Harrohen njohjet, Hoxhaj trash luksin

  • 21 October 2016 - 07:48
Harrohen njohjet, Hoxhaj trash luksin

Kreu i MPJ-së nuk po i zbret aeroplanit, por udhëtimet e tij më tepër janë shëtitje turistike, sepse asnjë njohje, asnjë sukses nuk po shënohet në politikën e jashtme të Republikës

Tanimë  ka kohë që ballinave të  medieve të Kosovës po u mungojnë lajmet në pritje të njohjeve të reja, qoftë të paralajmëruara nga shtetet e ndryshme apo edhe të shpallura dhe të konfirmuara,shkruan gazeta Kosova Sot. Ky vendnumërim në diplomacinë kosovare po vjen pikërisht në kohën kur MPJ  po vazhdon të drejtohet edhe në një mandat të dytë nga PDK-ja, tani me rikthimin në ulësen e mëparshme të ish-ministrit Enver Hoxhaj, që nuk u dëshmua as në mandatin e parë të Qeverisë “Thaçi 2”. Deputetë të subjekteve të ndryshme politike dhe analistët konsiderojnë se me këtë koalicion të madh, që nuk ka projekt konkret nacional në fushën diplomatike, Kosova po futet në krizë të thellë  të njohjeve nga shtetet të reja  anëtare të OKB-së, derisa ministri i Punëve të Jashtme po i shfrytëzon vizitat e shpeshta jashtë vendit si lloj ekskursioni, por pa arritur rezultate konkrete. Mijëra euro i kushtojnë buxhetit turnetë e tij të padobishme, prej të cilave asnjë rezultat nuk vjen, asnjë njohje apo anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë. Ministria e Jashtme e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen tonë lidhur me këtë proces të ngecjes në njohjet e reja. Sekretari organizativ i AAK-së, deputet në Kuvendin e Kosovës, Ali Berisha thotë se vazhdimi i  dështimit të politikës së jashtme të Kosovës edhe në këtë mandat është pasqyra më e mirë e dështimit të Qeverisë edhe në planin e politikës së brendshme,  sepse nga këto zhvillime   fitohet edhe pasqyra e jashtme e dukjes së shtetit të Kosovës.

Dështimet e brendshme minojnë politikën e jashtme

Sipas Berishës, në aspektin e politikës së jashtme kemi të njëjtin dështim, sikurse në të gjitha lëmenjtë e tjerë të zhvillimit të vendit, në të cilët Qeveria e Kosovës ka stagnime të mëdha. “Kjo do të thotë se derisa të gjitha dikasteret në përgjegjësitë e tyre të qeverisjes së vendit kanë stagnim,  sidomos në proceset zhvillimore, ato janë  indikacionet kryesore që ndikojnë edhe në politikën e jashtme. Varësisht nga të arriturat e shtetit në planin e brendshëm zhvillimor të Kosovës  fitohen edhe avantazhet në planin  diplomatik ndërkombëtar”, theksoi ai. “Kosova në këtë periudhë kohore të këtij koalicioni po stagnon shumë  në politikën e brendshme,  por që, për fat të keq, po reflekton fuqishëm në aspektin negativ edhe në politikën e jashtme me çka po shihet që edhe procesi i njohjeve është në stagnim e sipër, për të mos thënë krejtësisht i bllokuar, edhe pse po ka shumë vizita dhe takime,  në aspektin e zhvillimit të politikës së jashtme nuk ka aspak avancime të duhura”, tha Ali Berisha për “Kosova Sot”. Analisti politik, Albinot Maloku  thotë se drejtues të politikës së jashtme të Kosovës, në vend se të merren me agjendën e shtetit të Kosovës, kanë filluar të bëhen aq të mençur sa të merren me komente,  thashetheme edhe për kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili e la pa tekst kryeministrin serb në mes të Beogradit. “Diplomacia e Kosovës prej kohësh nuk është se ka azhuruar agjendën e saj në drejtim të lëvizjes me njohjet për shtetin e Kosovës. Jam i habitur sesi po gjen kohë e hapësirë ministri Enver Hoxhaj për të komentuar veprimet e të tjerëve, siç ishte rasti me gjoja reagimin e tij ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ministria e Jashtme e Kosovës po vepron si e relaksuar, fatkeqësisht. As edhe një lëvizje në drejtim të kapjes së momentit për ta shtyrë agjendën e njohjeve. Vizitat e deritanishme të ministrit Hoxhaj nuk ishin aspak produktive”, tha Albinot Maloku për “Kosova Sot”.

 E kaluara e njollosur e ministrit

Të papërshtatshëm dhe të paqëlluar për të avancuar proceset diplomatike dhe fuqizimin e njohjeve të reja për Kosovën e sheh  ministrin Hoxhaj në krye të MPJ-së edhe politologu Arsim Haziri. Ai madje kujton të kaluarën jo të mirë të Hoxhajt edhe në  drejtimin e Ministrisë së Arsimit me plot afera që  në një shtet ligjor do të duhej të ndiqeshin penalisht, e lëre më të  shpërblehet me drejtimin e MPJ-së. “Arsyeja pse z.Hoxhaj vazhdon të ushtrojë dhe të përfaqësojë lirshëm dikastere qeveritare është pikërisht mosmiratimi i ligjit për dekriminalizim dhe pamundësisë së qëllimtë për të mos pasur drejtësi kredibile dhe të pavarur. 

 Në këtë frymë si çdo ministër, a deputet në Kuvend, ashtu edhe Hoxhaj vazhdon të udhëheqë rehatshëm Ministrinë e Jashtme, pavarë- sisht shkeljeve e padrejtësive të dikurshme sa kishte qenë ministër i Arsimit", tha politologu Haziri. Ai ka rikujtuar edhe deklarimin e zyrtarit të EULEX-it se si Hoxhaj dikur kishte shkaktuar padrejtësi,përkatësisht duke manipuluar në çështje pronësore, dhe si i tillë duhet jetë objekt i sistemit të drejtësisë, që është diçka e drejtë edhe tejet e arsyeshme, natyrshëm mbështetur më prova materiale. "Por, kjo gjë vështirë të realizohet në praktikë, pasi subjekti politik në të cilin ai gjendet përbën masën më të gjerë të ndikimit në dikastere të ndryshme. Pra, çështja amnistohet kur e kemi këtë binom të egër politik që njëherësh përdorimin e kulturën zhvatëse dhe manipuluese, e kanë synim e objektiv politik", theksoi Haziri. 

(Kosova Sot)