"Novosti": Serbia nuk i ka dërguar "terrorist" Gjukanoviqit

  • 24 October 2016 - 12:31

Shërbimet serbe të sigurisë kanë ardhur deri në të dhëna të besueshme se asnjë nga strukturat zyrtare të Serbisë nuk ka marrë pjesë në ngjarjet në Mal të Zi gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Këtë e ka kuptuar "Veçernje Novosti", duke theksuar se kjo do të diskutohet edhe në seancën e sotme të Byrosë për koordinim të shërbimeve të sigurisë, të cilën e caktoi kryeministri serb Aleksandar Vuçiq.

Siç thekson gazeta, pritet që sot temë kryesore të jetë arrestimi i 20 shtetasve të Serbisë në Mal të Zi gjatë procesit zgjedhor, nën dyshimin se kanë përgatitur sulm në institucionet e këtij vendi dhe rrëmbimin e kryeministrit malazez Milo Gjukanoviq. Si organizator i grupit është theksuar ish komandanti i Xhandarmërisë të Serbisë Bratislav Dikiq,  të cilit i është caktuar paraburgim.  

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq për "Novosti" deklaroi se mes tjerash, në rend dite do të jetë edhe involvimi i mundur i shtetasve serb në ngjarjet në Mal të Zi. 

"Me urdhër të kryetarit të Qeverisë Vuçiq, do të mbahet seancë e Byrosë në të cilën do të bisedohet për tre tema shumë të rëndësishme. Krahas involvimit të mundur të shtetasve tonë në ngjarjet e fundit në Mal të Zi, do të bisedohet edhe për veprimin e shërbimeve të huaja të inteligjencës në territorin e Serbisë dhe mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, si dhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit", sqaroi Stefanoviq. 

Sipas burimeve të "Novosti", në muajt e  fundit agjentët e CIA-s dhe agjenci tjera të inteligjencës posaçërisht janë aktivizuar në Serbi në muajt e fundit, për të cilat dëshmojnë edhe aksionet e kundërzbulimit të operuesve serb, gjatë të cilave janë zbuluar raste të shumta të spiunimit.

(Kosova Sot)