Vizat nuk hiqen me maskarada mashtruese

  • 23 October 2016 - 08:18
Vizat nuk hiqen me maskarada mashtruese

Pushtetarët po ua vrasin shpresën qytetarëve.

"Edhe deklarata e përbashkët e Komisionit për punë të jashtme të Parlamentit të Kosovës nuk sjell asgjë kualitative në raport me liberalizimin e vizave kundrejt BE-së, dhe ajo më tepër mbetet si një lojë për konsum të brendshëm politik. Por, dhe sikurse çështja e Demarkacionit sot të përmbyllej, si kriter që Qeveria ia ka caktuar vetes në mënyrë hipokrite, për t'i ikur apo për të devijuar disi nga përmbushja e kriterit të korrupsionit e krimit të organizuar, BE-ja nuk do t'i liberalizonte vizat asnjëherë, pa i përmbushur këto kritere", shprehet për gazetën analisti Naim Kelmendi,raporton Gazeta Kosova Sot

Të kota janë deklaratat e institucioneve të vendit kundrejt BEsë, ku spikatet zotimi për të punuar për Demarkacionin, sepse kjo nuk sjell asgjë kualitative në raport me liberalizimin e vizave, ngase ato më tepër janë si një lojë për konsum të brendshëm apo për ta "bindur" BE-në se kinse po punohet diçka. Kështu kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët po ashtu kanë veçuar se edhe sikurse çështja e Demarkacionit do të përmbyllej sot, BE-ja nuk do të liberalizonte vizat asnjëherë dhe assesi pa përmbushjen edhe të kriterit tjetër të kërkuar, e që është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se deklarata e përbashkët e partive politike se do të punojnë që sa më shpejt të zgjidhet çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi, pa prejudikuar se si, do të ndihmonte në liberalizimin e vizave. "Nuk e di pse partitë e opozitës nuk e nënshkruan një deklaratë të tillë, e cila nuk po kërkon që ato ta ndryshojnë qëndrimin e tyre lidhur me Demarkacionin, derisa kjo mund të shpjegohet me faktin se ato po mundohen që t'ia komplikojnë sa më shumë punën Qeverisë, gjë që nuk do të duhej aspak të ishte qëllimi i tyre. Por, qëllimi i opozitës është që ta korrigjojë Qeverinë, jo ta pengojë atë, ndërsa liberalizimi i vizave është në interes të qytetarëve të Kosovës, të cilët presin me padurim lëvizjen e lirë. Pra, kjo deklaratë nuk i kushtonte asgjë opozitës, por ajo qëllimisht nuk deshi ta nënshkruante, ngase po ta nënshkruante opozita, ne do ta shihnim pastaj qëndrimin e Bashkimit Evropian lidhur me kushtin tjetër, që ka të bëjë me luftimin e krimit dhe korrupsionit, e që ky kusht është pa dyshim më esencial se të gjitha kushtet e tjera", shprehet Salihaj. 

Duhen veprime konkrete e jo veç deklarata Ndërkaq, analisti Naim Kelmendi thotë se njëri nga dy kriteret e kërkuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave është i padrejtë e ai është çështja e Demarkacionit me Malin i Zi. Kelmendi shprehet se pavarësisht çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, që edhe ashtu u vërtetua se ka qenë shumë i gabuar nga Komisioni qeveritar për shenjëzimin e kufirit me Malin e Zi, BE-ja kërkon luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. "Vështirë se mund të përmbushet nga Qeveria ky kriter, ngase janë vetë këta qeveritarë-pushtetmbajtës të krijimit të sistemit korruptiv në të gjitha institucionet dhe fushat e tjera të jetës në Kosovë". Kelmendi në këtë drejtim ka ngritur edhe pyetjen se si ka mundësi ta shpërbëjnë e ta luftojnë korrupsionin vetë të korruptuarit, dhe po ashtu si ka mundësi që ta shpërbëjnë e ta luftojnë krimin e organizuar vetë të inkriminuarit, të cilët e kanë kriminalizuar çdo segment të jetës institucionale e politike. "Së këndejmi, edhe deklarata e përbashkët e Komisionit për punë të jashtme të Parlamentit të Kosovës, nuk sjell asgjë kualitative në raport me liberalizimin e vizave kundrejt BE-së, dhe ajo më tepër mbetet si një lojë për konsum të brendshëm apo për ta "bindur" BE-në për ta përmbyllur edhe çështjen e Demarkacionit etj. Por, dhe sikurse çështja e Demarkacionit sot të përmbyllej, si kriter që Qeveria ia ka caktuar vetes në mënyrë hipokrite për t'i ikur apo për të devijuar disi nga përmbushja e kriterit të korrupsionit e krimit të organizuar, BE-ja nuk do të liberalizonte vizat asnjëherë dhe assesi pa përmbushjen edhe të kriterit tjetër të kërkuar, e që është pra lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit", shprehet Kelmendi. Ai ka shtuar se Kosova ka mbetur e vetmja në rajon, e cila nuk e ka liberalizimin e vizave, dhe qytetarët e saj nuk mund të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së me fajin e Qeverisë dhe pushtetmbajtësve, me të cilët as që do të jetë edhe për sa kohë në rend ky liberalizim. Sipas tij, të kota janë edhe ato që shkruajnë e dërgojnë deklarata Bashkimit Evropian për kinse zotimet e tyre. "Në luftën kundër krimit të organizuar do të duhej treguar punë dhe rezultate konkrete, sikur edhe në luftën kundër korrupsionit. Drejtësisë i duhet një reformë bazike e gjithëpërfshirëse, që të ketë efikasitet dhe rezultate konkrete në fushën e sundimit të ligjit e në gjykimin dhe dënimin e kriminelëve dhe të gjithë atyre që abuzojnë me ligjin. Por, as këtë s'mund ta bëjë kjo klasë politike qeveritarësh, derisa janë vetë pjesë e sistemit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prandaj, fajin kryesor për mosliberalizim të vizave nga ana e BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës, e bartin vetë kjo klasë politike që qeveris me vendin, duke e vrarë edhe shpresën e së ardhmes së qytetarit të Kosovës, me papunësinë më të madhe në rajon, pastaj me varfërinë e skajshme deri në 30 për qind, me korrupsionin e përmasave më të mëdha, me sistemin e drejtësisë më të inkriminuar e më të korruptuar, etj", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi.

Maskaradat mashtruese Kurse, analisti Florim Zeqa ka nënvizuar se asnjë betejë politike në raport me BE-në nuk mund të fitohet vetëm me deklarata dhe maskarada mashtruese, ngase, sipas tij, ndërkombëtarët më shumë se fjalëve u besojnë fakteve. Ndërsa, Zeqa thotë se "zotimet" e qeveritarëve tanë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar përmes arrestimeve spektakulare të dy-tre personave, nuk janë asgjë tjetër veçse maskaradë mashtruese, përderisa, siç tha, në anën tjetër Demarkacionin e përdorin si "alibi" para opinionit vendor për të maskuar të vërtetën e plotësimit të masave reale që kërkon BE-ja për liberalizimin e vizave. "Vënia e çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi si kusht për liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë, përveçse padrejtësi e radhës, është bërë me qëllim të zhvendosjes së problemeve madhore që ka Kosova me fqinjin verior-Serbinë, e cila në të gjitha mënyrat dhe me të gjitha mjetet është duke sabotuar ekzistencën e shtetit tonë. Këtë që e them e vërteton shkuarja e delegacionit të serbëve nga Kosova në Bruksel (pa marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, në mesin e të cilëve ka edhe ministra), të cilët, atje kanë shkuar për çështjen e pasurive nëntokësore të Kosovës, në këtë rast të Kombinatit metalurgjik "Trepça", me qëllim të futjes së këtij problemi në tavolinën e bisedimeve të Brukselit, të kalimit më pastaj të disa prej aseteve kryesore të minierës në pronësi të tyre", shprehet Zeqa. Sipas tij, pa asnjë fije dyshimi, të gjithë qytetarët kosovarë iu kanë gëzuar kushtit themeltar të BE-së për liberalizimin e vizave, atij të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si shpresa e vetme për largimin nga pushteti të kësaj klase të inkriminuar politike. Në anën tjetër, analisti tjetër, Fadil Lepaja, mendon se në parim, krahasuar me vendet e regjionit, Kosova e ka merituar liberalizimin në të njëjtën kohë me Maqedoninë, Malin e Zi, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, edhe me Serbinë. Sipas tij, nëse Kosova e kishte kufirin e parregulluar me Malin e Zi, dhe po ashtu edhe Mali i Zi me Kosovën, kjo, siç tha, nuk ishte problem për ata, ngase gjendja në disa pjesë të Maqedonisë, apo Bosnjës e Hercegovinës nuk paraqitet aspak më e mirë as në fushën e kontrollit të territorit. Madje, sipas Lepajës në Maqedoni kishte edhe situata kur shteti zhvillonte luftime me grupe të armatosura, derisa edhe në Bosnjë njësitë federale thuajse gati sa nuk janë në luftë me njëra-tjetrën, por që kjo nuk ishte pengesë për ta. "Ehe krimi e korrupsioni në Maqedoni, Mal të Zi dhe BeH është në të njëjtin nivel të përhapjes dhe organizimit sikurse edhe në Shqipëri apo Serbi. Prandaj, asnjë nga arsyet, të cilat BEja i shtron për mosliberalizim, nuk janë më të theksuara se tek fqinjët, aq më tepër, që në Kosovë vetë BE-ja, OKB-ja, si edhe institucionet e tjera ndërkombëtare kishin favorizuar strukturat e krimit dhe korrupsionit për motive politike", është shprehur Lepaja. Ai shton se as terrorizmi nuk paraqitet si rrezik më i madh sesa që është në BeH, Maqedoni apo Shqipëri, madje edhe në Serbi. 

(Kosova Sot)