Aksioni i Veselit, me prapavijë elektorale

  • 20 October 2016 - 07:51
Aksioni i Veselit, me prapavijë elektorale

NISMA E KRYEPARLAMENTARIT PËR LOBIM PËR VIZAT

Kjo lojë e kryeparlamentarit Veseli, kryetar i PDKsë, shihet edhe si ideja më e qëlluar e blerjes së paqes, pikërisht me ata që pritet të jenë pjesë e koalicionit të ardhshëm eventual, dy subjektet politike më të moderuara opozitare, AAK dhe Nisma

Analistët e quajnë si mbyllje e gojës së kritikëve

Derisa po afrohet koha e publikimit të Raportit të ri të Progresit për Kosovën dhe krahas këtij dokumenti vlerësues për ecurinë e rrugëtimit të Kosovës drejt përafrimit me BE-në do të ketë edhe një deklarim për çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët, me shumë gjasa negativ, analistët politikë konsiderojnë se politika zyrtare po e ndien edhe këtë dështim të radhës karshi premtimeve që janë bërë, prandaj mundohet që dështimin për procesin e liberalizimit të vizave ta mbulojë para qytetarëve me shpikjen mashtruese për aktivizim të të ashtuquajturës diplomaci parlamentare. Strategjia e kryekuvendarit Kadri Veseli, që e lansoi më shumë se dy vjet nga fillimi i punës së kësaj legjislature të re, po konsiderohet si një përpjekje e fundit e blerjes së paqes politike, duke i mashtruar edhe deputetët e opozitës me përfshirje në këtë aktivitet, duke i bashkuar deputetët e opozitës dhe pozitës nëpër udhëtime zyrtare, dhe duke iu paguar mëditje që sadopak do ta trashin edhe buxhetin e tyre, që edhe ashtu nuk është për t'u ankuar. Kjo lojë e kryeparlamentarit Veseli, kryetar i PDK-së, shihet edhe si ideja me e qëlluar e blerjes së paqes pikërisht me ata që pritet të jenë pjesë e koalicionit të ardhshëm eventual, gjoja për mbrojtje të shtetit, dy subjektet politike pak sa më të moderuara opozitare, AAK dhe Nisma, shkruan gazeta Kosova Sot.

Manipulimi mashtrues

Krejt kjo shpikje e radhës e kryekuvendarit Kadri Veseli, sipas analistëve, po bëhet edhe me qëllim të mbulimit të dështimeve të qeverisjes së PDK-së në dy mandatet e kaluara dhe vazhdimin e njëjtë edhe në këtë mandat të radhës. Analisti politik, Ali Hertica, thotë se politika kosovare jo vetëm tani, kur është çështja e liberalizimit, por që nga themelimi i shtetit dhe instalimit të këtij sistemi politik dhe parlamentar, është duke i mbuluar të gjitha mashtrimet dhe gënjeshtrat me format më perfide të veprimit të koordinuar, kudo që në qeverisje është treguar paaftësi e madhe për ta zhvilluar një politikë që e çon shtetin drejt proceseve integruese në familjen evropiane."Tani po shihet që edhe kjo ideja e kësaj diplomacisë së vonuar parlamentare, që sot paraqitet tek qytetari, duke i dhënë detyra dhe angazhime në lobim për të bindur shtete të caktuara që ta mbështesin liberalizimin e vizave, është një shpikje mashtruese. Madje kjo mundësi veprimi, që veç është e vonuar, shihet edhe si qëllim perfid i përfitimit nga vetë këta matrapazë që duan të paraqiten shumë të angazhuar para qytetarit", u shpreh ai."E gjithë kjo politikë, që sot po e zhvillon kryeparlamentari, është sa për sy e faqe, një manipulim mashtrues, sa për t'i dërguar edhe deputetët e opozitës jashtë vendit dhe me disa mëditje të majme, që mund të përfitojnë pretendon t'ua mbyllë gojën e kritikës dhe të denoncimit në Kuvend. Madje edhe në rast të përpjekjes së ratifikimit të ndonjërës nga marrëveshjet e dëmshme për shtetin. Është indikative dhe e dukshme që ka në mesin e deputetëve të AAK-së dhe Nismës që nuk kanë kurrfarë vizioni dhe qëndrimi politik, por mund të blihet paqja me ta. Ndryshe ata janë shumë të dobët për të shkuar dhe lobuar në ndonjë takim me homologët e tyre në shtetet e tjera, ngase niveli i përgatitjes së tyre është shumë i dobët, e mos të them pa kurrfarë sensi diplomacie", tha Ali Hertica për "Kosova Sot".

Kryeparlamentari i fut hundët kudo

Vlerësim të ngjashëm ka edhe analisti Jeton Kelmendi, i cili është i sigurt se, përkundër këtyre manovrimeve të radhës, Kosova nuk do të mundë ta fitojë liberalizimin e vizave pa i nxjerrë para drejtësisë zyrtarët e lartë të shtetit që kanë qenë dhe janë mbi ligjin. "Është tejet e ulët qasja e Veselit që me çdo kusht po insiston t'i fusë hundët gjithkund, sa për t'u dukur i rëndësishëm. Këtu tani secili po e punon edhe atë që nuk është punë e tij, për çka mendoj se politikanët e Kosovës me këto sjellje janë bërë shumë komikë. Tentativa për t'i hedhur hi syve opinionit kosovar, se Kuvendi po e bën punën e vet, është vetëm një aventurë e kreut të saj dhe disa personave të fuqishëm, të cilët e ndiejnë veten të abstrahuar. Po shihet që demarkacioni nuk ka qenë kusht, por ishte kërkuar të bëhej kusht nga vetë Isa Mustafa dhe shefat e Mustafës, Thaçi dhe Veseli, e tani ata po luajnë lojëra të pista", tha Kelmendi. Sipas tij, vetëm veprimi pa hezitim i drejtësisë kundër krimit dhe korrupsionit e hap edhe këtë perspektivë të bllokuar për kosovarët. "Kusht nga BE-ja është që t'i arrestojnë disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët kishin abuzuar me pozitat e tyre, prandaj këtë kusht nuk mund dhe nuk duan ta plotësojnë, sepse kjo i bie që Thaçi ta arrestojë Mustafën, ndërsa Veseli ta arrestojë Thaçin, e Mustafa t'i arrestojë Thaçin e Veselin, prandaj po i shohim vetëm fiskulturat e Thaçit me letra drejtuar Gjyqësorit, ndërsa Mustafa e Veseli duke e përsëritur refrenin e Demarkacionit dhe kopallat e tyre mashtruese", deklaroi ai. 

(Kosova Sot)