Duterte kërkon ndarjen nga SHBA-ja

  • 21 October 2016 - 13:50
Duterte kërkon ndarjen nga SHBA-ja

Presidenti filipinas, Rodrigo Duterte deklaroi se dëshiron të ndahet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vlerësoi Kinën, në një fjalim në një forum biznesi në Pekin.

Duterte tha dje në mbrëmje vonë për audiencën në Sallën e Madhe të Popullit, pranë sheshit ”Tienanmen”, se kërkon ndarjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si në aspektin ushtarak edhe në atë ekonomik.

“Amerika ka humbur mendjen”, u citua sot Duterte në një transkript të fjalës së tij nga ana e Zyrës së Shtypit të presidencës filipinase.

“Dua të them, unë e rreshtoj veten në linjën tuaj ideologjike dhe ndoshta edhe unë do të shkoj në Rusi për të biseduar me Putinin dhe më pas ju do t’i thoni botës se këta të tre, Kina, Filipinet dhe Rusia janë kundër saj”, deklaroi Duterte.

“Amerikanët që takova në Manila ishin shumë të fortë dhe të pasjellshëm, ndryshe nga Kina që ka një karakter prej orientali”, u tha Duterte të pranishmëve në Forumin e Tregtisë dhe Investimit Filipinë-Kinë.

“Nuk i dilet duke fyer njerëzit, duke këmbëngulur në politikat që duhen ndjekur dhe duke u përpjekur të kontrollosh paratë e botës me anë të FMN-së dhe Bankës Botërore”, u shpreh Duterte.

Dy palët ranë dakord gjithashtu për të rifilluar bisedimet e drejtpërdrejta mbi mosmarrëveshjet për Detin e Kinës Jugore, pas viteve të përshkallëzimi të tensioneve mes dy vendeve.

(Kosova Sot)