Punëtorët e kanabisit të përlotur në gjyq: Jetimi që mban familjen...dhe një baba që sakrifikon për djalin invalid

  • 22 October 2016 - 10:41
Punëtorët e kanabisit të përlotur në gjyq: Jetimi që mban familjen...dhe një baba që sakrifikon për djalin invalid

Pesë prej 11 të arrestuarve me drogë në fshatin Derven të Krujës ishin dje në Gjykatë në seancën e mbajtur ndaj tyre për të caktuar masat e sigurimit personal.

Të mërkurën policia sekuestroi në operacionin antidrogë në Derven të Krujës 1.3 tonë kanabis sativa në kapanonin që gjendej 100 metra larg rrugës nacionale.

Të pandehurit, të cilët ishin punëtorë në kapanonin e përpunimit dhe tharjes së kanabisit, thanë para gjyqtarit të gatshëm Sandër Simoni, se ishin detyruar të pranonin punësimin për shkak të kushteve të vështira financiare të familjeve të tyre.

Ata rrëfyen si ishin “rekrutuar” në kapanonin e drogës, procesin e punës që bënin dhe sa paguheshin. Me gjithë pretendimet e paraqitura prej të arrestuarve dhe kërkesat e avokatëve të tyre për masa të buta, Gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për të dyshuarit Besmir Vathi, Ali Kuçi, Ferit Sula dhe Erjon Vathi. I vetmi që i shpëtoi burgut ishte i mituri 16-vjeçar, Ersaldo N. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata vendosi për të masën “detyrim për paraqitje”.

Sipas Prokurorisë, ata akuzohen për “kultivim të lëndëve narkotike”, “mbajtje të lëndëve narkotike”, “mbajtje pa leje të armëve dhe municionit” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

PRETENDIMET

Katër prej të arrestuarve të pranishëm te Krimet e Rënda paraqitën problemet ekonomike si motiv të punësimit të tyre në kapanonin e kanabisit. Portreti i tyre dhe mënyra e të veshurit shprehte të njëjtën gjë. Disa prej të arrestuarve pranuan të japin shpjegime për kryesuesin e seancës, gjyqtarin Simoni.

I dyshuari Besmir Vathi, 18 vjeç, duhej të ishte në bankat e shkollës, por kishte zgjedhur të punonte në pastrimin e boçeve të drogës, për t’i ardhur në ndihmë familjes së tij.

“Jam jetim dhe më duhet të punoja disa ditë, për të ndihmuar familjen. Më thanë që do të merrja nga 10-15 mijë lekë të vjetra në ditë. Punova më pak se dy javë”, tha 18- vjeçari Vathi.

Në të njëjtën mënyrë u mbrojt para gjykatës edhe i mituri Ersaldo N., 16 vjeç, seanca në ngarkim të të cilit u zhvillua me dyer të mbyllura.

Në një seancë tjetër, i dyshuari Ali Kuçi, tha se do të paguhej 15 mijë lekë në ditë, porse nuk kishte marrë asnjë pagesë. I riu 19-vjeçar nga Miloti u përlot në kafazin e sallës së gjyqit, teksa Gjykata ishte tërhequr në dhomën e këshillimit.

I arrestuari nga Burreli, Ferit Sulaj, pretendoi se i duheshin para për ilaçet e të birit invalid. Argumenti i vështirësive ekonomik dhe fakti se kishte gruan të papunë, u mbështet edhe nga mbrojtësi i tij, avokati Arben Peci.

I dyshuari Erjon Vathi, nga Derveni, nuk dha asnjë deklarim në sallën e gjyqit, duke u mjaftuar me kërkesën e avokates së tij për lirim nga qelia.

(Kosova Sot)