Aktakuzat po ngrihen, "peshqit" po shpëtojnë

  • 22 October 2016 - 07:44
Aktakuzat po ngrihen,

Ani pse Prokuroria thuajse po tregohet pak më e gjallë dhe dinamike në raport me gjykatat, ngase ajo herë pas here po ngrit aktakuza të ndryshme, prapëseprapë, sipas analistëve dhe njohësve të kësaj fushe, Prokuroria, gjykatat, por edhe policia po duket se janë në të njëjtën ritëm të punës, duke ecur me hapa përafërsisht të njëjtë,shkruan gazeta Kosova Sot.
 Kjo ngase ne kemi pasur disa ngritje aktakuzash, por nuk kemi pasur në anën tjetër vendime të prera të gjykatave, sepse ato kalojnë nga njëra shkallë te tjetra, pa prodhuar kësisoj efekte të plota juridike, gjë që dëshmojnë se janë të kontrolluara politikisht. Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka vlerësuar se Prokuroria dhe gjykatat nuk i kanë si duhet të harmonizuara kompetencat e tyre, ngase sipas tij, në vendet ku vepron siç duhet drejtësia këto raporte janë të rregulluara me ligj dhe asnjëra palë nuk guxon të bëjë hop pa e qitur hapin, por as t'i zvarrisë e t'i neglizhojë lëndët me rëndësi të veçantë për t'u trajtuar si duhet. Por, se ka një shpërputhje të këtyre raporteve, Dibrani thotë se këtu s'ka dyshim, por, siç tha, duke i ditur ndërhyrjet e politikës në sferën e drejtësisë, këto devijime llogariten si ndërhyrje e drejtpërdrejtë e politikës, e cila e ka ngulfatur jetën publike në Kosovë, ku sipas tij, në këtë plan rolin prijetar për stabilizim do të duhej ta kishte drejtësia pa të cilën nuk do të nisen zgjidhjet e problemeve të grumbulluara për vite me radhë, të cilat tashmë kanë bërë efektin e tyre negativ, e për fat të keq i kanë stagnuar të gjitha proceset në vendin tonë pa të cilat nuk ka as zhvillim, por as përparim. 

Edhe ndërkombëtarët u kompromentuan

"Por, tashmë po shihet ndikimi i politikës nëpër gjykata dhe tek prokurorët, madje dyshohet se oligarkët politikë, nëpër xhepat e të cilëve qarkullojnë miliona euro, kanë arritur të korruptojnë e të shantazhojnë edhe zyrtar të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët janë të thirrur për të vënë rend e ligj në Kosovë", u shpreh Dibrani. "Andaj, në këtë ngatërrim kompetencash vendi ynë është duke paguar tagrin me pasoja kanceroze të këtyre veprimeve korruptive dhe të shantazhit, sepse përndryshe nuk do të duhej për t'u lejuar oligarkët politikë ta shesin dhe ta gllabërojnë tërë pasurinë e Kosovës, derisa në anën tjetër duket qartë se veprimi i gjykatave është i pafuqishëm karshi grupeve të interesit, të cilat jo me pahir i mbrojnë ato duke toleruar kësisoj që të shkatërrohet vendi, ndërsa zyrtarë të thirrur për drejtësi po heshtin", vijoi më tej ai. "Pastaj kemi një ngatërrim të kompetencave brenda vetë gjykatave dhe kompetencave në mes Gjykatës dhe Prokurorisë, gjë që ende mbeten në nivelin e spektakleve mediatike sa për të prodhuar imazhe mashtruese, por jo efekte pozitive dhe të domosdoshme për të cilat ka nevojë shoqëria jonë, prandaj edhe gjendja është e zymtë dhe alarmante, kurse në një plan tjetër duhet kritikuar elitën intelektuale në Kosovë se pse rri kaq indiferente ndaj shkatërrimit të sistemit administrativ dhe të drejtësisë pa të cilën as nuk mund të mendohet se do të ketë zhvillim pa le më përparim dhe shpresë se në këtë vend do të bëhet mirë", është shprehur Dibrani.

Puna shkel e shko e organeve të drejtësisë

Profesori universitar, Mazllum Baraliu ka nënvizuar se nuk është që vetëm gjykatat po i zvarrisin, pasi sipas tij, fatkeqësisht, është mjaft e pranishme dukuria që edhe vetë hetimet e bëra nga policia me autorizim të Prokurorisë apo nga prokuroritë e ndryshme, siç tha, bëhen me shpejtësi dhe jo sa duhet me argumente, prova e dëshmi të artikuluara e të konfirmuara, ngase me çdo kusht bëhen që policia ta bëjë punën e vet ashtu siç di, ndonjëherë jo sa duhet me argumente dhe fundament t'ia dërgojë Prokurorisë, ku kjo e fundit ia hedh gjykatave, të cilat ballafaqohen pastaj me vështirësi shpeshherë me aktakuza dhe material hetimor të ndjekjes të pakompletuar sa duhet dhe pastaj mund të ketë edhe zvarritje, siç ka me qindra mijëra lëndë. "Është evidente përvoja, gjegjësisht mënyra e veprimit që ta heqë përgjegjësinë kësisoj një organ nga vetvetja duke ia dërguar një institucioni tjetër dhe më pastaj shpeshherë të ndodhë që gjykatat pikërisht në mungesë të provave dhe dëshmive janë detyruar ose t'i hedhin poshtë aktakuzat, ose shkojnë edhe ato ia hedhin gjykatës tjetër, Gjykatës së Apelit që ajo të marrë përgjegjësinë dhe pastaj zhvillohen procedurat, harxhohen mjete, por edhe njerëzit thjesht maltretohen në një mënyrë apo tjetrën në kuptimin e zvarritjes pa baza dhe argumente të procedurave, dhe në fund përfundojnë ku lirohen njerëzit ose edhe përfundojnë të fajësuar", ka vijuar më tej ai. 

Larg standardeve të BE-së

Avokati Skender Musa ka vlerësuar se drejtësia në Kosovë është larg standardeve, të cilat aplikohen në Bashkimin Evropian, dhe se kjo gjendje është vështirë të ndryshojë shpejt, ngase, siç tha, përpos shumë të metave të tjera me të cilat ballafaqohet drejtësia, edhe ndikimet në sistemin e drejtësisë janë evidente, e sidomos kur në bankën e të akuzuarve janë zyrtarë të lartë shtetërorë, por edhe njerëz me ndikim në shoqëri. " Prandaj, mendoj se nëse vazhdohet me këtë temp të punës dhe menaxhim të lëndëve, si edhe mënyra e vendosjes së tyre, etj., nuk pritet ndonjë përmirësim në drejtësi si në Gjyqësor e as në Prokurori. Andaj, në këtë drejtim ka nevojë urgjente që të bëhet një reformë e mirëfilltë në drejtësi, duke filluar nga niveli më i ultë e deri tek ai më i larti dhe reformat duhet të jenë të thella, duke përfshirë edhe stafin menaxhues, por edhe stafin tjetër", theksoi Musa. 
 

(Kosova Sot)