SHBA'ja kërkon kapërcimin e tensioneve mes Turqisë dhe Irakut

  • 20 October 2016 - 21:05
SHBA'ja kërkon kapërcimin e tensioneve mes Turqisë dhe Irakut

Uashingtoni po përpiqet të qetësojë mosmarrëveshjet mes Ankarasë dhe Bagdadit nga frika se këto mosmarrëveshje do të ndikojnë në ofensivën për rimarrjen e Mosulit grupit të Shtetit Islamik duke shkëputur ekuilibrin e brishtë mes kampeve rivale që bashkëpunojnë në sulmin e ndërmarrë në qytetin irakian.

“Tensioni është i fortë dhe deklaratat publike kanë degjeneruar pak”, theksoi një zyrtar i lartë amerikan duke shtuar se ky është një skenar shumë i trazuar.

Ministri amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter do të zhvillojë nesër një vizitë në Turqi për t’u siguruar përveç të tjerave se strategjia e ofensivës nuk del nga kontrolli.

“Ne përpiqemi të sigurohemi se këto tensione nuk krijojnë një situatë kaotike që do të eklipsonte një sukses të mundshëm ushtarak”, nënvizoi zyrtari amerikan.

Mes dhjetëra mijëra luftëtarëve irakianë të mobilizuar për të rimarrë Mosulin bëjnë pjesë shumë grupe etnike dhe fetare që tentojnë prej tani të sigurojnë pozicionin e tyre për ditët në vijim, kur Shteti Islamik të ketë rënë.

(Kosova Sot)