Punëtorët kërkojnë të mbrohet interesi i tyre

  • 24 October 2016 - 20:22
Punëtorët kërkojnë të mbrohet interesi i tyre

KUVENDARËT NUK GJEJNË ZGJIDHJE PËR PROBLEMIN NË "ECOHIGJIENA"

Selami Xhemajli thotë se Komisioni i Aksionarëve ka konstatuar mospërmbushj en e obligimeve nga partneri privat dhe ne duhet të insistojmë që këto obligime të përmbushen

Patatja e nxehtë i lihet në dorë Hazirit

Gjendja në kompaninë "Ecohigjiena" në Gjilan, sa vjen e përkeqësohet. Zgjidhje këtij problemi nuk i dha as Kuvendi Komunal, në seancën e javës së kaluar, ku Komisioni i Aksionarëve u shpreh i pakënaqur ndaj partnerit privat, i cili, sipas tyre, nuk u lejon qasje të plotë në kompani. Këshilltarët u ndanë në dy taborë, ndërkohë që Këshilli i Punëtorëve reagoi duke thënë se çështja nuk u trajtua seriozisht. Patatja e nxehtë iu la në duar kryetarit të Komunës, që ai të angazhohet për tejkalimin e situatës së krijuar në kompaninë "Ecohigjiena", që funksionon në partneritet publiko-privat. Drejtori ekzekutiv i kompanisë vazhdon të mbetet në arrest shtëpiak edhe më tutje, shkruan gazeta Kosova Sot.

Këshilli i Punëtorëve i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri që të mbrojë të drejtën dhe interesat e punëtoreve, interesin e përgjithshëm të qytetarëve dhe sa më shpejt të gjejë një zgjidhje për krizën në të cilën ndodhet kjo kompani, sipas tyre, tash e një kohë të gjatë. "Çdo pritje ka një kufi dhe ne nuk marrim përgjegjësinë rast të përkeqësimit të situatës në kompani", thuhet në reagimin e Këshillit të Punëtorëve. Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka kërkuar që të mos politizohet gjendja në këtë kompani. "Ne po i koordinojmë aktivitetet me Këshillin e Punëtorëve, në mënyrë që ta normalizojmë punën", ka thënë ai, duke kërkuar nga asamblistët e Kuvendit që të ndihmojnë në normalizimin e kompanisë, meqë Kuvendi Komunal është bartës i kontratës. 

Rashiti: Fajtorë janë të dyja palët 

Xhelal Jetishi, kryesues i Komisionit të Aksionarëve në "Ecohigjiena", ka thënë se partneriteti publiko-privat nuk është kundërshtuar asnjëherë prej tyre, por çështja është se nuk janë përmbushur obligimet nga ky partner. Gjendja në kompani është vlerësuar e rënduar edhe nga Avdyl Aliu (LDK), i cili ka sugjeruar që t`i jepet përkrahje kryetarit të Komunës që të angazhohet për zgjidhjen e problemit. Sipas Riad Rashitit (PDK), fajtorë për këtë gjendje në "Ecohigjienë" janë të dyja palët, sepse ka munguar bashkëpunimi i ndërsjellë. Ndërkaq dega e PDKsë, përmes një reagimi publik, ka kërkuar llogari nga drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Bordi i Drejtorëve, pjesa publike, sepse, sipas saj, janë treguar të paaftë në mbrojtjen e interesave të punëtorëve dhe kompanisë në përgjithësi. Selami Xhemajli (AAK) thotë se Komisioni i Aksionarëve ka konstatuar mos përmbushjen e obligimeve nga partneri privat dhe ne duhet të insistojmë që këto obligime të përmbushën. Nevzad Isufi (VV) thotë se mospërmbushja e obligimeve nga partneri privat, është problem serioz. "Duhet t`i kërkohet këtij partneri që brenda një afati të caktuar t`i përmbushë kushtet e kontratës, ose ndryshe kontrata duhet të rishikohet", ka thënë Isufi, duke sugjeruar që zgjidhja të kërkohet përmes një komisioni neutral. Isa Agushi (LDK) ka qenë më i ashpër. Sipas tij, gjendja në "Ecohigjienë" është e patolerueshme. "Komisioni i Aksionarëve injorohet nga partneri privat, i cili quhet investitorë në marrëveshje, por në realitet nuk ka investuar asgjë, pos që i ka shitur asetet publike. Ai ka kërkuar që në këtë kompani të caktohet urgjentisht një ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv, sepse "Ecohigjena" ka mbetur pa zot shtëpie", ka thënë Agushi. 

Ky s`është partneritet 

Ibish Ibishi (AAK) ka thënë se raporti i partnerit privat, shumë pak i përgjigjet realitetit, sepse vetëm 9 për qind të investimeve janë realizuar. "Ky nuk është partneritet", ka thënë Ibishi. Edhe Leonora Bunjaku (PDK) ka thënë se nuk ka arsyetime për mospërmbushje të obligimeve. Fehmi Sylejmani (VV) ka propozuar që Kuvendi të formojë një komision për vlerësimin e gjendjes, i cili do të udhëhiqet nga opozita. Komision ka propozuar edhe Sahit Abazi (PDK), por ai e ka quajtur komision lehtësues, i cili do t`i ofronte palët në këtë kompani, për të punuar bashkërisht në tejkalimin e situatës së krijuar. Valentina Bunjaku - Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se ne i kemi aksionarët në këtë kompani dhe nuk kemi nevojë për komisione shtesë atje. "Kuvendi Komunal nuk është ai që vendos për prishjen e këtij partneriteti", ka thënë ajo dhe ka kërkuar nga grupimet politike në asamble që t'i lihet kohë kryetarit të Komunës ta zgjidhë këtë situatë, në bashkëpunim me partnerin privat. 

(Kosova Sot)