Interneti kontrollohet nga 14 njerëz dhe 7 çelësa sekretë

  • 23 October 2016 - 20:35
Interneti kontrollohet nga 14 njerëz dhe 7 çelësa sekretë

SIGURIA NË EPOKËN KIBERNETIKE

Pas pak ditësh, ata do ta mbajnë një ritual historik, të njohur si ceremonia rrënjësore e nënshkrimit

Nëse i kontrolloni të gjitha DNS-të, atëherë e kontrolloni tërë internetin. E, DNS-të në nivelet e tyre më të larta ruhen nga pak njerëz në botë, të njohur me emrin kripto-oficerët

Duket sikur një ndodhi që del nga librat e shkrimtarit Dan Brown, por nuk është, i tërë interneti mbrohet nga shtatë çelësa tepër të mbrojtur, të cilët gjenden në duart e 14 njerëzve. Dhe, pas pak ditësh, ata do ta mbajnë një ritual historik, të njohur si Ceremonia rrënjësore e nënshkrimit (Root Signing Ceremony). Të premten në mëngjes, bota u rikujtua rreth rëndësisë së organizimit të këtyre njerëzve. Një pjesë e madhe e internetit ra për një çast, pasi që hakerët ia dolën që të fusnin aq shumë trafik në një kompani të quajtur "Dyn", sa që serverët e "Dyn"-it nuk mund ta duronin këtë, transmeton gazeta Kosova Sot.

Sulmi i së premtes

"Dyn" është një furnizues (provider) i madh i diçkaje të quajtur "Domain Name System", që përkthen adresat e uebit, sikur p.sh. businessinsider.com (më lehtë që të mbahet mend nga njerëzit) në adresa numerike IP, të cilat kompjuterët i përdorin për t'i identifikuar ueb faqet. "Dyn" është vetëm njëri nga ofruesit e DNS-së. Dhe, përkundër asaj që hakerët asnjëherë nuk morën kontrollin mbi rrjetin e tij, mjaftoi që ta qitnin atë offline për vetëm disa orë, për të treguar se sa shumë interneti varet nga DNS. Ky sulm shkaktoi rënien e shkurtër të ueb faqeve të njohura, si Business Insider, Amazon, Twitter, Github, Spotify dhe shumë të tjera. Nëse i kontrolloni të gjitha DNS-të, atëherë e kontrolloni tërë internetin. E, DNS-të në nivelet e tyre më të larta, ruhen nga pak njerëz në botë, të njohur me emrin kriptooficerët. Çdo tre muaj që nga viti 2010, disa nga këta njerëz, por kurrë që të gjithë, takohen për ta bërë një ritual tepër të siguruar, të quajtur si ceremonia e çelësit, ku çelësat e master lock-ut metaforik të internetit, verifikohet dhe rifreskohet. Njerëzit që e bëjnë këtë ceremoni janë pjesë e një organizate të quajtur Bashkëpunimi i internetit për ndarjen e emrave dhe numrave (ICANN). ICANN është përgjegjës për ndarjen e adresave numerike të internetit për ueb sajtet dhe kompjuterët. Nëse ndokush e merr kontrollin mbi databazën e ICANN-it, ai do ta merrte nën kontroll tërë internetin. 

Çelësat fizikë dhe elektronikë 

Me qëllim të mbrojtjes së DNS-ve, ICANN vendosi që asnjë personi të mos ia besonte një kontroll aq të madh. Ai ka zgjedhur shtatë njerëz si mbajtës kryesorë dhe secilit prej tyre ia ka dhënë nga një çelës të internetit. ICANN më pas zgjodhi edhe shtatë njerëz të tjerë, si ndihmës të shtatë të parëve, gjë që përbëjnë 14 njerëz në tërësi. Ceremonia kërkon që, të paktën, të jenë të pranishëm 3 prej tyre, me çelësat e tyre, meqë tre çelësa nevojiten për t'i hapur pajisjet ku ruhen DSN-të. Përpos çelësave fizikë (konkretë), ekzistojnë më pas edhe disa çelësa në formë të kartelave. Duhen shumë çelësa për të pasur qasje ndaj pajisjes, e cila gjeneron "master key"-n e internetit. Siguria që karakterizon ceremonitë, përpara dhe pas, është e madhe. Ajo nënkupton kalimin e pjesëmarrësve nëpër një serie të dyerve të mbyllura, duke përdorë kodet e çelësave dhe skanimin e duarve, derisa ata të hyjnë në një dhomë aq të sigurt, saqë regjistron çdo komunikim elektronik. 

(Kosova Sot)