga veriu komunist, kryesisht për lëshimin e një rakete me rreze prej afro 3.000 km, që lëshohen nga një makineri lëvizëse.

Koreja e Veriut ka vijuar të ndjekë me një shpejtësi të paprecedentë programet e saj bërthamore e raketore gjatë këtij viti. Në qershor, vendi i izoluar lëshoi një raketë “Musudan” që fluturoi rreth 400 km, më shumë sesa gjysma e distancës me Japoninë, një test që u konsiderua si sukses nga zyrtarët dhe ekspertët në Korenë e Jugut dhe Amerikë.

Gjithashtu Koreja e Veriut njoftoi këtë të enjte se do të vazhdojë lëshimin e satelitëve, pavarësisht kundërshtimit të rivalit të saj jugor, përmes një deklarate të lëshuar nga agjencia e saj hapësinore, të transmetuar nga media shtetërore.

(Kosova Sot)