Oligarkët stërpasurohen, populli varfërohet

  • 22 October 2016 - 07:54
Oligarkët stërpasurohen, populli varfërohet

Analistët e ekonomisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe deputetë të opozitës, kanë akuzuar klasën politike se e kanë zhytur popullatën në varfëri, duke u pasuruar për vete, duke mbajtur nën kontroll disa biznese që ushqejnë oligarkët, por gjithnjë duke varfëruar popullatën dhe duke mos lënë perspektivë për bizneset që nuk janë të lidhura me pushtetin,shkruan gazeta Kosova Sot.
Ata thonë se bizneset që nuk janë të lidhura me pushtetin sillen në rreth vicioz dhe e kanë pothuajse të pamundur që të përparojnë dhe të zhvillohen për shkak të pengesave që u bëhen qoftë në nivelet komunale apo ato qendrore. Sipas tyre, pa marrë parasysh se cila parti qeveris, qoftë nëpër komuna apo në Qeverinë qendrore, i bllokojnë bizneset që nuk janë të lidhura me to,gjegjësisht ndihmojnë vetëm bizneset që i financojnë partitë të cilat udhëheqin, qoftë në Komunë apo në Qeverinë qendrore.

Humbja e perspektivës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), tha për "Kosova Sot" se regjimi aktual e ka zhytur popullatën në një varfëri ekstreme, por edhe ua ka humbur perspektivën për të ardhmen si pasojë e mosfunksionimit të sistemit e të ligjit, sepse i tërë sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur në bashkëpunim me monopolet që i ka krijuar vetë dhe të njëjta i ushqen dhe që janë në funksion të këtij regjimi. Veç saj, opozitari Hoti tha se të gjitha ato biznese që nuk janë të lidhura me regjimin, qoftë në nivelin lokal apo atë qendror, po shkojnë duke u mbyllur. Përfaqësuesi i OJQ-së "Konsumatori", Selatin Kaçaniku, tha për "Kosova Sot", lidhur me gjendjen që e kemi, se ka shumë faktorë ku duhet shikuar proceset e privatizimit të stërmbushura me skandale, ngase mbetën pa punë rreth 80.000 konsumatorë punëtorë me 400.000 anëtarë familjesh, ku fabrikat u falën, makinat u hodhën skrap, sallat e tyre u shndërruan në depo e markete, e ndihmat sociale shteti i ambalazhoi me emrin "pensione". Kaçaniku thotë se "privatizimi" i institucioneve, i partive, i OJQ-ve, i mediumeve të informimit, i shëndetësisë, i arsimit, i sistemit të drejtësisë...edhe i ndërkombëtarëve janë dëshmi e mjaftueshme se kjo klasë (kastë) politike është pasuruar duke e varfëruar dhe duke e mashtruar popullatën, qytetarin konsumator, me ofertën e perspektivës së varfërisë". 

Dominon klientelizmi

 Dominon klientelizmi Eksperti i ekonomisë, Ismajl Kastrati, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha për "Kosova Sot" se klientelizmi nuk është i lidhur vetëm për "donatorët" në fushata zgjedhore, për anëtarë partish, familjesh, por edhe në qarqe të errëta kriminele. "Klientelizmi e frenon konkurrencën e lirë, për rrjedhojë edhe barazinë në treg, përfitim të tenderëve dhe stimulon evazionin fiskal". Andaj, sipas Kastratit, bllokimi i bizneseve që nuk i përkasin një partie në pushtet, ose që nuk e kanë sponsoruar partinë përkatëse gjatë fushatave zgjedhore, i vë bizneset në pozita të pabarabarta, andaj ato vijnë në situatë të mbijetesës, apo edhe të falimentimit. Analisti Riza Smaka tha se nga shkaku se pushtetarët në përgjithësi, e në veçanti Qeveria aktuale janë të mbërthyer me korrupsion nuk mund të priten hapa në kundërshtim të spekulimeve në treg, e veçanërisht referuar monopolit dhe dumpingut në tregun tonë. Smaka thotë se ndër format e tjera abuzive në treg monopoli dhe dumpingu e shkatërrojnë ekonominë e tregut dhe e dëmtojnë rëndë ekonominë e shtetit, e mbi të gjitha konsumatorin e nëpërkëmbur. "Edhe pse ekzistojnë Ligji Antimonopol, Ligji Antidumping, e akte të ligjore për mbrojtjen e tregut, të njëjtat, nuk përfillen, nëpërkëmben, shkelen, sikundër të mos ekzistonin dot", u shpreh ai."Në anën tjetër, në proceset dhe procedurat e privatizimit të aseteve të pronësisë shoqërore, lexo e kupto të pasurisë së popullit e të shtetit tonë, janë aplikuar monopolizime, abuzime, spekulime me së të ndryshme në favorin e matrapazëve qeveritarë e pushtetarë dhe së andejmi i janë shkaktuar dëmtime serioze bazës ekonomike e para së gjithash ishpunëtorëve të entiteteve biznesore, realisht të përvetësuara e kinse të "privatizuara", theksoi Smaka. Sipas tij, të privilegjuarit qeveritarë kanë operuar dhe veprojnë në koordinim korruptiv me eksponentët pushtetarë e qeveritarë, gjithnjë në vazhdë të ndarjes së dividendave ilegale dhe për pasojat tona ashtu është krijuar dhe vijon të trashet një kastë politike e stërpasur ilegalisht në disfavorin e interesave vitale të ekonomisë së vendit.

(Kosova Sot)