Hillary, si presidente kundërshtuese e madhe e Rusisë

  • 22 October 2016 - 18:58
Hillary, si presidente kundërshtuese e madhe e Rusisë

Aq sa është Putini kundër Clinton-it, ajo është edhe më shumë kundër tij

Hillary Clinton e ka bërë mjaft të qartë të mërkurën se, nëse arrin ta mposhtë Donald J. Trumpin muajin e ardhshëm, ajo do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë me një raport më kundërshtues me Rusinë sesa ndonjë president tjetër amerikan për më shumë se tri dekada 

"Nuk kemi parë një mungesë të tillë të besimit që nga ditët e Ronald Reaganit", thotë Stephen Sestanovich, i cili kishte shërbyer në Departamentin e Shtetit të Bill Clintonit dhe është autor i librit "Maximalist: America in the World from Truman to Obama". Ai thotë se, derisa më parë kritikat ishin drejtuar kundër BRSS-së, tani ato janë të drejtuara direkt kundër Putinit. Në një ndryshim të roleve politike, është kandidatja demokratike, zonja Clinton, ajo që e paraqet Putinin si armik të ri, të vjetër të SHBA-së, i cili ka hakuar kompjuterët e saj, ka bombarduar civilët në Siri dhe ka kërcënuar Ukrainën dhe aleatët e NATO-s në Evropë. Për një grua, e cila prezantoi një buton të madh "reset" para homologut të saj në mars të vitit 2009, ndryshimi i tonit ishte më se i qartë gjatë debatit të saj me Donald J. Trumpin, transmeton gazeta Kosova Sot.

Përtëritja e strategjisë

Ajo, si dhe administrata e Obamas, insistojnë se ishin në kursin e drejtë derisa Putin vendosi se i konvenonte më shumë ringjallja e tensioneve të Luftës së ftohtë, sesa një çerek shekulli i përpjekjeve për t'u integruar me Perëndimin. Tani, pjesa më e madhe e politikës së jashtme të demokratëve është bërë po aq agresive sa edhe zonja Clinton sa i përket temës së Rusisë. Privatisht, disa nga këshilltarët e saj më të vjetër tanimë janë duke menduar rreth asaj se çfarë kombinimi të sanksioneve, izolimit diplomatik dhe dënimit ndërkombë- tar ta bëjnë bashkë nëse ata fitojnë, për ta trajtuar Putinin dhe shtetin me ekonomi të brishtë, të cilin e udhëheq ai. Kjo paraqet një përtëritje të strategjisë "së përmbajtjes", të cilën e kishte formuluar George F. Kennan për presidentin Harry S. Truman në vitin 1947. Po aq befasues është edhe ndryshimi i tonit nga ana e republikanëve.
Pjesa më e madhe e Partisë republikane vazhdojnë që ta kenë një mosbesim të fortë ndaj Rusisë
Vetëm katër vjet më parë, ishte kandidati presidencial republikan, Mitt Romney, i cili tërhiqte vëmendjen nga rreziku që paraqitnin Rusia revanshiste dhe presidenti Obama, i cili kishte deklaruar se Lufta e ftohtë kishte 20 vjet që kishte marrë fund. Pjesa më e madhe e Partisë republikane vazhdojnë që ta kenë një mosbesim të fortë ndaj Rusisë. Por, jo edhe Trump, kandidati presidencial i kësaj partie. "Sikur SHBA-ja të shkonte mirë me Rusinë, gjërat nuk do të ishin kaq keq", tha ai të mërkurën, duke mos e thënë as edhe një fjalë të vetme rreth apetitit të Putinit për të rrëmbyer toka. Ai tha se problemi qëndron te fakti që Rusia është duke ia tejkaluar Amerikës sa i përket arsenalit bërthamor. Më pas, debati filloi të përqendrohej rreth asaj se cili kandidat presidencial amerikan është "këlysh" i Putinit. Kohë pas kohe, Trump insistonte, sikur që kishte bërë gjatë debatit të së mërkurës, se SHBA-ja nuk ka haber se kush qëndron prapa hakimit të kompjuterëve të Komitetit kombëtar demokrat dhe të Hillary-s e ndihmësve të saj."Putini ka luajtur në çdo hap me të dhe me Obaman, që nga Siria, e deri te zhvillimi i raketave të reja", tha ai. Për ditë të tëra, e-mailat e hakuar nga llogaria në Gmail e John D. Podestas, kryesuesit të kampanjës së zonjës Clinton, e kanë turpëruar kampanjën e saj dhe, të enjten, e-mailat nga një llogari të cilën e kishte Obama gjatë tranzicionit të vitit 2008, u publikuan për herë të parë. Askush nuk e di nëse hakimi i e-mailave ka mbaruar me kaq, apo ato janë vetëm një uverturë për diçka më të madhe që do të publikohet para ditës së votimeve. Obama është duke menduar për hakmarrje, e cila, sipas disa zyrtarëve të lartë, mund të përfshijë sulmet brenda Rusisë, të cilat do ta vinin në pah korrupsionin në mesin e liderëve rusë, duke e turpëruar kështu Putin-in. Ende nuk dihet se a do ta zgjedhë Obama këtë rrugë edhe pasi që zëvendëspresidenti Joseph R. Biden Jr. bëri një kërcënim javën e kaluar, se Putini mund ta shijojë një pjesë të gjellës që e ka gatuar për të tjerët. Por, një gjë është e qartë. Nëse fiton Hillary Clinton, ajo do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë me një inat personal ndaj Putinit. Ky i fundit ka kohë që ka manifestuar një ndjenjë jo miqësore ndaj Hillary-t, për shkak të deklaratave të saj të vitit 2011, me të cilat vinte në pyetje vlefshmërinë e zgjedhjeve parlamentare ruse.

(Kosova Sot)