Donald Trump ia hap vetes një gropë më të thellë

  • 21 October 2016 - 19:05
Donald Trump ia hap vetes një gropë më të thellë

Pritet të ballafaqohemi me një konfrontim historik në ditët pas zgjedhjeve.

Në një moment, madje, Trump-i ka shpërthyer duke e quajtur Clinton-in një "grua e ndyrë",raporton Gazeta Kosova Sot

Donald Trump e ka përdorur debatin e tretë dhe të fundit presidencial për ta futur veten në një vrimë edhe më të thellë, që sa shkon e i rritë kërcënimet për pritshmëritë e tij presidenciale. Gjatë 90 minutave të debatit, Trumpi ka bërë disa goditje të hershme ndaj kundërshtares së tij nga radhët e Partisë Demokratike, Hillary Clinton. Megjithatë, ka qenë një moment i debatit që do ta përcjellë kandidatin republikan për president dhe t'i definojë ditët e fundit të kampanjës së tij presidenciale. "Do të shoh kur të vijë koha", ka thënë Trump-i kur është pyetur nëse do t'i pranonte rezultatet e zgjedhjeve, nëse ai humbet më 8 nëntor. "Do t'ju mbaj në ankth". Për ta theksuar natyrën e jashtëzakonshme të deklaratës së Trump-it, Clinton është përgjigjur duke thënë: "Kjo është tmerruese". Komentet - bashkë me goditjen ndaj Clinton-it kur i ka thënë "grua e ndyrë" dhe komentet për "burrat e këqij" - do ta dominojnë sferën e bisedave politike në ditët e mbetura të garës. Ndonëse Clinton ka një përparësi të ndjeshme në sondazhe, gjasat janë të mëdha që, pas refuzimit të Trump-it për ta pranuar rezultatin e zgjedhjeve, të ballafaqohemi me një konfrontim historik në ditët pas zgjedhjeve. Republikanët e irrituar nuk kanë zgjedhje tjetër pos që përsëri të deklarojnë që nuk e mbështesin kandidatin e tyre. Senatorët republikanë do ta kenë të vështirë të ballafaqohen me votuesit muajin e ardhshëm, pasi ata të cilët ende nuk e kanë shprehur mosmbështetjen e tyre për të nominuarin e partisë, do të ballafaqohen me një presion të madh për ta bërë një gjë të tillë. 

Problemet e Trump-it Problemet e Trump-it ka kohë që kanë filluar. Ai e ka pasur të pamundur që të lëvizë nga diskutimi ër mënyrën se si i trajton femrat, përfshirë këtu një sërë akuzimesh për sulme seksuale - pretendime, të cilat ai i mohon. Trump-i tani është prapa Clinton-it në sondazhe dhe po ballafaqohet me një shteg drejt Shtëpisë së Bardhë, që sa shkon e ngushtohet. Këto pretendime e kanë zemëruar keq Trump-in, i cili ka hedhur akuza në të gjitha anët: ndaj akuzuesve të tij, medieve, lidershipit të Partisë Republikane dhe, së fundmi, sistemit politik. Ai tani po paralajmëron - pa asnjë provë - që zgjedhjet janë të "manipuluara" në favor të Clinton-it. Kur është ballafaquar me pyetjet që kanë të bëjnë me faktin që shumë femra kanë folur dhe kanë thënë që Trump-i i ka prekur në mënyrë të papërshtatshme, ai, i irrituar, ka thënë që beson se këto femra janë pjesë e skemave të Clinton-it. "Këto rrëfime janë dëshmuar të pavërteta", ka thënë Trump, përkundër faktit që fjalët e shumë femrave janë vërtetuar nga shumë njerëz tjerë. "Kanë qenë gënjeshtra". Clinton e ka shfrytëzuar rastin për t'ua kujtuar shikuesve që Trump-i ka ofenduar në baza të dukjes fizike akuzueset e tij. "Ai ka thënë që nuk ka mundësi që ai t'u ketë bërë diçka atyre femrave, pasi nuk janë mjaftueshëm tërheqëse sa për t'u sulmuar seksualisht", ka thënë ajo. Këto diskutime kanë ardhur pas pjesës hapëse të debatit, që ka qenë e ngarkuar me diskutime politike. Trump-it nuk i është dashur shumë kohë për ta humbur vetëpërmbajtjen dhe ka filluar ta ndërpres Clinton-in vazhdimisht dhe i ka rrotulluar sytë teksa ajo fliste. Në një moment, madje, Trump-i ka shpërthyer duke e quajtur Clinton-in një "grua e ndyrë". Këto komente janë bërë edhe më të rënda për faktin që kanë ardhur në kohën kur kandidatët po diskutonin për një çështje që është dashur të kalojë relativisht qetë: të drejtat.

Edhe një mundësi e humbur Pra, debati ka qenë edhe një mundësi e humbur për Trump-in për ta trajtuar mangësinë e tij më të madhe - perceptimin e gjerë që ai ka mungesë të madhe të temperamentit për të qenë president. Kjo gjë mund të del të jetë fatale për të. Trump-i, deri më 8 nëntor, nuk do të ketë mundësi tjetër për të komunikuar me një numër kaq të madh të votuesve, të cilët i kanë shikuar debatet. Edhe para performances së tmerrshme të Trump-it në debatin e të mërkurës, ka pasur shumë shenja që kampanja e tij kishte filluar të pësonte dëme të mëdha. Clinton tani udhëheqë ndaj rivalit të saj nga Partia Republikane me tetë pikë dallim në sondazhin e 'CNN'-it, në të cilin kanë marrë pjesë shtetasit, të cilët, me shumë gjasë do të votojnë. Edhe imazhi publik i Trump-it ka pësuar një rënie drastike si pasojë e skandaleve të fundit: Një sondazh i 'Bloomberg'-ut që është lansuar në ditën e debatit ka treguar që shkalla e papëlqyeshmërisë për Trump-in ka mbërritur në 62 për qind nga 56 për qind sa ka qenë një muaj më parë ndërsa ajo e Clinton-it ka rënë në 52 për qind, nga 56 sa ka qenë në shtator. Shtegu i Trump-it drejt sigurimit të 270 votave elektorale po duket edhe më i vështirë pasi që shtetet e rëndësishme, që tradicionalisht kanë ndërruar partitë e favorizuara, Florida dhe Nevada, tani janë në favor të Clinton-it, ndërsa bastionet tradicionale të republikanëve, si puna e Arizonës, tani janë në lojë për Clinton-in. 

(Kosova Sot)