Gjyqësori i dobët rrënjosi thellë korrupsionin në shoqëri

  • 24 October 2016 - 07:49
Gjyqësori i dobët rrënjosi thellë korrupsionin në shoqëri

Shala: Gjyqtarët duhet të tregojnë guximin profesional, siç janë betuar.

"Për ta bërë zap Gjyqësorin, sigurisht që janë përdorur metodat e kërcënimit dhe ato të shantazhit, ndërsa për ta bartur pas vete dhe për ta detyruar atë të veprojë sipas kërkesave të oligarkëve politikë, kanë futur kësisoj metodat e yshtjes dhe korrupsionit", ka theksuar analisti Shefqet Dibrani,raporton Gazeta Kosova Sot

Bashkëfajtor i ngecjes së drejtë- sisë, por edhe moszhvillimit të mirëfilltë të vendit tonë në përgjithësi, një pjesë të fajit dhe përgjegjësisë për këtë veç të tjerash e mban edhe Gjyqësori kosovar, i cili e ka sjellë vetë këtë gjendje të brishtë në të. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, të cilët kanë veçuar se Gjyqësori duhet ta reformojë vetveten, por edhe të spastrohet nga elementët e involvuar në krim e korrupsion, dhe gjërat më pastaj kësisoj do binin fare kollaj në vendin e duhur. Ndaj është shtruar edhe pyetja se a janë përfitimet personale ato që e kanë katandisur kaq keq Gjyqësorin në Kosovë, ku thuajse mundojnë gjyqtarët me integritet, për të cilët foli edhe së fundmi ambasadori amerikan në Kosovë, dhe po ashtu a është Gjyqësori fajtori më i madh në këtë vend, ku kanë lëshuar rrënjë të thella paligjshmëritë, korrupsioni e krimi i organizuar, derisa askush nuk e ndien frikën e Gjyqësorit, pasi shumë kollaj mund ta blesh atë? Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se si duket oligarkët politikë nuk ishin aq të padjallëzuar për t'u futur në afera kaq të larta korruptive, si atyre të krimit politik, ekonomik e krimit të organizuar, pa u siguruar së pari se Gjyqësori në Kosovë asnjëherë nuk do të vepronte kundër tyre. " Andaj, për ta bërë zap Gjyqësorin sigurisht që janë përdorur metodat e kërcënimit dhe ato të shantazhit, ndërsa për ta bartur pas vete dhe për ta detyruar atë të veprojë sipas kërkesave të oligarkëve politikë kanë futur kësisoj metodat e yshtjes dhe korrupsionit, i cili në nivel vendi ka shkallë të lartë, derisa në anën tjetër tashmë deklaratat për peshq të mëdhenj dhe të vegjël janë bërë bajate, saqë edhe qytetari më i rëndomtë e ka kuptuar se janë vetëm lojë fjalësh, ngase nxjerrjen nga kllapia të Gjyqësorit në Kosovë mund ta bëjnë vetëm trysnia e vendeve të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe në asnjë mënyrë Gjyqësori nuk mund që të dalë vetë nga letargjia, madje as me lutje e përkëdhelje, të cilat nuk kanë mbështetjen e një mekanizmi që vë në lëvizje të gjitha proceset në Kosovë. E ky mekanizëm pa dyshim është ndikimi i pashmangshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës", ka vijuar më tej ai. 

Dibrani: Gjyqësori duhet të spastrohet nga elementët e inkriminuar Dibrani ka nënvizuar se për këtë gjendje të brishtë është pikërisht Gjyqësori ai që ka përgjegjësinë kryesore, pa të cilin, siç tha, asnjëherë nuk do të ketë drejtësi e as zhvillim të mirëfilltë në këtë vend, derisa për të rënë gjërat në binar, Dibrani mendon se fillimisht Gjyqësori duhet vetë të reformohet, por edhe të spastrohet nga elementët e involvuar në krim e korrupsion, e pastaj sistemi i policisë duhet të spastrohet e kështu me radhë gjërat e tjera do të binin fare kollaj në vendin e duhur. "Ndërsa se Gjyqësori është i korruptuar apo nëse është blerë, kjo është fare e lehtë vetëm nëse shikohen pasuritë dhe të përcillet standardi i tyre jetësor për të parë se deri në cilën shkallë edhe Gjyqësori në Kosovë është bashkëfajtor i gjendjes së tanishme në Kosovë. Prandaj, janë shumë inkurajuese deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Delawie, i cili tha se deklaratat për korrupsionin nuk duhet të mbeten vetëm fjalë, por sugjeroi të kalohet në vepra dhe shembuj konkretë. Prandaj, ambasadori amerikan, Delawie, është i vetëdijshëm për gjendjen e Gjyqësorit në Kosovë, andaj edhe u zotua duke premtuar se nuk do të mungojë përkrahja e Ambasadës amerikane në këtë drejtim", është shprehur Dibrani. 

Institucionet duhet të angazhohen seriozisht drejt luftimit të korrupsionit Ndërkaq avokati Nikë Shala thotë se është fat i madh për popullin shqiptar, që shteti amerikan, miku më i madh i Kosovës vazhdon ta mbështesë fuqishëm Kosovën në sferën e drejtë- sisë. Ndërsa, sipas tij, së fundmi deklarata e ambasadorit të SHBA-së, Greg Delawie, me rastin e fillimit të nismës ''për një Gjyqësor me integritet'' të programit për forcimin e sistemit të drejtësisë, ku Delawie deklaroi se lufta ndaj korrupsionit nuk duhet të bëhet vetëm me fjalë, por ajo të kalohet në vepra dhe të prijë me shembuj konkretë, është thellësisht iniciativë, që do të ketë ndikim pozitiv në vendin tonë dhe shpreson se nuk do të hasë në vesh të shurdhër. "Kjo, ngase konsideroj se përfundimisht ka ardhur koha që të gjitha institucionet relevante duhet të angazhohen seriozisht drejt luftimit të korrupsionit, i cili e ka dëmtuar rëndë imazhin e sistemit të drejtësisë, por edhe vetë shtetin e Kosovës. Andaj, Gjyqësori në vendin tonë duhet që me vendime meritore të argumentuara me prova materiale, ndaj të gjithë individëve që vërtetohet se kanë kryer vepra penale korruptive, të njëjtëve pa dallim t'u shqiptohet dënimi meritor dhe në këtë mënyrë do të arrihet edhe qëllimi i dënimit, si preventivë që kryerësit e veprave korruptive apo të natyrave të tjera të mos bien ndesh me ligjin, ndërsa gjyqtarët që gjykojnë vepra të natyrës së tillë duhet të tregojnë guximin profesional për çka edhe janë betuar për zbatim të ligjit", ka deklaruar për gazetën "Kosova Sot", avokati Nikë Shala. Në anën tjetër, eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, ka nënvizuar se luftimi i korrupsionit është një nga kushtet kryesore dhe më të rëndësishme për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë, derisa, sipas tij, ky kusht edhe mund të jetë i pakalueshëm, ngase, siç tha, duhet pasur rezultate konkrete dhe të arsyeshme në mënyrë që të arrihet një standard elementar. "Veç kësaj, duhet të fillojë edhe një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi, përndryshe nuk ka gjasa teorike të ketë një drejtësi të qëndrueshme çfarë edhe kërkohet të jetë, dhe e tillë pa ndonjë problem tjetër me konflikte interesi. Pra, ka shumë çështje rreth reformës së kuadrove, pasi duhet të fillojë një proces vlerësimi, pastaj sistemi i jurisprudencës apo provimi është ende komunist në Kosovë, i cili po prodhon vetëm kuadro të dobëta. Herën e fundit janë 130 njerëz që do t'i ngjiten drejtësisë, e që në mesin e tyre sikurse edhe më herët ka edhe njerëz, që e kanë 6 mesataren e tyre, dhe fatkeqësisht nëse bëhet një hulumtim i gjerë do të shihet se mbi 79 për qind janë me notë mesatare minimale, andaj kjo paraqet problem dhe kërkohet ndryshim i kuadrove", ka theksuar për gazetën "Kosova Sot", eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani.

(Kosova Sot)