Fundi tragjik i bigamistit britanik

  • 23 October 2016 - 19:49
Fundi tragjik i bigamistit britanik

ARRITI TË MASHTRONTE DY GRA, DUKE U MARTUAR ME TO NË TË NJËJTËN KOHË

Adrian Linham, 43 vjeç, u martua me Hayley Totterdell në të njëjtin plazh ku kishte kaluar muajin e mjaltit me gruan e tij aktuale, Liz. Pasi që u burgos, për shkak të bigamisë, ai bëri vetëvrasje në burg

Adrian Linham e kishte vështirë ta thoshte të vërtetën. Varësisht me kë bisedonte, ai herë thoshte të ishte biolog detar, ekspert i bombave, instruktor i vozitjes, apo trajner personal. Sado të pabesueshme që mund të duken rrëfimet e tij, ai duhet të ketë qenë goxha bindës, meqë ky baba i tre fëmijëve ia kishte dalë që ta mashtronte jo një, por dy gra, duke u martuar me to në të njëjtën kohë. Dy gratë e tij jetonin vetëm 25 km larg njëra-tjetrës, kështu që Linham, 44 vjeçar, bënte një jetë të dyfishtë. Ai ishte shkurorëzuar nga gruaja e tij e parë, Melanie, në vitin 2006, para se të martohej me Lizin, një vit më vonë. Derisa ende ishte i martuar me Liz, ai u martua me gruan e tij të tretë, Hayley, në vitin 2014, transmeton gazeta Kosova Sot.

Gënjeshtar i pacipë

Rrjeti i tij i rrenave përfshinte kalimin e një feste me njërën dhe festën tjetër me gruan tjetër. Arsyetimet e tij ishin nga më të ndryshmet, duke filluar nga emergjencat familjare, e deri te rrenat më të pabesueshme. Ai ishte aq i pacipë, saqë kutinë e tortës nga martesa me Hayleyn ia dha gruas së parë, Liz, si dhuratë. Ai u burgos shkurtazi në vitin 2015 për bigami, por Hayley ia kishte ofruar një shans të ri. Por, ai nuk kishte vonuar dhe i ishte kthyer zanatit të vjetër. Ai kishte filluar një lidhje me një femër, të cilën planifikonte ta bënte gruan e tij të katërt. Pasojat e kësaj lidhjeje ishin fatale. Ai u burgos dhe një vit më vonë bëri vetëvrasje në burg, meqë më askush nuk i besonte. Në anën tjetër, gratë e tij nuk e kanë të qartë pse ai ishte një gënjeshtar aq i madh. Familjarët e tij tregojnë se Linham ndihej inferior ndaj vëllezërve të tij dhe i dukej sikur prindërit nuk ishin të kënaqur me të. 

(Kosova Sot)