Ligji i mbetjeve, Meta kërkon ekspertizë të BE-së

  • 21 October 2016 - 14:43
Ligji i mbetjeve, Meta kërkon ekspertizë të BE-së

Ligji i mbetjeve në Shqipëri dhe zbatimi i reformës së arsimit të lartë kanë qënë në fokus të fjalimit të kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të partisë.

Lidhur me debatin e gjërë për mbetjet, kreu i LSI-së propozon një ekspertizë të thelluar të BE-së.

“Mbetjet, debat i kuptueshëm dhe pozitiv. Qëllimi ynë nuk ka qënë për zgjidhje oportuniste, por zgjidhje parimore që garantojnë interesin e gjëre të publikut dhe kjo ka qënë arsyeja që ne kemi insistuar për dialog të ngushtë me shoqërinë civile. Jemi në një situatë ku kemi një intepretim të ndryshëm të direktivave të BE-së. Të pranojmë një ekspertizë të thelluar të BE në këtë drejtim, sepse miratimi i ligjeve në mënyrë konfliktuale dhe kur konflikti është i stisur për një çështje sensitive dhe shoqërimi gjithmonë i zbatimit me një dyshim të përhershëm nuk është pozitive”, tha Meta.

Për kreun e LSI-së, problemet që janë hasur në zbatimin e reformës së arsimit të lartë vijnë si rezultat i moskoordinimit në kohën e duhur të qeverisë, ministrisë, universiteteve, raporton tch.

Meta kërkoi një përmirësim të klimës së biznesit duke propozuar një rishikim të ngarkesave fiskale për investimet e huaja, për të nxitur investime cilësore dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Ndërsa lidhur me zgjedhjet e ardhshme, kreu i LSI tha se detyrë e politikës është të sjellë standard maksimal të zgjedhjeve.

(Kosova Sot)