Lirohen nga akuzat atentatorët e dyshuar të Drashkoviqit

  • 23 October 2016 - 19:42
Lirohen nga akuzat atentatorët e dyshuar të Drashkoviqit

Tre ish-oficerë të Sigurimit serb të Shtetit janë liruar nga akuzat për tentativë për vrasjen në vitin 2000 të liderit të partisë opozitare të asaj kohe Vuk Drashkoviq gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Gjykata e Apelit në Beograd në vendimin e saj të formës së prerë e shpalli Milan Radonjiqin, ish-shefin e zyrës së Beogradit të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, dhe dy vartësit e tij, Stevan Basta dhe Ratko Romiq, jofajtorë për tentativë për vrasjen e politikanit të famshëm serb të opozitës të asaj kohe Vuk Drashkoviq në Mal të Zi në qershor të vitit 2000.

Ata u liruan nga akuzat se kanë ndihmuar tre anëtarë të tjerë të Njësisë së Operacioneve Speciale të Sigurimit të Shtetit të Serbisë në një përpjekje për të vrarë Drashkoviqin në qytetin malazez Budva.

Drashkoviq, në atë kohë një nga politikanët kryesorë të opozitës në Serbi, u plagos me armë zjarri, por i mbijetoi asaj që ishte vetëm një nga disa përpjekje për t’i marrë atij jetën nga ana e Sigurimit të Shtetit gjatë kohës që në pushtet ishte Millosheviqi.

Sipas vendimit, nuk mund të përcaktohej përtej dyshimit se burrat planifikuan vrasjen dhe nuk u paraqit asnjë provë që ata të tre ishin të përfshirë në operacionin që kishte për qëllim vrasjen e tij.

Ata u dënuan për tentativë vrasje në vitin 2012. Radonjiq u dënua me tetë vjet burg, ndërsa Stevan Basta dhe Ratko Romiq u dënuan me nga shtatë vjet secili.

Gjykata e Apelit e kaloi çështjen për rigjykim në vitin 2013, duke thënë se ligji nuk ishte zbatuar si duhet gjatë gjyqit dhe se vendimi ishte “i paqartë dhe i pakuptueshëm”.

Në vitin 2015, Gjykata e lartë e liroi grupin nga akuzat, por Prokuroria e apeloi vendimin. Vendimi për lirim nga akuzat që u dha të enjten është përfundimtar.

Drashkoviq tha për televizionin rajonal N1 se tentativa për vrasjen e tij ishte një krim shtetëror, ndërsa ai e quajti lirimin nga akuzat një “krim të gjykatës” dhe tha se ishte rezultat i presionit mbi sistemin gjyqësor.

Radonjiq dhe Romiq aktualisht janë në burg dhe po gjykohen për një tjetër vrasje – atë të gazetarit dhe kritikut të Millosheviqit Slavko Quruvija, i cili u vra në prill 1999.

Nën regjimin e Millosheviqit, forcat e Sigurimit të Shtetit besohet se kanë vepruar si skuadra e tij asgjësuese. Dy shefa të Sigurimit të Shtetit, Franko Simatoviq dhe Jovica Stanishiq, janë në gjyq për krime lufte në ish-Jugosllavi para Gjykatës së OKB-së me seli në Hagë.

(Kosova Sot)