Edhe udhëheqësit komunalë bllokojnë investimet e huaja

  • 21 October 2016 - 07:56
Edhe udhëheqësit komunalë bllokojnë investimet e huaja

Dukuria e bllokimit të investimeve të huaja nëpër komuna tona, sipas analistëve, opozitës dhe shoqërisë civile, është vijimësi e korrupsionit të pushtetarëve të nivelit qendror,shkruan gazeta Kosova Sot. Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Pal Lekaj (AAK), i cili ka qenë kryetari i Komunës së Gjakovë dhe ka pasur përvoja në kontakte me investitorët e huaj, pohon se trajtimi i investitorëve të huaj nga ana e pushtetit lokal e qendror tek ne është larg trajtimit, që atyre u bëhet në shtetet e regjionit, sepse tek ne fund e krye mbizotëron interesi individual, klanor dhe ai politik. “Në këtë drejtim do të jetë kësisoj, përderisa nuk depolitizohet procesi i investitorëve të huaj dhe derisa në plan të parë të jetë interesi partiak, shtetëror i individëve e klaneve të caktuara, andaj derisa të jetë kësisoj, investitorët e huaj do të sorollaten nga zyra në zyrë dhe po u vazhdua kam frikën se nuk do të ketë investitorë”, potencoi ai. Bankieri Milazim Abazi thotë për “Kosova Sot” se fajet për mosardhjen e investitorëve të huaj dhe ikjen e këtyre ekzistues nuk i kanë komunat, por institucionet qendrore të Republikës së Kosovës. “Me qëllim të përmirësimit të kësaj situate, unë mendoj se duhet të bëhen reforma të shpejta, në mënyrë që pushteti lokal të fitojë kompetenca dhe në këtë mënyrë komunat do të bënin gara se cila prej tyre po thith më shumë investime të huaja. Kështu, siç është situata, komunat nuk mund të bëjnë asgjë”, u shpreh ai.

Pa lidhje dhe ryshfet, nuk ka tender

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Nehat Maxhuni, tha për “Kosova Sot” se dukuria e bllokimit të investimeve të huaja nëpër komuna është evidente, sepse kjo dukuri është kopjuar në detaje nga niveli qendror. “Fundja këta pushtetarë nëpër komuna janë derivat i pushtetarëve të nivelit qendror, që e udhëheqin këtë shtet”. Maxhuni tha se si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal, këto investime bllokohen ose kushtëzohen nga ana e pushtetarëve, duke kërkuar mitë apo përqindje të caktuara. “Fillimisht për nevoja partiake dhe pastaj ato përfundojnë në xhepa privatë e pak edhe për parti”, theksoi ai. Sipas Maxhunit, në Kosovë mund të marrë tender ose të investojë në Kosovë vetëm ai biznes që për pronar ka një pushtetar, qoftë edhe ai të jetë pronar pa letra, ose që ai biznes fillimisht të ndaj pjesën e përqindjes, të cilën shumë në shumicën e rasteve duhet paguar me momentin e shpalljes së tenderit ose shpalljes së fituesit për atë mundësi investimi. “Këto biznese, të cilat për pronar ose bashkë pronar kanë ndonjë pushtetar kalojnë shumë mirë në krahasim me bizneset, të cilat duhet të paguajnë përqindje për ta marrë ndonjë tender ose leje për të investuar në Kosovë, 90 për qind të këtyre bizneseve, të cilat paguajnë përqindjen e tyre pothuajse kanë falimentuar ose janë në prag të falimentimit, pasi që atë pjesën e fitimit, për të cilën kanë llogaritur po ju a marrin pushtetarët tonë”, theksoi ai. “Ato biznese, të cilat nuk i plotësojnë këto dy kritere të lartpërmendura, në asnjë mënyrë nuk kanë mundësi që të punojnë, sepse edhe nëse i plotësojnë të gjitha kushtet e tjera, ata diskualifikohen pa të drejtë. Pas ankimimeve anulohet tenderi në tërësi, sepse duhet ta marrë punën biznesi, që i plotëson 2 kushtet e lartpërmendura ose nuk do të ketë fare tender”, u shpreh Maxhuni.

 Investimet e huaja ranë ndjeshëm sivjet

Eksperti i ekonomisë, Ardi Nokaj, tha për “Kosova Sot” se sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, investimet e huaja direkte sivjet në periudhën janar-qershor arrijnë vlerën e 97.5 milionë eurove, ndërsa gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2015 vlera e IHD-ve ishte 163 milionë euro. 

Ai tha se ka një potencial të rënies drastike të investitorëve në 18 muajt e ardhshëm, duke pasur parasysh se në Komunat e Kosovës, në radhë të parë kërkohet 10-përqindëshi i fitimit të një investitori edhe akoma pa filluar punën. "Nga ana tjetër, nëse do të doje të kesh një investitor dhe të kesh mundësi të kyçesh në treg, patjetër që duhet të jesh i varur nga partitë politike që ndodhen në pushtet. Sepse, Kosova duhet me doemos të ndryshojë politikat e saj karshi investitorëve të huaj dhe të shikojë mundësinë e sigurisë më të madhe për investitorin", theksoi ai. Ndërsa, përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku ('Konsumatori'), tha se edhe komunat qytetarin konsumator taksapagues e mbajnë tepër larg informimit, arsimimit, edukimit, vetëdijesimit, komunikimit. 'Talli ' si kusht i investimeve vendore e të jashtme është bërë tanimë barsoletë ditore. Përqindjet e obligueshme për lejet investive përmenden me lehtësi aq të madhe, saqë, shikuar nga niveli i kulturës, moralit, etikës, qytetërimi i degraduar - do të jesh budalla, naiv, axhami, qesharak, nëse nuk kërkon tall, hise, përqindje", u shpreh ai.

 

(Kosova Sot)