Çamët dhe ligji i luftës, Meta: Tsipras do zgjidhje, me qeveritë e tjera do e kemi vështirë

  • 24 October 2016 - 20:48
Çamët dhe ligji i luftës, Meta: Tsipras do zgjidhje, me qeveritë e tjera do e kemi vështirë

Çështja çame nuk mund të ketë asnjë zgjidhje të njëanshme që mund të shmangë dialogun me Greqinë. Kështu u shpreh kreu i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, duke shtuar se nëse dikush ka një zgjidhje tjetër, atëherë duhet ta shtrojë në debat të hapur për ta vlerësuar nëse do të ishte e duhura.

Gjatë emisioni “5 Pyetje nga Babaramo”, kryeparlamentari u pyet në lidhje me aludimet që partia e Shpëtim Idrizit, PDIU pati ndaj vizitës së Metës në Athinë.

“Unë personalisht nuk shoh asnjë zgjidhje të njëanshme,  duke shmangur dialogun me Greqinë. Në rast se dikush tjetër ka një zgjidhje të  njëanshme, duhet të na e thotë dhe në rast se e vlerësojmë që kjo është zgjidhja e duhur, nuk kemi asnjë arsye përse të mos e mbështesim.Bindja ime e plotë është që kjo zgjidhje do të vijë vetëm përmes dialogut dhe përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të gjithanshme me Greqinë. Kjo është një plagë që ka ndodhur në të kaluarën; kjo është një plagë që nuk është mbyllur; kjo është një plagë që duhet shëruar dhe mund të shërohet vetëm me  një dialog të mençur dhe të kujdesshëm”, tha Meta.

I pyetur në lidhje me shkrimin në gazetën greke “Kathimerini” ku thuhej se pas PDIU-së qëndron Erdogan, Meta u përgjigj: Nuk merrem me komentet e gazetës “Kathimerini”, por merrem me qëndrimet e mia të dhëna për këtë gazetë.

Meta konfirmoi se gjatë takimit me kryeministrin grek Aleksis Tsipras është folur për heqjen e ligjit të luftës, duke evidentuar faktin se qeveria aktuale në shtetin fqinj është e disponueshme për të zgjidhur cështjet e së kaluarë.

“Kjo ka qenë një vizitë në kuadrin e shkëmbimit në nivelin më të lartë të kontakteve parlamentare. Nuk ka qenë një vizitë, e cila ka marrë përsipër të diskutojë apo të zgjidhë çështje të caktuara, sepse i takojnë diplomacisë dhe  ekzekutivit. Unë mund t’ju them se nuk shoh një partnere më të disponueshme për të zgjidhur çështjet e së kaluarës sesa qeveria aktuale, pasi mendoj se qeveritë e tjera që do të vijnë në Greqi do të jenë më të vështira  për të diskutuar çështje të tilla. Kështu që duhet të mendojmë me shumë kujdes dhe mirëbesim që të trajtohen këto çështje, të vihen në rrugën e zgjidhjes dhe të ndikohemi sa më pak nga presionet politike apo elektorale”, u shreh kryeparlamentari.

Referuar deklaratës se qeveria e Tsipras është ndryshe nga qeveritë e mëparshme greke, Meta shtoi: Është një qeveri shumë më e hapur, e gatshme për t’u dhënë edhe shtetësinë fëmijëve të emigrantëve, që lindin atje, por edhe për t’u zgjidhur shumë probleme, shumë pengesa praktike e burokratike që ata kanë. Kjo është një qasje publike e Syriza-s për integrimin më të plotë të tyre.

Sipas tij, kjo qeveri ka dëshirë për t’i dhënë problemeve të së kaluarës një zgjidhje sa më të drejtë.

Zgjidhja e çështjet çame sipas Metës mund të vijë në radhë të parë përmes rritjës së mirëbesimit midis palëve, por edhe si rezultat i një garancie se nuk do të ketë një tejkalim të së drejtës.

“Po ashtu, mjaft e rëndësishme është të kuptojmë edhe qëndrimin e palëve, pra të mos kuptojmë vetëm qëndrimin e palës sonë dhe argumentet e saj, por të kuptojmë edhe qëndrimin e palës tjetër dhe mundësitë apo pamundësitë e saj për ta trajtuar çdo çështje të së kaluarës në mënyrën më të mirë. Prandaj, unë them se ka shumë rëndësi klima, ka shumë rëndësi një arritje e një marrëveshjeje kuadër për të gjitha këto çështje, e cila të jetë e pranueshme dhe në përputhje me ligjet ndërkombëtare, me konventat ndërkombëtare, ku bëjnë pjesë të dyja vendet, dhe me standardet europiane. Për mua thelbësore në radhë të parë është shfuqizimi formal i ligjit të luftës, i cili hap rrugën edhe për shumë zgjidhje të tjera, të cilat janë elemente të rëndësishme të kësaj çështjeje, që ne e konsiderojmë “çështja çame”. – theksoi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

(Kosova Sot)