Super-pagat në borde, për t'u kryer favore pushtetarëve

  • 24 October 2016 - 07:51
Super-pagat në borde, për t'u kryer favore pushtetarëve

Smaka: Duhet të rishikohet numri i bordeve e të reduktohet numri i anëtarëve dhe paga.

"NP-të,Trusti dhe agjencitë e pavarura të shtetit fund e krye po keqpërdoren për t'i mbajtur e për t'i pasuruar militantët partiakë me paga të larta dhe për t'u shërbyer më pas politikanëve verbërisht, të cilët u kryejnë favore pushtetarëve, qoftë në punësimin e familjarëve të tyre dhe militantëve të tjerë, porse në këtë mënyrë i shkatërrojnë ndërmarrjet publike ", është shprehur deputeti Enver Hoti,raporton Gazeta Kosova Sot

Vendimet e vazhdueshme të Qeverisë së Isa Mustafës për emërimin e partizanëve e militantëve partiakë dhe të përkëdhelurve politikë që janë pjesë e koalicionit LDK-PDK, nëpër bordet e NP-ve dhe të Trustit Pensional të Kosovës tregon se me gjithë vërejtjet e BE-së, një trend i tillë po vazhdon dhe kjo ka irrituar tej mase përfaqë- sues të OJQ-ve, ekspertët e ekonomisë, specialistë të kësaj fushe dhe deputetë të opozitës. Ata ankohen se të emëruarit me super-pagat e tyre nëpër bordet e NP-ve dhe Trustin Pensional, po u shërbejnë verbërisht pushtetarëve aktualë. Shumë nga udhëheqësit e bordeve të NP-ve dhe agjencive të ndryshme, paguhen prej 3 mijë deri në mbi 5 mijë euro në muaj. Për standardin e Kosovës, ky është një burim i pakënaqësisë së njerëzve kur dëgjojnë për këto paga tepër të larta. Edhe pse paguhen shumë, performanca e ndërmarrjeve dhe agjencive nuk është e kënaqshme dhe shumë prej tyre po i shkatërrojnë këto NP. 

Smaka: Pagat e anëtarëve të bordeve dhe Trustit janë iracionalisht të larta Eksperti i fushës së drejtësisë dhe ekonomisë, Dr. Riza Smaka theksoi për " Kosova Sot" se në vendin tonë, mjerisht ekzistojnë jo pak abnormalitete. Ndër të tjera, ai spikat pagat mujore tepër të larta për anëtarë të bordeve të shumta, e veçanërisht ato të Trustit Pensional. "Pagat e bordistëve, të cilët kryesisht kanë takime mujore edhe për të cilat gëzojnë përfitime e benefite iracionale, janë të të pajustifikuara me asgjë. Edhe më parë, siç janë disa të prirë për të thënë në kohën e socializmit, kishte borde të cilat quheshin këshilla drejtuese në të cilat anëtarët e zgjedhur paguheshin vetëm për seancat efektive dhe për shujtat përkatëse ditore", u shpreh Smaka. Sipas tij, bordistët, përkatësisht anëtarët e këshillave drejtuese të organizatave ekonomike të caktuara, kryesisht ishin profesionistë, madje ekspertët e fushave respektive dhe marrëdhënien e punës me të drejtat nga ajo i realizonin në vendet e përhershme të punës. " Aktualisht, postet e anëtarëve të bordeve në vend të profesionistëve të shquar, e mundësisht të ekspertëve respektivë, kryesisht i zënë partizanët partiakë dhe militantët partiakë e të përkëdhelurit politikë. Për të qenë e keqja më e madhe, anëtarët e bordeve aktuale paguhen majmë mbi çfarëdo kriteri të objektivizuar e racional jo vetëm me shujta, por me paga të rregullta", është shprehur Smaka. Ai thotë se për të qenë ironia sarkastike edhe më e madhe dhe iracionale, eprori i Trustit Pensional nga paratë e pensionistëve të nëpërkëmbur gërryen pagë mujore marramendësisht të lartë diku shifra sa dy paga të presidentit të shtetit tonë. "Deri diku do të mund të flitej pro pagave të diferencuara, por vetëm për personat e profilit profesional të lartë, me eksperienca afirmative të manifestuara dhe verifikuara edhe më parë në punë drejtuese të entiteteve biznesore", ka theksuar Smaka. Ai tutje ka shtuar: "Paga e akëcilit bordist nuk do të mund të ishte mbi atë tëpresidentit,kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës". Smaka thekson se do të duhej që seriozisht të rishikohej numri i bordeve dhe të redukohej i njëjti me numrin e anë- tarëve të tyre. Ai thotë se pagat e bordistëve, nëse nuk do të zëvendësoheshin vetëm me shujtat për seanca efektive, do të kërkohej të reduktoheshin racionalisht në nivele të arsyeshme me kualifikimet dhe punët që i kryejnë përbrenda kornizave të kritereve të objektivizuara e të harmonizuara të pagave nga buxheti. "Këtë punë do të duhej ta bënte Qeveria e Kosovës, madje shumë kohë më parë. Nisur nga struktura dhe funksionimi inefikas i saj i deritashëm, mjerisht, nëse fare, atëherë krejt pak mund të pritet,që ajo, Qeveria, të kryente harmonizimin e pagave publike sipas hierarkisë dhe përgjegjësive funksionale nisur nga nivelet më të larta të pagave, nga presidenti, kryetari i Kuvendit, kryeministri e teposhtë", është shprehur ai 

Nuk i meritojnë pagat e larta që i marrin Opozita kritikon Qeverinë se ndërmarrjet publike, Trusti dhe agjencitë e pavarura të shtetit fund e krye po përdoren për t'i mbajtur e për t'i pasuruar militantët partiakë me paga të larta dhe për t'u shërbyer më pas politikanëve verbërisht. Deputeti i opozitës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën) është i mendimit se në asnjë mënyrë rrogat e mëdha të menaxherëve të NP-ve dhe agjencive të pavarura nuk meritohen, sepse pagat në ndërmarrjet publike dhe në institucionet, siç janë Trusti Pensional dhe AKP-ja, vazhdojnë të jenë jashtë çdo rrethane normale. " NP-të,Trusti dhe agjencitë e pavarura të shtetit fund e krye po keqpërdoren për t'i mbajtur e për t'i pasuruar militantët partiakë me paga të larta dhe për t'u shërbyer më pas politikanëve verbërisht, të cilët u kryejnë favore pushtetarëve, qoftë në punësimin e familjarëve të tyre dhe militantëve të tjerë, porse në këtë mënyrë i shkatërrojnë ndërmarrjet publike ", është shprehur deputeti Enver Hoti. 

Canhasi: Në vend të privilegjeve, nevojiten sanksione Ndërkaq, përfaqësuesi i shoqërisë civile, menaxheri i programit antikorrupsion në Institutin Demokratik të Kosovës,(KDI), Artan Canhasi,ka thënë për "Kosova Sot" se menaxherët e NP-ve dhe agjencive të pavarura nuk i meritojnë pagat e larta. "Nuk i meritojnë për shkak se këto kompani në shumicën e rasteve operojnë me humbje të përgjithshme neto". Sipas Canhasit, nuk duhet që të mbështeten tutje, por të sanksionohen këta udhëheqës, por në fakt këtu te ne ndodh e kundërta. Ai thotë se këto ndërmarrje publike apo agjenci të pavarura shpeshherë shërbejnë si vend për akomodimin e militantëve politikë. "Njerëzit, të cilët shpeshherë kanë kandiduar në zgjedhje dhe nuk kanë fituar apo janë shpenzuar politikisht, janë rehatuar në këto borde". Sipas tij, kjo shërben si një lloj bonusi për ata persona, të cilët i kanë kryer partisë favore të ndryshme. Eksperti i ekonomisë, Muhamet Sadiku për "Kosova Sot" është shprehur se me këto paga marramendëse nuk është rastësi që bordet dhe udhëheqësit e ndërmarrjeve janë kryesisht politike. Ai thotë se, për fat të keq, këto paga nuk kanë lidhshmëri me suksesin e ndërmarrjeve publike. Ndërkaq, me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Qeverisë së Kosovës për këto hiperpaga dhe emërtime partiake nëpër bordet e ndërmarrjeve publike, zyrtarët e Qeverisë nuk kanë dhënë përgjigje të dielën.

(Kosova Sot)