Të enjten diskutohet propozimi i deputetes Kadriu për rrezikun nga paditë e arbitrazhit

  • 24 October 2016 - 14:50
 Të enjten diskutohet propozimi i deputetes Kadriu për rrezikun nga paditë e arbitrazhit

Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që të enjten të ketë seancë ku në rendë të ditës do të jenë disa pika, njëra nga pikat e rendit të ditës do të jete ajo e propozuar nga deputetja Margarita  Kadriu-Ukelli e mbështetur edhe nga nëntë deputetë të tjerë nënshkrues, lidhur me detyrimet e mundshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të cilën e kryesoi Kadri Veseli.

Në seancën e të enjtes, pas pikave te zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, do të shqyrtohet draft-Deklarata e Kuvendit për liberalizim të vizave.

Seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e projektligjeve. Kështu, për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, si dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për faljen e borxheve publike.

Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohen tri projektligje: Projektligji për kamatvonesat në transaksionet tregtare, Projektligji për shërbimin mjekësor emergjent, si dhe Projektligji për profesionet e rregulluara në Republikën e Kosovës. Më pas, pritet të bëhet emërimi i anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Me votim të fshehtë, pritet të zgjedhet një anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryesuesi i Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit,zëvendësdrejtori i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, si dhe një anëtar i Bordit të Komisionit të Pavarur për Media.

Në këtë seancë, do të formohet, gjithashtu, Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e një anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Media, si dhe KomisioniHetimor Parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, mbështetur edhe nga tetë deputetë të tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me Radiotelevizionin e Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia u njoftua me rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për transferin e mjeteve buxhetore për Radiotelevizionin e Kosovës për periudhën 1 tetor -31 dhjetor 2016, si dhe u shqyrtuan çështje të tjera që lidhen me aspekte të punës së përditshme të Kuvendit të Kosovës.

(Kosova Sot)