Tahiri: Përkundër marrëveshjeve, Serbia po vazhdon t’i mbaj strukturat paralele

  • 23 October 2016 - 14:54
Tahiri: Përkundër marrëveshjeve, Serbia po vazhdon t’i mbaj strukturat paralele

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ka folur dje në seminarin e 93-të “Rose-Roth”, organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-së, në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, në temën: “Dialogu Kosovë-Serbi, lëvizja përtej rrugëve të bllokuara”.

 

Ky sesion u moderua nga Frank van KAPPEN, zëvendëskryesues i Komisionit të Asamblesë së Përgjithshme të NATO-së për Ekonomi dhe Siguri.

Në fillim të fjalës ministrja Tahiri i falënderoi organizatorët për ftesën që të jetë folëse në këtë seminar, ajo shtoi që është hera e tretë që merr pjesë në organizimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-së dhe evokoi kujtimet nga takimi i vitit 1996 me njërin nga themeluesit e tij, Bill Roth, i cili në vitin 1996 ishte Kryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-së.

Duke folur në kontekst të marrëdhënieve në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, ministrja Tahiri u fokusua tek rëndësia e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ajo tha se kjo njohje do të bëhet një bazë edhe për krijimin e marrëdhënieve paqësore në mes të dy popujve, shqiptarëve dhe serbëve, mirëpo ky model, jo vetëm dialogu i Brukselit por edhe njohja e realitetit do të duhej të ishte model edhe për të hequr gjërat që kanë mbetur hapur në mes të Serbisë dhe Bosnjës, ngase ka ndërhyrje të herë-pas-hershme të Serbisë në Bosnjë, pastaj e kemi çështjen e emrit të kontestuar në mes të Maqedonisë dhe Greqisë, dhe në përgjithësi kemi punë të gjithë në rajon që t’i bëjmë reformat e duhura evropiane dhe euroatlantike në mënyrë që sa më shpejtë i gjithë rajoni të bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-s.

Fjalimi i ministres Tahiri: 

Natyrisht do të ishte mirë që edhe Evropa të përshpejtojë proceset e eurointegrimeve për të gjitha vendet e Ballkanit, sepse vetëm kështu mund të shohim paqe të qëndrueshme edhe në rajon por edhe në Evropë.

Ne i kemi parasysh sfidat me të cilat po ballafaqohet jo vetëm BE-ja por pothuajse e gjithë bota, sfida këto që lidhen me sigurinë globale, të refugjatëve, terrorizmit, pastaj edhe çështja e brexitit, megjithatë, Kosova është e përkushtuar që të punojë për vizionin euroatlantik. Në këtë drejtim ne edhe kemi dhënë dëshmi e edhe po japim me faktin që kemi nënshkruar marrëveshjen për Stabilizim Asociim me BE-në.

Dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate mjaftë të rëndësishme, mund të them edhe rezultate historike, ngase ne edhe dy herë tjera kemi biseduar me Serbinë, në Rambuje jemi përpjekur që të gjejmë zgjidhje paqësore por Serbia në fund ka dështuar ta nënshkruaj marrëveshjen paqësore dhe si pasojë ka pasur intervenimin e NATO-s.

Pastaj kemi biseduar edhe në kuadër të bisedimeve të Vjenës, që kanë qenë të fokusuara në statusin, gjë që edhe e dha Pavarësinë e Kosovës, sepse ne e nënshkruam marrëveshjen ndërsa Serbia përsëri dështoi që ta nënshkruaj atë. Ndërsa dialogu i Brukselit për here të parë ka prodhuar marrëveshje të nënshkruara mes të dyja shteteve, pra këtu është rëndësia ngase ky dialog ka nxjerrë marrëveshje, dhe ato kanë adresuar çështje të rëndësishme, duke u nisur nga bashkëpunimi ndërkufitar dhe vendosjes së kufirit përmes marrëveshjes së IBM-së, dhe kthimit të autoriteteve ndërshtetërore në pikëkalimet kufitare ku Serbia i kundërshtonte në veri, deri që sot kemi hapjen e urës së Ibrit, e cila që nga përfundimi i luftës, ka qenë një urë ndarëse, e bllokuar me barrikada dhe logjika të barrikadave, dhe në gusht të këtij viti në saje të dialogut ne i dhamë fund, dhe ura tashmë është urë që është sinonim i bashkimit dhe komunikimit në mes të gjitha komuniteteve dhe qytetarëve.

Marrëveshjet tjera të rëndësishme, që u bënë edhe model për rajonin ishin edhe vendosja e regjimit të lëvizjes së lirë përmes letërnjoftimeve, të cilën pastaj e zbatuan edhe vendet tjera në rajon. Njohja e dokumenteve të shtetësisë së Kosovës, marrëveshja për tregti të lirë, marrëveshja e rëndësishme për bashkëpunimet rajonale.

Pastaj kemi edhe dialogun politik i cili dha po ashtu një marrëveshje shumë të rëndësishme, atë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, e cila adresoi çështjet e zhbërjes së strukturave paralele, integrimin e policëve në sistemin e Kosovës, shtrirjen e Policisë së Kosovës në veri të vendit, largimin e një strukture paramilitare të ashtuquajtur ‘Mbrojtja Civile”, ish-pjesëtarët e së cilës i kemi integruar në institucionet e Republikës së Kosovës dhe gjatë muajit nëntor planifikojmë shtrirjen e njëzetë e katër ministrive dhe agjencive qendrore në veri të vendit.

Kemi shuar strukturat paralele të drejtësisë dhe po e vendosim sistemin unitar të drejtësisë edhe në katër komunat veriore të Kosovës, në bazë të ligjeve të Kosovës, do të hapen Gjykata Themelore dhe Zyra e Prokurorisë që do të funksionojnë për shtatë komuna ashtu siç e thotë ligji i Kosovës. Po ashtu kemi mbërri reciprocitet në shumë fusha dhe janë në pritje disa marrëveshje tjera për zbatim siç është kodi telefonik shtetëror, të cilën e ka bllokuar Serbia, pavarësimi i KOSTT-it, e bllokuar po ashtu.

Zbatimi i këtyre dy marrëveshjeve, në fakt, do të hapë rrugën që Kosova të fillojë me hartimin e statutit për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Republikën e Kosovës.

Një paradoks që e shoqëron këtë dialog është fakti që përderisa Serbia i zbaton marrëveshjet, në anën tjetër ngurron që t’i heqë strukturat e saj paralele në Kosovë. Rasti më tipik është kur në vitin 2013, për herë të parë katër komunat e pjesës veriore, falë dialogut të Brukselit, morën pjesë në zgjedhjet e Kosovës pas pavarësisë dhe u vendosen organet komunale legjitime atje.

Mirëpo sot e kësaj dite Serbia vazhdon t’i mbajë disa struktura paralele ilegale. Ne e kemi bërë të qartë që asociacioni kur do të formohet do të funksionojë për komuna legale, dhe në kushte kur kemi ende këso strukturash paralele nuk ka kuptim që ai të funksionoi. Prandaj një kusht që e ka pranuar edhe BE-ja është që pa u shuar të gjitha strukturat e mbetura paralele të Serbisë në Kosovë, nuk mund të fillojë asociacioni i komunave më shumicë serbe në Republikën e Kosovës.

Dialogu i Brukselit po e ndryshon mendësinë politike të serbëve të veriut, sepse pjesa tjetër e serbëve në Kosovë janë të integruar. Ajo që unë po e vërej çdo herë e më shumë është interesimi i serbëve të komunave veriore që të bëhen pjesë e sistemit të Kosovës. Është me rëndësi që ky dialog ka ndikuar pozitivisht te ata.

Ky është qëllimi jonë si Qeveri e Kosovës, që të hiqen pengesat politike të ndikimeve negative të Serbisë, sepse marrëdhëniet fqinjësore mund të vendosen dhe vlerësohen vetëm kur Serbia i shuan këto struktura të mbetura dhe ndërprenë ndikimin politik te minoriteti serb në Kosovë.

E di që kemi shumë skeptik për dialogun, sidomos nga opozita në Kosovë, e kuptoj, sepse kur e kemi filluar dialogun, zërat skeptik kanë kërkuar me të drejtë që së pari Serbia ta njohë Pavarësinë e Kosovës, të kërkoj falje për gjenocidin e më pas të fillojnë bisedimet.

Mirëpo për njohësit e menaxhimit të konflikteve, dihet se po të ishte e mundshme që të kryhet ajo që është e fundit në fillim, atëherë nuk do të kishte nevojë për dialog, prandaj ne jemi të bindur që ky dialog do të përfundojë me njohjen në mes të dy shteteve.

Ne të gjithë e dimë që shtetet aspirante që duan të integrohen nuk mund të realizojnë anëtarësimin në BE pa pasur marrëdhënie ndërfqinjësore normale, sidomos me ata që kanë qenë në konflikt.

Dhe ky dialog përveç që është për fqinjësi të mirë, e çon Kosovën në BE dhe në NATO.

(Kosova Sot)