Martin Schulz: Putinit duhet t’i jepet mesazh i qartë

  • 21 October 2016 - 20:22
Martin Schulz: Putinit duhet t’i jepet mesazh i qartë

Presidenti i Parlamentit Evropian socialdemokrati Martin Schulz pret nga BE-ja që t’i kundërvihet kursit rus në Siri. “Putinit duhet t’i jepet një mesazh i qartë”, thotë ai në intervistë për DW.

• Çfarë prisni nga samiti i BE-së lidhur me Rusinë?

Ajo që bën Rusia është krejtësisht e papranueshme. Pas qendrimeve agresive të Rusisë qendron një koncept i shoqërisë, një pozicionim ndaj botës, që nuk ka të bëjë me filozofinë tonë evropiane të bazuar tek respekti reciprok dhe të qenit i hapur.

Ndaj mesazhi i evropianëve ndaj zotit Putin duhet të jetë: ne nuk jemi dakord me ju! Ne duhet të jemi të fortë në strategjinë tonë kundër, por megjithatë porta mbetet e hapur, nëse ju doni të khtheheni në tryezën e bisedimeve.

• A ju shqetëson fakti që Bashkimi Evropian nuk ka influencë ndaj asaj që ndodh në konfliktin e Sirisë?

Bashkimi Evropian ve në dispozicion shumicën e ndihmës humanitare për Sirinë. Problemi ynë është, që ne megjithatë nuk mund t’u japim njerëzve atje ndihmën, për të cilën ata kanë nevojë.

• Keni parasysh armët?

Unë nuk jam dakord me atë, që Bashkimi Evropian nuk ka influencë fare. E nëse bëni fjalë për armët, mund t’ju them, se çfarë i duhet Sirisë nuk janë më armët. Përkundrazi: më pak armë, më pak konfrontim ushtarak. Në këtë drejtim mund të ndërmjetësojë Bashkimi Evropian. E këtë ne e bëjmë gjithsesi. Federica Mogherini, e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme dhe ministrat e jashtëm evropianë si Frank-Walter Steinmeier veprojnë fuqishëm në këtë drejtim.

• Por, megjithatë duket që Rusia i përdor pushtetin dhe fuqinë e saj jo sipas rregullave të njëjta si BE-ja?

Pikërisht për këtë arsye kancelarja Merkel, qeveria federale dhe presidenti francez Hollande e ftuan Putinin në Berlin. Unë shpresoj, që bisedimet do të kontribuojnë për përmirësimin e situatës.

Martin Schulz është që nga vitit 2012 president i Parlamentit Evropian. Politikani socialdemokrat ka qenë kryetar i grupit parlamentar të socialistëve dhe që prej 22 vjetësh është deputet në Strazburg.

(Kosova Sot)