Veseli akuzohet për shkelje kushtetuese

  • 21 October 2016 - 07:36
Veseli akuzohet për shkelje kushtetuese

Akti i kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili në fillim të muajit tetor nënshkroi marrëveshjen e mirëkuptimit me kompaninë e sapoformuar amerikane “Stone Alliance”, me bashkëpronar ish-kryeshefin ekzekutiv të PTK-së dhe ish- pjesëtarin e SHIK-ut, Etrur Rrustemaj, nga ekspertët e fushës së drejtësisë dhe analistët politikë cilësohet si një tejkalim serioz i kompetencave, të cilat i ka të përshkruara me ligj dhe Kushtetutë kreu i Kuvendit të Kosovës,shkruan gazeta Kosova Sot.Sipas tyre, në aspektin ligjor atij  nuk i lejohet të nënshkruajë memorandume apo marrëveshje për investime me investitorë të ndryshëm, të brendshëm apo të jashtëm. Derisa vetë kreu i Kuvendit vazhdon të heshtë, të mos përgjigjet në pyetjet e gazetës për të sqaruar këtë veprim që ka bërë, edhe kabineti i kryeministrit Mustafa po vazhdon të mos deklarohet. Njohës të ligjit dhe Kushtetutës theksojnë se  përzierja e kryetarit të Kuvendit në përgjegjësitë e Qeverisë është edhe një shkelje e rëndë kushtetuese, kurse marrëveshja e nënshkruar, memorandumi, ligjërisht i pavlefshëm dhe i pazbatueshëm. Prof. Muhamet Kelmendi, njohës i fushës së legjislacionit dhe Kushtetutës, konsideron se kjo marrëveshje e nënshkruar nga Veseli pa asnjë problem mund të anulohet nëse  del ndonjë individ dhe ushtron padi kundër Veselit në gjykatë, Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku edhe ka ndodhur firmosja e kësaj marrëveshje.

 Sjellje arbitrare politike

Sipas Kelmendit, nëse do të kemi palë të interesuara, të cilat janë të interesuara dhe kanë interes vital për këtë çështje, mund të bëjnë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe kjo marrëveshje sipas ligjit do të duhej të shpallej inekzistente, sepse kryetari i Kuvendit të Kosovës fare mirë i ka të përcaktuara kompetencat në bazë të Kushtetutës, që është koordinimi i punës   dhe mbarëvajtja i të gjithë trupave të Kuvendit, thirrja e mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit për caktimin e seancave parlamentare dhe nuk ka asnjë hapësirë të ushtrimit të pushtetit legjislativ, e aq më pak ekzekutiv, sepse te kjo e dyta është Qeveria ajo që duhet të merret me një fushëveprim të tillë. “Këtu kemi të bëjmë me një shkelje ligjore e kushtetuese, që bëhet vazhdimisht nga ana e kryetarit të Kuvendit. Këtu tani po shihet qartë se kemi të bëjmë me një kryetar autokrat të një partie politike, e cila është subjekti më i madh politik parlamentar dhe nga ajo pozitë edhe po e dikton drejtpërdrejt dhe kundërligjshëm punën e Qeverisë së Kosovës. Kjo sjellje është sjellje arbitrare politike shumë e rrezikshme, prandaj për ta eliminuar këtë sjellje të tillë kundërkushtetuese është tepër e domosdoshme që ky vend të shkojë sa më shpejt në zgjedhje të reja, të thyhet dhe ndryshohet ky mentalitet politik i qeverisjes së vendit, sepse ndryshe kemi jo vetëm përzierje, por edhe marrje të kompetencave nga ata të cilët nuk duhet t’i kenë ato”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

 Keqpërdorim i pozitës zyrtare

Edhe analisti politik, Florim Zeqa, tha se me këto sjellje kundërligjore dhe kundërkushtetuese të kryetarit të Kuvendit PDK-ja shkallë-shkallë po e zhbën gati tërësisht pozitën e kryeministrit të vendit, duke nënçmuar, nënvlerësuar dhe pamundësuar ushtrimin e shumë detyrave që i takojnë me ligje dhe Kushtetutë.“Nënshkrimi i marrëveshjes së mirëkuptimit mes kreut të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me kompaninë e sapoformuar amerikane “Stone Alliance”, që bashkëpronar e ka ish-kryeshefin ekzekutiv të PTK-së dhe ish- pjesëtarin e SHIK-ut, Etrur Rrustemaj, përveçse e paligjshme, paraqet edhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, ngase nënshkrues i kësaj marrëveshje do duhej të ishte kryeministri, Isa Mustafa, e jo ai. Nënshkrimi i një memorandumi të bashkëpunimit nga një person jokompetent, në këtë rast nga kryeparlamentari, e bën të pavlerë dhe të paligjshme marrëveshjen me ‘Stone Alliance’”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se tani edhe shkrimet e disa medieve ndërkombëtare për "marrëveshjen historike" të Qeverisë së Kosovës me “Stone Alliance” janë produkt i gënjeshtrave të Etrur Rrustemajt dhe ‘FOX MARBLE Holdings’, marrëveshje kjo, e cila këtyre të fundit ua mundëson thithjen e fondeve nga Qeveria në vlerë rreth 100 milionë euro, gjoja për hapjen e 40 guroreve të mermerit në 5 vitet e ardhshme. “Ky rast tregon më së miri se si kreu i Kuvendit pa asnjë fije turpi shpërfill ligjet në fuqi, anashkalon kryeministrin dhe kabinetin qeveritar”, tha Florim Zeqa.

Ligji i xhunglës

Edhe njohësi tjetër i fushës së legjislacionit, Islam Krasniqi, konstaton po të njëjtën gjendje. Ai thotë se nga marrëveshja do të përfitojnë vetëm dyshja Veseli-Rrustemaj.“Zakonisht në një shtet ku nuk sundojnë ligji dhe e drejta në atë vend sundon ligji i të fortit, ku i jep të drejtë të fortit, i cili vendos dhe nënshkruan ashtu si i dojë ai.  Në mediat ndërkombëtare Etrur Rrustemaj dhe 'FOX MARBLE Holdings' thonë se kanë krijuar një marrëveshje historike me Qeverinë e Kosovës, të cilën nuk e ka nënshkruar shefi i Qeverisë, por shefi i Parlamentit, i cili nuk ka mandat ligjor ta bëjë këtë, sepse ligji nuk ia lejon të nënshkruajë memorandum për investime me investitorë, e që do të thotë si i ka tejkaluar kompetencat e tij si kryetar Kuvendi, mirëpo e bëri që t'i ndihmojë shokut të tij, ish-kryeshefit ekzekutiv të PTK-së dhe ish-pjesë- tarit të SHIK -ut, Etrur Rrustemaj, me të cilën marrëveshje do t`iu ndihmojë vetëm e vetëm që të përfitojnë fonde në vlerë deri 100 milionë euro, për të hapur 40 gurore të mermerit për 5 vitet e ardhshme", tha Krasniqi. Ai konsideron se kryeministri Mustafa ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me këtë kompani dhe ka dhënë vetëm një letër mikpritëse, sepse në këtë kompani nuk është qartësuar asgjë.

(Kosova Sot)