Smaka: Postet në borde i zënë militantët partiakë e të përkëdhelurit politikë

  • 24 October 2016 - 14:16
Smaka: Postet në borde  i zënë militantët partiakë e të përkëdhelurit politikë

Eksperti i fushës së drejtësisë dhe ekonomisë, Dr. Riza Smaka theksoi për " Kosova Sot" se në vendin tonë, mjerisht ekzistojnë jo pak abnormalitete. Ndër të tjera, ai spikat pagat mujore tepër të larta për anëtarë të bordeve të shumta, e veçanërisht ato të Trustit Pensional.

 "Pagat e bordistëve, të cilët kryesisht kanë takime mujore edhe për të cilat gëzojnë përfitime e benefite iracionale, janë të të pajustifikuara me asgjë. Edhe më parë, siç janë disa të prirë për të thënë në kohën e socializmit, kishte borde të cilat quheshin këshilla drejtuese në të cilat anëtarët e zgjedhur paguheshin vetëm për seancat efektive dhe për shujtat përkatëse ditore", u shpreh Smaka.

Sipas tij, bordistët, përkatësisht anëtarët e këshillave drejtuese të organizatave ekonomike të caktuara, kryesisht ishin profesionistë, madje ekspertët e fushave respektive dhe marrëdhënien e punës me të drejtat nga ajo i realizonin në vendet e përhershme të punës.

 " Aktualisht, postet e anëtarëve të bordeve në vend të profesionistëve të shquar, e mundësisht të ekspertëve respektivë, kryesisht i zënë partizanët partiakë dhe militantët partiakë e të përkëdhelurit politikë. Për të qenë e keqja më e madhe, anëtarët e bordeve aktuale paguhen majmë mbi çfarëdo kriteri të objektivizuar e racional jo vetëm me shujta, por me paga të rregullta", është shprehur Smaka. Ai thotë se për të qenë ironia sarkastike edhe më e madhe dhe iracionale, eprori i Trustit Pensional nga paratë e pensionistëve të nëpërkëmbur gërryen pagë mujore marramendësisht të lartë diku shifra sa dy paga të presidentit të shtetit tonë.

"Deri diku do të mund të flitej pro pagave të diferencuara, por vetëm për personat e profilit profesional të lartë, me eksperienca afirmative të manifestuara dhe verifikuara edhe më parë në punë drejtuese të entiteteve biznesore", ka theksuar Smaka. Ai tutje ka shtuar: "Paga e akëcilit bordist nuk do të mund të ishte mbi atë të presidentit,kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës". Smaka thekson se do të duhej që seriozisht të rishikohej numri i bordeve dhe të redukohej i njëjti me numrin e anë- tarëve të tyre. Ai thotë se pagat e bordistëve, nëse nuk do të zëvendësoheshin vetëm me shujtat për seanca efektive, do të kërkohej të reduktoheshin racionalisht në nivele të arsyeshme me kualifikimet dhe punët që i kryejnë përbrenda kornizave të kritereve të objektivizuara e të harmonizuara të pagave nga buxheti. "Këtë punë do të duhej ta bënte Qeveria e Kosovës, madje shumë kohë më parë. Nisur nga struktura dhe funksionimi inefikas i saj i deritashëm, mjerisht, nëse fare, atëherë krejt pak mund të pritet,që ajo, Qeveria, të kryente harmonizimin e pagave publike sipas hierarkisë dhe përgjegjësive funksionale nisur nga nivelet më të larta të pagave, nga presidenti, kryetari i Kuvendit, kryeministri e teposhtë", është shprehur ai.

(Kosova Sot)