Gruaja sajoi grabitjen për t'i rënë në sy burrit

  • 23 October 2016 - 16:18
 Gruaja sajoi grabitjen për t'i rënë në sy burrit

Historia e saj është e denjë për një skenar filmi. Po flasim për Dalina Azunin, 29-vjeçaren nga fshati Pinet i Ndroqit, e cila është arrestuar nga komisariati nr. 6 i kryeqytetit pasi sajoi një grabitje në banesën e saj, duke u vetëlidhur në një karrige.

TCH ka publikuar sot foton e saj, ndërsa mësohet se gjithçka e sajuar nga 29-vjëçarja është bërë për të tërhequr vëmendjen e burrit të saj, me të cilin mësohet të ketë pasur mosmarrëveshje kohët e fundit. Mëngjesin e sotëm ajo ndodhej vetëm në banesë nga ku lajmëroi të afërmit dhe policinë në numrin e emergjencave 112, për të treguar që një person i kishte hyrë në shtëpi dhe kishte arritur të merrte prej andej shumën pre 65 mijë lekësh.

Pas hetimeve paraprake, kontrolleve të ushtruara dhe dyshimit mbi dëshminë e gruas, policia gjeti shumën e parave të fshehura në dhomën tjetër të banesës. Në deklarimet e para dhënë para hetuesve, Dalina Azuni ka pranuar se i ka bërë këto veprime vetëm për të tërhequr vëmendjen e të shoqit, pasi kishte vënë re që kohët e fundit nuk kishin komunikim, por vetëm mosmarrëveshje mes tyre. 29-vjeçarja tashmë përballet me akuzat për kallëzim të rremë dhe njoftim i rremë në organet e rendit publik.

(Kosova Sot)