Një miliard nga diaspora

  • 21 October 2016 - 08:03
Një miliard nga diaspora

Përveç remitancave, mërgimtarët kontribuojnë edhe me investime të ndryshme, duke zbutur varfërinë në Kosovë

Sikur të mos ishin remitencat e diasporës kosovare, që janë mjete të emigrantëve kosovarë, që në një vit kapin shifrën e mbi 600-700 milionë eurove, sipas ekspertëve të ekonomisë dhe deputetëve të opozitës, përqindja e varfërisë në Kosovë, do të ishte shumë më e madhe,shkruan gazeta Kosova Sot. Këto remitanca janë me rëndësi sidomos tash në kohën kur janë ulur investimet për 97 milionë euro këtë vit dhe ka pak shpresë për qytetarët që ekonomia do të ketë këndellje. Sipas tyre, remitancat nga diaspora, që marrin qytetarët e vendeve të rajonit, luajnë një rol të rëndësishëm në gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Ka raste kur në disa familje remitancat janë burimi i vetëm i të ardhurave të tyre dhe ndikojnë dukshëm në standardin e jetesës, ndërsa pa këto të ardhura për disa familje do të ishte shumë më vështirë se sa tani. Edhe pse duket se deri më tani është vështirë që këto të ardhura të përdoren për diçka tjetër, analistët e ekonomisë rekomandojnë se fondet nga remitancat mund të përdoren për fillimin e programeve për mikro-ndërmarrjet apo përdorimin e tyre për ndonjë program për punësim ose vetëpunësim.

Një pjesë e remitancave, nuk monitorohen nga BQK-ja

Kushtrim Sheremeti, zyrtar në Ministrinë e Diasporës, që thotë për mediet vendore të Kosovës se paratë nga diaspora e përbëjnë fuqinë më të madhe ekonomike të Kosovës, pasi të ardhurat nga diaspora janë rreth 700 milion euro në vit”. Ai  theksoi se  ‘një prej të hyrave kryesore që shteti i Kosovës merr janë remitencat nga diaspora që jetojnë gjithandej botës’. Sheremeti, shtoi se këto shuma janë sipas të dhënave të BQK-së dhe nënvizoi se një shumë tjetër e madhe vjen në mënyra jo formale tek familjarët e diasporës, të cilat nuk i monitoron BQK-ja”. Ai sqaroi se ’gati secila familje kosovare pranon remitanca nga diaspora. Nëse llogariten edhe këto mund të themi që të ardhurat nga diaspora për një vit janë rreth 1 miliard euro”. Sheremeti gjithashtu bëri të ditur se përveç remitancave, diaspora kontribuon edhe nëpërmjet asaj që quhen investime të huaja direkte. "Një pjesë e madhe e këtyre investimeve janë investime pikërisht të diasporës sonë, por trajtohen si investime të huaja për shkak se pjesëtarët e diasporës tonë janë njëkohësisht edhe shtetas të huaj", tha ai. Ndërkaq, Sheremeti foli edhe sa i përket shfrytëzimit të këtyre remitancave, duke thënë se ekzistojnë disa programe, nëpërmjet të cilave që nga viti i ardhshëm këto të ardhura do të kanalizohen në zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos në fushën e bujqësisë dhe në atë të teknologjisë informative”. 

Na duhet një strategji

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Rrustem Berisha (AAK), tha se pa ndihmën e shqiptarëve të diasporës ekonomia e Kosovës do të ishte shumë më e dobët. Ndaj, Berisha thotë se duke ditur ndihmën e madhe të diasporës, që është me qindra miliona euro për një vit, popullata jonë po arrin që ta tejkalojnë situatën duke mbijetuar. Por, Berisha tha se me aktivizimin e pasurive minerale të Kosovës dhe sidomos ‘Trepçën’, Kosovën pritet se do ta presin ditë më të mira. “Paraprakisht duhet që të kemi një strategji më të mirë zhvillimore jo si ajo e Tipit të Planit të Banskos në Bullgari që ishte hartuar për vetëm për tri ditë”. Sipas Berishës, së pari duhet zhvilluar prodhimin vendor, pasi që raporti në mes të eksportit dhe të importit është 9 me 1 në të mirë të importit. 

Ndërsa deputeti tjetër nga opozita, Haxhi Shala (Nisma për Kosovën), tha se është një konstatim thuaja që dihet botërisht se pa ardhurat e mërgimtarëve tanë qytetarët tanë do të ishin në një gjendje të mjerueshme dhe bizneset do të kolapsonin, kurse ekonomia e vendit do të ishte fatale. Remitencat janë me rëndësi sidomos tash në kohën kur janë ulur investimet për 97 milionë euro këtë vit, ka pak shpresë për qytetarët që ekonomia do të ketë këndellje", u shpreh ai. Drejtori i Institutit "Strass", analisti Ibrahim Rexhepi, tha për "Kosova Sot" se pa dyshim diaspora është burimi kryesor i financimit të buxhetit të familjeve në Kosovë dhe pa ndihmën e tyre, shkalla e varfërisë do të ishte shume më e lartë. Ndërsa ishministri dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Besim Beqaj (PDK), tha se diaspora dhe dërgesat e saja janë shumë e rëndësishme, që fillimisht janë përdorur për rregullim të banimeve, por më vonë tashmë ka filluar trendi i investimeve nëpër sektorët e ndryshëm që janë investime të vogla dhe pa remitancat kjo nuk do të arrihej në asnjë mënyrë.

(Kosova Sot)