Skandali turpëron Ministrinë e Drejtësisë

  • 22 October 2016 - 07:35
Skandali turpëron Ministrinë e Drejtësisë

Mënyra e njoftimit të opinionit të mërkurën nga Ministria e Drejtësisë se si kjo ministri ka larguar përkohësisht nga puna 10 zyrtarë të SHKK-së, për shkak se ndaj tyre u ngrit aktakuzë nga Prokuroria Themelore, dhe më vonë doli që njoftimi, sipas të cilit ndaj ish-udhëheqësve të burgjeve ka aktakuzë, ishte i pavërtetë, ka nxitur reagime kritike si nga njohës të fushës së sundimit të ligjit, nga analistët politikë dhe opozita,shkruan gazeta Kosova Sot.
Këtë gabim skandaloz të kësaj ministrie e kanë cilësuar si pasojë e vazhdimit të traditës së mbrapshtë, kur në ministri zgjidhen ministra që nuk e kanë idenë për sektorin që e udhëheqin. Tani po del se edhe vetë ministrja e re është e papërgatitur për të udhëhequr një sektor kaq kompleks dhe njëkohësisht edhe këshilltarët që i marrin, ata që e rrethojnë edhe këtë aktualisht, janë njerëz politikë, që gjithashtu as nuk dinë së paku ta bëjnë dallimin se çka është fillimi i hetimeve e çka ngritja e aktakuzës. Njohësi i fushës së drejtësisë, Blerim Burjani, vlerëson se në këtë ministri pothuajse asnjëherë nuk janë zgjedhur drejtues adekuatë të profesionit, që njëkohësisht janë rrethuar edhe me servilë dhe njerëz të tjerë të dëgjueshëm të politikës, sikur është edhe vetë ministrja Dhurata Hoxha,

Performanca e dobët

Sipas Burjanit, së pari kjo ministre nuk ka eksperiencë për këtë fushë fare, ka ardhur me linjë politike dhe kuptohet edhe me direktiva apo udhëzime partiake se çfarë duhet bërë e çfarë nuk duhet bërë. "Kjo ministre asnjëherë nuk ka pasur ndonjë performancë edhe aq të dukshme, ishte e heshtur e pazë, shpeshherë kishte proklamuar se nuk ka kompetenca në atë apo në këtë, asnjëherë nuk i zgjidhi problemet me burgjet, ku brenda burgjeve tek te burgosurit është gjetur gjithçka. Në pavijonet e burgjeve prej celularëve edhe gjithçka tjetër që ka hyrë pa autorizim, pastaj moskujdesi adekuat ndaj Shërbimit Korrektues ndaj figurave të larta politike që janë mbajtur në paraburgim me muaj dhe vite, kanë dalë lirshëm kanë shëtitur dhe janë kthyer, apo u është siguruar qëndrim në spitale disa individëve, derisa ishin në paraburgim. Kjo ministre është sa për sy e faqe në këtë dikaster", tha Blerim Burjani. Ai ka pohuar se kjo ministri duhet të ketë një ministër, i cili e njeh jashtëzakonisht mirë sistemin e drejtësisë dhe drejtësinë ndërkombëtare dhe do të duhej luajtur koordinimin me Gjykatë Speciale, të jetë e aftë për t'u kujdesur për një proces të komplikuar, që do të fillojë së shpejti. Ardhja e kësaj ministreje dhe stafit që e rrethon atë, sipas Burjanit, janë një minus i madh për të ardhmen e ndërtimit të politikave qeverisëse në sistemin e drejtësisë kosovare. "Është për të ardhur keq që në krye të dikasterit nuk ka ardhur një njeri profesional, i cili përveç përvojës vendore ka edhe përvojën ndërkombëtare për të ofruar vizion për zhvillimin e drejtësisë, në kuadër të kompetencave që ka, për inicim dhe propozim të reformave serioze. Deri tani është bërë praktikë, që gjatë një kohe të gjatë ministrat e kësaj ministrie zakonisht kanë preferuar të mos duken ose të mos flasin për drejtësinë, duke thënë në vazhdimësi se ata s'kanë kurrfarë kompetenca as formale për të ndikuar në problemet e komplikuar të drejtësisë", theksoi Burjani

Sundimi mbi baza partiake 

Po aq shumë defekte dhe devijime, të ndikuara nga implikimi i politikës, sheh në këtë dikaster edhe prof. Muhamet Kelmendi. "Çështja e përcaktimit të kuadrit nëpër dikastere, duke filluar nga ministrat, këshilltarët, anëtarët dhe udhëheqësit e bordeve etj., ka marrë dimensione të mëdha të ndikimeve dhe varshmërisë ekstreme politike, prandaj puna e tyre po përcillet me dështime dhe skandale. Nuk ka dikaster që vendoset në bazë të konkursit, si mekanizëm i përcaktimit ligjor të kuadrove nëpër pozitat e tilla shtetërore. Pra, në këtë kuadër të tillë është edhe ministrja e tashme e drejtësisë. Aty kemi një person tipik të varur dhe kontrolluar prej politikës, e cila ka shkuar në një vend pune shumë të rëndësishëm për qëllim të vazhdimit të dezintegrimit dhe dezorganizimit të punës së këtij dikasteri shumë të rëndësishëm në hartimin e politikave për reformim dhe fuqizim të sistemit të drejtësisë", tha Kelmendi. Ai ka pohuar se arsyet e vendosjeve në pozita të tilla të ndjeshme të njerëzve të paaftë janë të shumëfishta, por gjithmonë janë në dëm të funksionimit efikas dhe normal të institucioneve. "Mendohet se kryesisht këto emërime vijnë nga interesi i sundimit mbi baza partiake dhe lokale e krahinore mbi shtetin dhe largimi i përgjegjësisë së subjekteve fizike, të cilët janë bartësit e çrregullimit në fushën e korrupsionit dhe të luftimit të krimit të organizuar mbi baza shtetërore. Vendosja e zonjës Hoxha si ministre e Drejtësisë, së bashku me ekipin e saj, ka për qëllim për të mos treguar se nuk janë shkaktarët e çrregullimit dhe të mosluftës kundër krimit dhe korrupsionit, kushtit kryesor të paraqitur nga UE për krim dhe për korrupsion. Kjo duhet të fshihet tani përmes saj, për të mos thënë që vjen nga ishudhëheqësit dhe shkaktarët e këtij krimi, por nga një person i paaftë dhe i cili bart përgjegjësi kryesore në fushën e dukurisë së tillë. Po kështu ka për qëllim, që në emër të saj dhe pa qenë vetë në ministri, të vazhdohet me punën e ndikimit në organet e luftimit të krimit, si në hetuesi, në prokurori dhe në gjykata", tha Kelmendi për "Kosova Sot"

Politika e mbrapshtë qeveritare

 Të dështuar e sheh këtë dikaster, me këso lloj sjelljesh, edhe analisti politik Ali Hertica. "Skandalet që ishin në të kaluarën vetëm sa po përsëriten edhe më tutje dhe do të vazhdojnë të jenë një emblemë shëmtuese për këtë ministri. Në dikasterin e Ministrisë së Drejtësisë është duke ndodhur diçka që nuk ngjan ndryshe vetëm në skenarin e zhvillimit të një TVshou. E them këtë, sepse edhe ky dikaster është dizajnuar me një ndërtim nga njerëzit, që nuk kanë haber për rendin dhe ligjin", tha analisti Hertica. Vazhdimin e kësaj historie të skandaleve, edhe opozita e sheh si pasojë të traditës së vazhdimit të qeverisjes së keqe dhe kapjes së shtetit nga oligarkia aktuale politike në pushtet, që ka për qëllim arritjen e përfitimeve për grupet kriminale dhe nuk ka interes për fuqizimin e rendit dhe ligjit. "Edhe ky lloj skandali është vazhdim i krijimit të politikës së mbrapshtë qeverisëse të kësaj Qeverie, e cila që nga fillimi është munduar që ta instrumentalizojë skajshmërisht nivelin e rendit dhe të ligjit në Kosovë, prandaj edhe po ka veprime të tilla irracionale në drejtim të sundimit të rendit dhe ligjit. Ata shumë më të interesuar janë që të përfitojnë nga sistemi i drejtësisë sesa që të kemi një sistem, i cili funksionon në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës dhe në interes të qytetarëve të Kosovës", tha nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi. Deputeti Zafir Berisha, Nga Nisma për Kosovën, ka pohuar se tani të gjithë e dinë që ministrja e re e Drejtësisë nuk është propozuar dhe mandatuar aty nga një subjekt politik serioz, por nga ata që janë të lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin, prandaj përveç pritjes së përsëritjes së skandaleve të tilla, mbase edhe më të thella , nuk mund të pritet diçka tjetër. "Ne e dimë që edhe kjo ministrja e re e Drejtësisë ka shkuar aty nga kapësit e shtetit, në këtë rast nga ata që e kanë kapur drejtësinë tash e sa vite", theksoi ai
 

(Kosova Sot)