Nikolla: Universitetet private kishin mbështetje politike deri në 2013-n

  • 24 October 2016 - 11:59
 Nikolla: Universitetet private kishin mbështetje politike deri në 2013-n

Qeveria nuk i ka favorizuar universitetet private. Kjo ka qenë deklarata e ministres së Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla, përpara pedagogëve. Ajo ka sqaruar se gjatë gjithë kësaj kohe ata nuk kanë lejuar të cenohet cilësia. Për të krahasuar situatën Nikolla iu referua vitit 2013 dhe tha se, “atëherë privati favorizohej politikisht dhe në konflikt të hapur interesi”.

Ministrja e Arsimit shënjestroi këshilltarin e ish-kryeministrit Berisha, i cili sipas saj, në të njëjtën kohë ishte edhe pronar i një universiteti.

“Ne sot kemi një raport tjetër me privatin, shumë më të arsyeshëm. Raport të ri të programeve. Në 2013-n gjetëm një situatë të përmbysur, hapja e sistemit me kohë të pjesshme, ndërhymë duke mos dhënë kuota”, tha Nikolla.

Sipas saj, ligji i ri mundëson një situatë krejt të re. “Ata që sot ne na akuzojnë për favorizim ju bëj me dije gjithë informacionin që ne kemi, se si bëhej akreditimi. 90 për qind e akreditimeve ishin me shkelje e pasoja financiare për familjet shqiptare. Akreditim që përfundonte brenda 3 ditëve. Cili standard e bën të mundur? Ishin praktika favorizuese, me orientim politik dhe në konflikt interesi. Ish-këshilltari i kryeministrit njëkohësisht ishte edhe pronar i një universiteti. Në këtë universitet kishte zero pedagogë të brendshëm. Ne e mbyllëm”, tha ajo.

(Kosova Sot)