Aventurës së re të Kusari-Lilës i has "sharra në gozhdë"

  • 24 October 2016 - 07:45
Aventurës së re të Kusari-Lilës i has

Fetahu: Qëllimi i tyre final është që të krijojnë një 'satelit' politik krah ndonjë partie tjetër.

"Konsideroj se qëllimi i tyre final është që ta krijojnë megjithatë një subjekt të ri politik 'satelit', për të tjerët para zgjedhjeve, që eventualisht pas zgjedhjeve t'i kapen ndonjërit nga subjektet e mëdha politike vetëm sa për akomodimin e tyre personal dhe të disa njerëzve të tjerë rreth tyre", është shprehur analisti Ilir Fetahu për "Kosova Sot",raporton Gazeta Kosova Sot

Paralajmërimi i formimit të një subjekti të ri politik nga kryetarja aktuale e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari, dhe nga deputeti i larguar nga lëvizja 'Vetëvendosje', Ilir Deda, kishte për synim muajin qershor të këtij viti, por nga ajo kohë kaluan edhe katër muaj të plotë dhe akoma nuk po i dihet fundi finales së një aventure të tillë politike. Sido që të jetë, analistët politikë konsiderojnë se problemet e para, në të cilat ka hasur realizimi i kësaj nisme dëshmon më së miri për dështimin e saj që në start, meqë opinioni publik e ka lexuar me kohë këtë projekt të ri politik, i cili nuk ofron ndonjë alternativë serioze politike, kur dihet se po themelohet me figura të konsumuara dhe krejtësisht të dështuara në politikë-bërjen e deritanishme. Ndonëse tani është paralajmëruar muaji nëntor si një afat i ri kohor, kur ky subjekt politik mund të zbardhet si emër i ri dhe të aplikojë për regjistrim edhe në KQZ, njohësit e kësaj fushe nuk e shohin perspektivën e këtij subjekti politik më larg se deri në sigurimin e një fundi financiar për mbijetesë deri në zgjedhjet e reja, për të shërbyer si një parti e vogël satelite e oligarkëve të tanishëm biznesorë e politikë, pa përjashtuar këtu edhe mundësinë e infiltrimit në këto interesa të klanit 'Pronto' dhe 'Devollët'. "Unë që në momentin kur kanë dalë me këtë ide, ish-deputeti i lëvizjes 'Vetëvendosje', Ilir Deda, dhe Mimoza Kusari, që në atë kohë kam thënë që perspektiva e këtyre njerëzve për të themeluar dhe pasur sukses me një subjekt të ri politik është zero, sepse që të dytë janë vegla të përdorura në politikë, që kanë kaluar nëpër subjekte të ndryshme politike dhe qytetarët tanë nuk u besojnë më këtyre njerëzve, të cilët janë konsumuar dhe janë zhvlerësuar me shëtitjet e tyre të deritanishme në politikë, sado që ata mund të improvizojnë formimin e ndonjë partie të re politike", u shpreh për gazetën profesor Muhamet Kelmendi.

Vegël, në duart e mafisë ekonomike Sipas Kelmendit, qytetari ka pasur kohë të mjaftueshme që t'i vlerësojë të dyja këto figura që pretendojnë t'i prijnë një subjekti të ri politik, për të gjitha sukseset dhe mossukseset e tyre, dhe shikuar realisht nuk ka elemente pozitive, mbi të cilat do të duhej bazuar një besim të dhënë ndaj këtij grupimi të ri politik, që mbase mund të del së shpejti në skenë politike. "Nuk mendoj që këta mund të korrin ndonjë sukses, edhe pse kam disa informacione, që brenda javësh apo muajit ata do të dalin me emërtimin e një partie të re, por do të jetë një parti e re politike vetëm me emër, por pa ndonjë rol esencial për ndryshime në skenën e tanishme politike, për faktin se forcat përfaqë- suese që do të jenë në ballë të këtij subjekti politik nuk do të jenë të përgatitura me mundësi që të çojnë përpara procese të mëdha dhe projekte serioze për ndryshime", ka pohuar Kelmendi. Për më tepër, sipas tij, ata mund të jenë vetëm vegël në duart e mafisë ekonomike të lidhur me politikën dhe të ndikojnë edhe në çorientim e votuesit edhe ashtu shumë të fragmentarizuar. "Baza ekonomike, oligarkët e ndryshëm ekonomikë të Kosovës, që kanë uzurpuar në masë të madhe një pjesë të fushës së zhvillimit ekonomik dhe nuk po e lejojnë një frymëmarrje të lirë të zhvillimit ekonomik, sikur janë 'Devollët', sikur është ETC-ja me Ramiz Kelmendin, 'LESNA', 'ALBI Mall', etj, është e kuptueshme që do të pozicionohen kah formimi dhe financimi edhe i subjekteve të veta politike, që t'i krijojnë dhe financojnë nga ana e tyre, që do të mundohen t'i lansojnë diku edhe në pushtet, që përmes tyre, përmes shtetit dhe pushtetit, të tejkalojnë ndonjë rrezikim të mundshëm, për të vazhduar pa pengesë rrugën e kriminalizimit të ekonomisë dhe krijimit të rrjeteve kriminale, në mënyrë që të detyrohet krejt Kosova të bashkëpunojë me ta. Pra, një formë tillë e pritjes edhe të financimit është e logjikshme dhe është e pritshme të ndodhë edhe kjo", theksoi Kelmendi

Haziri: Nëse mbështeten tek klani "Pronto" do të sigurojnë përfaqësim në Kuvend Edhe analisti politik, Ilir Fetahu, u shpreh për "Kosova Sot" se që në fillim të lansimit të kësaj ideje për parti të re politike nga ky grupacion i prirë nga zonja KusariLila dhe Ilir Deda ka pasur vlerësimin e tij negativ sa i takon mundësisë dhe perspektivës së përfitimit të elektoratit nga ky subjekt i ri politik, i cili pavarësisht premtimit pompoz se do të formohet shpejt, akoma nuk po dihet nëse do të ndodhë apo dështojë në gjysmë të rrugës. "Unë mendoj se edhe kjo iniciativë e re politike, e paralajmëruar nga Mimoza KusariLila dhe Ilir Deda, që në start është një iniciativë e dështuar, dhe pavarë- sisht se a do të arrijnë ta themelojnë apo jo, edhe nëse themelohet do të mbetet vetëm, një emër i ri në letër. Po e them këtë me bindjen time të plotë se Kosova tani nuk ka nevojë për subjekte të reja politike, aq sa ka nevojë që të reformohen thellësisht partitë politike, që i kemi në skenë aktualisht, që në drejtimin e strukturave të tyre dhe më gjerë të vijnë në shprehje njerëzit e mirë, figura të reja me vizion të artë dhe ta gatshëm të marrin përgjegjësi për qeverisjen serioze të vendit për interesin e qytetarit dhe jo për "partijëza" të reja, që nuk mund të mbijetojnë as ta bindin pjesën dërrmuese të elektoratit, që kaherë është përcaktuar politikisht", u shpreh Fetahu. Ai mendon se me këtë iniciativë të re politike, është vetëm egoja e Ilir Dedës dhe ajo e Mimoza Kusarit-Lilës, që të provojnë të dëshmohen sa janë dikush, e që fatkeqësisht ata nuk janë mësuar për të krijuar asgjë, por janë mësuar të ulen vetëm nëpër sofrat e shtruara për t'i marrë benefitet, që nuk u takojnë, mirëpo marrja me politikë është një mal i tërë me probleme që duhet të sfidohen me një program, që duhet të ofrojë zgjidhje, e në këtë aspekt ata të dy si kreatorë dhe ideatorë është e sigurt se nuk mund të jenë asgjëkund në këtë aventurë, që e kanë filluar dhe nuk do të arrijnë të kenë mbështetjeje. Konsideroj se qëllimi i tyre final është që ta krijojnë megjithatë një subjekt të ri politik "satelit", për të tjerët para zgjedhjeve, që eventualisht pas zgjedhjeve t'i kapen ndonjërit nga subjektet e mëdha politike vetëm sa për akomodimin e tyre personal dhe të disa njerëzve të tjerë rreth tyre, që mendojnë sikur që janë këta, por është e sigurt që egoja e tyre për të dhënë diçka të re dhe të kapshme për shumicën e qytetarëve nuk mund të vijë në shprehje", tha Fetahu për "Kosova Sot". I mendimit që skena politike e Kosovës është e mbushur dhe nuk ka perspektivë për improvizime të reja joserioze politike është edhe politologu Arsim Haziri. "Historikisht është dëshmuar se subjektet e reja s'kanë mundur për të shtirë fuqinë e tyre. Kështu që edhe kjo nisma e re e Mimozës vështirë e ka për të ndikuar fuqishëm tek masa e gjerë popullore dhe eventualisht të shfrytëzojë mungesën e një force kredibile dhe të konsoliduar që e kërkon tani për tani një masë e konsiderueshme qytetare për ndryshime", u shpreh Haziri për "Kosova Sot". E financimi nga 'Devollët' dhe klani 'Pronto' që ta shfrytëzojnë për interesat e tyre nuk përjashtohet si mundësi as nga politologu Haziri.

(Kosova Sot)