AAK-ja akuzon kryetarin e Pejës për keqmenaxhim

  • 21 October 2016 - 18:01
AAK-ja akuzon kryetarin e Pejës për keqmenaxhim

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dega në Pejë, e ka akuzuar kryetarin e komunës Gazmend Muhaxherin për keqpërdorim me postin e tij.

Ky subjekt, ka deklaruar se kryetari Muhaxheri e ka larguar nga shërbimi ndërmarrjen publike të pastrimit “Ambienti”, dhe në vend të saj ka kontraktuar një ndërmarrje private.

“Kësaj radhe kryetari goditi shumë rendë Ndërmarrjen Publike ”Ambienti”. Siç dihet, kjo Ndërmarrje, qe nga ekzistimi i saj, në mesin e punëve të tjera ka bërë fshirjen, larjen e rrugëve si dhe mirëmbajtjen e parqeve e hapësirave të gjelbra. Që të jemi korrekt ndaj tyre, duhet të potencojmë se kanë qenë shembull për të mirë. Edhe pse Komuna e ka në përgjegjësi këtë ndërmarrje, Kryetari i Komunës në vend së t’i ofrojë më shumë përkrahje dhe t’i sigurojë edhe punë të tjera, për të cilat ka mundësi, ai para një jave e goditi rendë duke ia marrë punët për mirëmbajtjen e parqeve si dhe fshirjen dhe larjen e rrugëve, punë këto të cilat përmes tenderit ia dha një Ndërmarrje Private”, kanë deklaruar zyrtarë të kësaj partie në Pejë.

Sipas tyre, nga largimi i punës së kësaj kompanie, rrezikohet që 40 të punësuar të mbeten pa të ardhura.

Po ashtu, është thënë se kryetari i komunës po futet në borxhe për t’i përmbushur premtimet elektorale.

 

(Kosova Sot)