Komuna nuk ndan buxhet për kompensimin e dëmeve

  • 23 October 2016 - 18:47
Komuna nuk ndan buxhet për kompensimin e dëmeve

QYTETARËT NUK U ZHDËMTUAN PËR DËMET NGA PËRMBYTJET E PRANVERËS

Kurtesh Spahija, 84-vjeçar, nga Peja, i cili jeton së bashku me gruan e djalit dhe katër nipa, shprehet se kishte nevojë për ndihmë, por Komuna asnjëherë nuk u doli krah

Qytetarët ankohen se u lanë në baltë, si nga Komuna, ashtu edhe nga Qeveria qendrore

Komuna e Pejës nga buxheti i saj nuk ka fond të veçantë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, tërmetet apo edhe stuhitë e zjarrit."Në raste emergjente, kur dikush nga qytetarët hallexhinj goditen nga fatkeqësi të ndryshme elementare, intervenohet nga fondi i subvencioneve që i ndan kreu i Komunës së Pejës", ka thënë drejtori komunal për Shpëtim dhe Emergjencë, Muhamet Mahmutaj. Qyteti i Pejës, por edhe zonat rurale të kësaj komune, jo rrallë janë goditur nga vërshimet, erërat e forta, si ato në vitin e kaluar. Vërshimet janë ato që më se shumti i kanë sjellë kokëçarje qytetarëve të Pejës në vitet e pasluftës. Vërshimet nuk kursyen disa nga lagjet e këtij qyteti edhe në marsin e këtij viti, me ç'rast pësuan qendra e qytetit deri në drejtim të stacionit të trenit, ku uji dhe llumi depërtuan në oborre të shumë shtëpive, bodrume dhe në katet e para të shumë shtëpive, duke shkaktuar dëme të konsideruara qytetarëve të kësaj komune, shkruan gazeta Kosova Sot.

Komuna i mashtroi banorët e zonave të përmbytura

Ndër familjet e shumta të goditura nga këto vërshime të marsit të këtij viti ishte edhe familja e Kurtesh Spahisë në rrugën "Lidhja e Pejës". Kurtesh Spahija, 84- vjeçar, nga Peja, i cili jeton së bashku me gruan e djalit dhe katër nipa, shprehet se kishte nevojë për ndihmë, por Komuna asnjëherë nuk u doli krah. Komisioni komunal për vlerësimin e këtyre dëmeve kishte vlerësuar se dëmet e shkaktuara kapnin një vlerë prej 45 mijë euro. "Pasi Komuna nuk i kishte këto mjete, këto lista me ato familje që kishin nevojë për ndihma emergjente i kemi dorëzuar në Ministrinë e Pushtetit Lokal", shprehet Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit Gazmend Muhaxheri. Sipas tij, as nga ky nivel nuk ka ardhur asnjë cent ndihmë për të goditurit nga këto vërshime. Edhe familja e Sahit Krasniqit ishte njëra nga familjet e dëmtuara nga vërshimet. Uji i kishte depërtuar në podrum të shtëpisë dhe aty kishte vërshuar tërë ato mobilie dhe orendi që i kishte pasur të vendosura si njëlloj kuzhine ndihmëse. Edhe kjo familje pohon se nuk ka marrë asnjë cent ndihmë për dëmet e pësuara.

Kompensim minimal

Nga këto vërshime pësuan dëme edhe shumë sipërfaqe të mbjella me grurë, pastaj nga era dhe shiu u dëmtuan edhe shumë sera, për të cilat po ashtu Komuna nuk ndan mjete për t'i kompensuar këta fermerë. Nga 50 raste të evidentuara dhe të vlerësuara për dëmet e pësuara të gjithë janë detyruar t'i drejtohen Ministrisë së Bujqësisë, e cila po ashtu nuk ka ndonjë fond të posaçëm për të kompensuar këta fermerë."Kjo gjë ndikon shumë negativisht në punën e mëtejme të tyre dhe ata vështirë mëkëmben pa ndihmën e institucioneve", thotë Mehdi Mulaj, drejtor për Bujqësi në Komunën e Pejës. Muhamet Mahmutaj, drejtor për Emergjencë dhe Shpëtim në Komunën e Pejës, shprehet se për shkak të buxhetit të limituar, Komuna nuk ndan buxhet enkas për të ndihmuar të goditurit nga fatkeqësitë natyrore. "Megjithatë, në raste të rënda emergjente, kryetari Muhaxheri nga fondi i subvencioneve, ka ndarë nga disa mijëra euro, që në të shumtën e rasteve as për së afërmi nuk i plotëson kërkesat e të dëmtuarve nga këto fatkeqësi", ka thënë Mahmutaj. Kështu, të goditurit nga fatkeqësitë natyrore mbesin në mëshirën e Zotit dhe forcave të tyre.

Nis pastrimi i kanaleve të hapura

Për të zvogëluar këto dëme, në veçanti ato nga vërshimet që janë shumë më të shpeshta, Komuna e Pejës ditë më parë përmes Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Punës Komunale ka filluar pastrimin e kanaleve të hapura, të cilat gjithmonë gjatë të reshurave të mëdha kanë paraqitur kërcënim që të bllokohen. "Këto ditë kemi filluar punën në pastrimin e këtyre kanaleve dhe së pari kemi filluar me kanalin e "Qokolicës", i cili gjithmonë na ka sjellë telashe të mëdha, ngase ky di të egërsohet tej mase, duke qenë i rrëmbyeshëm, por edhe dinë të bllokohet për shkak se në të qytetarë të pandërgjegjshëm hedhin edhe mbeturina të ngurta që bllokojnë urën në rrugën e spitalit e nga andej çdo gjë merr tatëpjetën", ka thënë Ukë Selimi, drejtor për Shërbime Publike dhe Punë Komunale.

(Kosova Sot)