Klanit 'Pronto' i prishet "strofulli" në ATK e në Dogana

  • 24 October 2016 - 07:40
Klanit 'Pronto' i prishet

Zeqa: Ndryshimet në këto institucione shkaktuan tronditjet më të mëdha në radhët e PDK-së

"S'ka asnjë dilemë se ATK-ja dhe Dogana e Kosovës janë dy mekanizmat kryesorë, përmes të cilëve është financuar krimi i organizuar me qindra miliona euro. Tash LDK-ja dhe veçanërisht ministri Avdullah Hoti ka filluar t'i prishë disa nga çerdhet e krimit dhe kjo e ka bërë shumë nervoz Kadri Veselin. Por, mos të harrojmë se edhe AKP-ja dhe PTK-ja kanë qenë dhe mbeten ndër burimet kryesore dhe më të mëdha të financimit të krimit të organizuar", u shpreh për gazetën "Kosova Sot" deputeti Adem Salihaj ,raporton Gazeta Kosova Sot

P aralajmërimi më i ri i kryetarit të PDK-së, njëherësh edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, për mundësinë e marrëveshjes politike për zgjedhje të jashtëzakonshme, ka hasur në reagime të gjera tek zyrtarë të ndryshëm të strukturave të LDK-së. Madje, ky pozicionim i papritur i Veselit karshi mundësisë së shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme është vlerësuar si një skenar i paramenduar i PDK-së dhe Kadri Veselit që të prishet koalicioni me LDK-në, vetëm e vetëm nga frika se LDKja me procesin e riemërimeve të reja nëpër institucionet kyçe, do t'ua u prishte rrjetin e deritanishëm kriminal të instaluar gjithandej në institucione përmes emërimeve nga e kaluara. Me këtë manovrim të ri, sipas LDK-së dhe analistëve politikë, vlerësohet se PDK-ja dëshiron t'i ruajë ose edhe t'i ridërgojë njerëzit e vet, t'i sistemojë ata në pozitat kyçe në institucionet vitale, siç janë Doganat, ATK-ja e shumë të tjera, të cilat realisht qeverisen edhe tani nga klani 'Pronto' & PDK? Kjo, pra ishte edhe një arsye pse klani "Pronto" u çmend, kur u bënë ndryshimet në ATK dhe tani po frikësohet edhe nga përzgjedhja e drejtorit në Dogana dhe në institucione të tjera që mund t'i dalin nga dora.

Salihaj: Veseli ëndërron që ta marrë pozitën e kryeministrit Për deputetin e LDK-së, Adem Salihaj, një nga kundërshtarët e fuqishëm të këtij koalicioni me PDK-në që nga fillimi, një skenar i tillë që po e paralajmëron Veseli veç ka qenë i pritshëm, ndonëse ka vonuar pak a shumë në kohë, sepse ai me këto zgjedhje pretendon që të ngjitet përtej kryetarit të Kuvendit, në pozitën e kryeministrit. "Unë e kam paralajmëruar qysh moti se Kadri Veseli mund ta bëjë lojën e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo është pritur prej tij dhe nuk është befasi. Po ashtu, Kadri Veseli ëndërron që ta marrë pozitën e kryeministrit, sepse vetëm në atë mënyrë do t'i ruante qind për qind të gjitha strukturat e krimit që i ka instaluar në pushtet. Në aferën "Pronto" u pa vetëm maja e kodrës së akullit, por kodra e madhe e krimit ende fshihet nën ujë. S'ka asnjë dilemë se ATK-ja dhe Dogana e Kosovës janë dy mekanizmat kryesorë, përmes të cilëve është financuar krimi i organizuar me qindra miliona euro. Humbja e kontrollit mbi këta mekanizma pa dyshim që e ka bërë shumë nervoz shefin e krimit. Por, mos të harrojmë se edhe AKP-ja dhe PTK-ja kanë qenë dhe mbeten ndër burimet kryesore dhe më të mëdha të financimit të krimit të organizuar. Tash LDK-ja dhe veçanërisht ministri Avdullah Hoti ka filluar t'i prishë disa nga çerdhet e krimit dhe kjo e ka bërë shumë nervoz Kadri Veselin", theksoi deputeti Adem Salihaj për "Kosova Sot". Salihaj konsideron që pavarësisht kundërshtimeve në LDK për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, Veseli mund ta marrë lehtë- sisht mbështetjen e opozitës dhe kështu mbivoton edhe LDK-në për të arritur qëllimin e tij, në rast se deri në realizimin e këtij projekti nuk bie në grepin e Gjykatës Speciale. "Nuk ka dilemë se ai, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e opozitës, do të mundohet t'i instrumentalizojë ato për interesat e veta dhe të krimit të organizuar , por dhe për ta vënë LDKnë në një pozitë sa më të pafavorshme në zgjedhjet e ardhshme. Se a do t'i arrijë këto qëllime, do ta shohim. Po afrohen arrestimet nga Gjykata Speciale dhe Kadri Veseli mund të jetë një kandidat serioz për atje. Ndoshta, përmes të gjitha këtyre makinacioneve ende shpreson se mund t'i shpëtojë asaj", spikati Salihaj.

Zeqa: Klani 'Pronto' po humb kontrollin mbi ATK-në dhe Doganat Për analistin politik Florim Zeqa, paralajmërimet e kryeparlamentarit Veseli dhe kryetar i PDK-së për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, është njëri nga skenarët e radhës për prishjen e koalicionit me partnerin qeverisës, LDK-në. Kjo prishje e koalicionit apo "Zanzibari 2", sipas analistit Zeqa, vjen si rrjedhojë e dy situatave: "E para, nga frika se LDK-ja mund t'i sistemojë njerëzit e vet në pozitat kyçe në institucionet vitale, siç janë Doganat, ATK-ja e shumë të tjera, të cilat realisht qeverisen aktualisht nga klani 'Pronto'& PDK, dhe e dyta, është 'ngrirja' e raporteve të Listës Serbe me Qeverinë e Kosovës, gjë e cila ia bën kësaj të fundit të pamundur votimin në Kuvend të Demarkacionit me Malin e Zi", theksoi Zeqa. Megjithatë, sipas tij, prishja e rrjetit kriminal të instaluar kaherë nga klani 'Pronto' nëpër institucionet e shtetit për dy mandatet e kaluara ka bërë që PDK-ja të mendojë për gjetjen e rrugës më të përshtatshme të prishjes së koalicionit, në mënyrë që të shpëtojë dhe mbajë rrjetin e vet në institucione. "Varianti i parë ka shkaktuar tronditje më të mëdha në radhët e PDK-së, ngase me ndryshimet në ATK, përzgjedhja e drejtorit të Doganave dhe institucioneve të tjera nga LDK-ja, sigurisht që ia bën të pamundur klanit "Pronto" kontrollin mbi këto institucione. Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, përveç parandalimit të emërimeve të sipërpërmendura nga LDK-ja, do t'ia 'shpëtonte' fytyrën Qeverisë nga veprimet e fundit destruktive të Listës Serbe në raport me Ligjin e aprovuar për 'Trepçën' në Kuvendin e Republikës së Kosovës", theksoi Florim Zeqa.

Hertica: Veseli ka strategjinë e tij politike të dinakërisë Zgjedhjet e jashtëzakonshme mund të jenë humbje për LDK-në dhe shpëtim për klanin 'Pronto' edhe sipas analistit politik Ali Hertica. "Paralajmërimi i kryekuvendarit dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për një marrëveshje politike ka sjellë një huti tek partneri i koalicionit LDK-ja . E gjithë kjo që sot PDK-ja bën është një lojë me partnerin e saj, ndonëse është diçka e pritur. Unë me kohë e kam thënë që Kadri Veseli nuk do të rrijë i qetë deri në kryerjen e plotë të mandatit të koalicionit, sepse ai me strategjinë e tij politike të dinakërisë, që në fillim është vërejtur se ka për qëllim ta shtrijë autoritetin e tij jo vetëm brenda, por dhe jashtë subjektit politik, deri tek realizimi i qëllimit të tij personal, por edhe i subjektit politik PDK, që tani synon edhe marrjen e Qeverisë, pas zgjedhjes së Hashim Thaçit për president", theksoi Hertica. Edhe politologu Islam Krasniqi konsideron se prapaskenat e PDK-së gjithmonë kanë qenë si projekte rezervë për t'i shkatërruar partnerët e koalicionit, prandaj ky skenar tani mund të jetësohet edhe kundër LDK-së. "PDK-ja ka qenë partia, e cila e ka djegur çdo subjekt politik, i cili ka hyrë në koalicion qeverisës me të, dhe po të njëjtin e ka bërë edhe me LDK-në, të cilës ia ka futur dy këmbët me një këpucë, duke iu përzier në punët e Qeverisë, edhe në punët e kryeministrit Mustafa, ku të gjitha dështimet po mundohet t'ia hedhë mbi supe atij", u shpreh Krasniqi për "Kosova Sot". Sidoqoftë, sipas politologut Krasniqi, LDK-ja nuk e ka fuqinë që të prekë njerëzit e nëntokës dhe as zyrtarët, të cilët ishin emëruar nga e kaluara dhe riemërimeve që duhet bërë tani, të cilët janë të mbytur në punë të pista, sepse PDK-ja ende po i mban njerëzit e vet në të gjitha institucionet më të rëndësishme në vend, dhe kur shefi i Qeverisë, Mustafa, bëri ndryshime në ATK, PDK-ja e kërcënoi edhe me dalje nga koalicioni qeverisës. "Prandaj, tani PDK-ja po e sheh LDK-në të shtrirë përtokë dhe mendon së është koha më e mirë për zgjedhje, duke u thirrur në dështimin e Qeverisë, e cila udhëhiqet nga LDK-ja", theksoi Islam Krasniqi

 

(Kosova Sot)