PS ndryshon strategji për zgjedhjet e ardhshme, largon Kokëdhimën, në vend të tij Çuçi e Gjiknuri

  • 24 October 2016 - 17:09
PS ndryshon strategji për zgjedhjet e ardhshme, largon Kokëdhimën, në vend të tij Çuçi e Gjiknuri

Kryesia e Partisë Socialiste e mbledhur këtë të hënë, ka miratuar drejtuesit e grupeve të punës në 12 qarqe, kjo në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Sipas ndarjes, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, është drejtues i grupit të punës për qarkun e Tiranës. Kryetar i grupit të punës në Durrës, është emëruar kryebashkiaku, Vangjush Dako.  Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi është për Qarkun e Fierit, ku edhe është zgjedhur deputet në zgjedhjet e fundit, ndërsa ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi shkon në Qarkun e Beratit. 

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri emërohet drejtues i grupit të punës në Vlorë, post të cilin e mbante më  herët ish deputeti Koço Kokëdhima. Ndërsa Ditmir Bushati do të jetë drejtues në Shkodër. Ministri për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi emërohet në Gjirokastër, nënkryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, në Elbasan ndërsa ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja në Kukës.     

Gjithashtu, në Dibër do të jetë ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Kjo është një ndarje e re që bëhet në rang vendi, pasi më herët e majta ishte e ndarë në 6 qarqe, ku një deputet apo ministër kishte në mbikëqyrje mbarëvajtjen e proceseve brenda partisë në 2 qarqe.

(Kosova Sot)