Kelmendi: Ilir Deda e Mimoza Kusari janë vegla të përdorura në politikë

  • 24 October 2016 - 12:25
Kelmendi: Ilir Deda e Mimoza Kusari janë vegla të përdorura në politikë

Ndonëse tani është paralajmëruar muaji nëntor si një afat i ri kohor, kur ky subjekt politik mund të zbardhet si emër i ri dhe të aplikojë për regjistrim edhe në KQZ, njohësit e kësaj fushe nuk e shohin perspektivën e këtij subjekti politik më larg se deri në sigurimin e një fundi financiar për mbijetesë deri në zgjedhjet e reja, për të shërbyer si një parti e vogël satelite e oligarkëve të tanishëm biznesorë e politikë, pa përjashtuar këtu edhe mundësinë e infiltrimit në këto interesa të klanit 'Pronto' dhe 'Devollët'.

"Unë që në momentin kur kanë dalë me këtë ide, ish-deputeti i lëvizjes 'Vetëvendosje', Ilir Deda, dhe Mimoza Kusari, që në atë kohë kam thënë që perspektiva e këtyre njerëzve për të themeluar dhe pasur sukses me një subjekt të ri politik është zero, sepse që të dytë janë vegla të përdorura në politikë, që kanë kaluar nëpër subjekte të ndryshme politike dhe qytetarët tanë nuk u besojnë më këtyre njerëzve, të cilët janë konsumuar dhe janë zhvlerësuar me shëtitjet e tyre të deritanishme në politikë, sado që ata mund të improvizojnë formimin e ndonjë partie të re politike", u shpreh për gazetën profesor Muhamet Kelmendi.

Sipas Kelmendit, qytetari ka pasur kohë të mjaftueshme që t'i vlerësojë të dyja këto figura që pretendojnë t'i prijnë një subjekti të ri politik, për të gjitha sukseset dhe mossukseset e tyre, dhe shikuar realisht nuk ka elemente pozitive, mbi të cilat do të duhej bazuar një besim të dhënë ndaj këtij grupimi të ri politik, që mbase mund të del së shpejti në skenë politike.

"Nuk mendoj që këta mund të korrin ndonjë sukses, edhe pse kam disa informacione, që brenda javësh apo muajit ata do të dalin me emërtimin e një partie të re, por do të jetë një parti e re politike vetëm me emër, por pa ndonjë rol esencial për ndryshime në skenën e tanishme politike, për faktin se forcat përfaqë- suese që do të jenë në ballë të këtij subjekti politik nuk do të jenë të përgatitura me mundësi që të çojnë përpara procese të mëdha dhe projekte serioze për ndryshime", ka pohuar Kelmendi. Për më tepër, sipas tij, ata mund të jenë vetëm vegël në duart e mafisë ekonomike të lidhur me politikën dhe të ndikojnë edhe në çorientim e votuesit edhe ashtu shumë të fragmentarizuar. "Baza ekonomike, oligarkët e ndryshëm ekonomikë të Kosovës, që kanë uzurpuar në masë të madhe një pjesë të fushës së zhvillimit ekonomik dhe nuk po e lejojnë një frymëmarrje të lirë të zhvillimit ekonomik, sikur janë 'Devollët', sikur është ETC-ja me Ramiz Kelmendin, 'LESNA', 'ALBI Mall', etj, është e kuptueshme që do të pozicionohen kah formimi dhe financimi edhe i subjekteve të veta politike, që t'i krijojnë dhe financojnë nga ana e tyre, që do të mundohen t'i lansojnë diku edhe në pushtet, që përmes tyre, përmes shtetit dhe pushtetit, të tejkalojnë ndonjë rrezikim të mundshëm, për të vazhduar pa pengesë rrugën e kriminalizimit të ekonomisë dhe krijimit të rrjeteve kriminale, në mënyrë që të detyrohet krejt Kosova të bashkëpunojë me ta. Pra, një formë tillë e pritjes edhe të financimit është e logjikshme dhe është e pritshme të ndodhë edhe kjo", theksoi Kelmendi.

(Kosova Sot)