Tiranë, gjatë javës flitet për hapjen e dosjeve të Sigurimit

  • 23 October 2016 - 09:48
Tiranë, gjatë javës flitet për hapjen e dosjeve të Sigurimit

Nën moton “Kujtesa si mision“, përgjatë një jave, mbi 60 ekspertë nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë, Gjermanisë, Polonisë, Rumanisë, Çekisë, Lituanisë, Bosnje/Hercegovinës dhe Kosovës do të diskutojnë në Shqipëri mbi perspektivat aktuale të rishikimit të historisë dhe të diktaturës komuniste. Në fokus të veçantë do të jetë kurrikula shkollore dhe zhvillimi i saj në vendet postkomuniste pas 1990-ës. Ekspertë nga Evropa Qendrore dhe Lindore do të sjellin përvojën e tyre në rishkrimin e teksteve të historisë, dhe do të ballafaqohen me situatën aktuale të kurrikulës në Shqipëri.

Zhvillimet më të fundit në kurrikul do të prezantohen nga zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, nga përfaqësues të IZHA, pa munguar edhe ndërhyrja e grupeve të interesit, historianë, përfaqësues të Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Institutit për Integrimin e ish të Përndjekurve Politikë etj.   Iniciativa Ditët e Kujtesës është organizuar nga Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacionit Gjerman Konrad Adenauer (KAS) dhe fillojë më 24-28 tetor.  Kjo inciativë, sipas një njoftimi të organizatorëve synon gjithashtu të ndërtojë një agjendë të përbashkët me aktorët e ndryshëm që veprojnë në fushën e kujtesës.

“Për këtë arsye, rreth 25 iniciativa, institucione private dhe shtetërore brenda dhe jashtë vendit do të evidentojnë para një publiku të gjerë punën dhe projektet e tyre në këtë fushë. Ballafaqimi me të shkuarën do të kulmojë me aktivitetin për hapjen e dosjeve të Sigurimit, një proces i vonuar që ka pasoja për të ardhmen. Përveç përfaqësuesve shqiptarë do të ofrojnë ekspertizën e tyre ish-komisionerja për dosjet e STASI-it, Hildigund Neubert, si dhe specialistë të tjerë gjermanë. Surpriza e këtij aktiviteti është përfshirja masive e të rinjve dhe projekteve që ata kanë realizuar në mënyrë individuale dhe në grup, mbi tema të ndryshme si përditshmëria para 1990-ës, përndjekja e klerit katolik në Mirditë, vendet e kujtesës etj. Në kuadër të këtij aktiviteti do të shpallen dhe fituesit e konkursit kombëtar “Pyet gjyshërit“ për punimet më të mira në fushën e Multimediaës”, thuhet në njoftim.

  Si aktivitete kulturore vlen të përmendet premierën e dokumentarit “Fëmijët e diktaturës“ me regji nga Besnik Bisha, një prodhim i IDMC. Po ashtu dhe ekspozitat me akses të lirë “Lufta e Ftohtë: Shkaqet, historiku, Pasojat“ në bashkëpunim me Fondacionin Federal për Studimin e Krimeve te Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore; “Muzeu i Kujtesës“ një projekt lëvizës i Institutit të Studimeve Politike si dhe miniekspozita e fotografit të njohur Antonio Fantasia “A night of a Regime“.

(Kosova Sot)