KMDLNj tregon shkeljet që do t’i bëjë Gjykata Speciale

  • 25 October 2016 - 10:38
KMDLNj tregon shkeljet që do t’i bëjë Gjykata Speciale

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka numruar shkeljet që do t’i bëjë Gjykata Speciale lidhur me të akuzuarit shqiptarë, duke thënë se ata do të diskriminohen në fushën e mbrojtjes efektive, do të jenë të privuar nga vizitat e familjes, si dhe do të jenë të privuar nga e drejta e qasjes në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

KMDLNj thotë se të akuzuarit e mundshëm janë thuaja të dënuar sepse ndaj tyre po zhvillohet një luftë psikologjike dhe një fushatë akuzuese, ende pa filluar procesi gjyqësor.

“Të akuzuarit e kanë ndjenjën se kjo Gjykatë do të punojë sipas fajësisë mbi baza etnike dhe jo në bazë të provave të siguruara. Kjo Gjykatë Speciale del mbi mandatin e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish Jugosllavinë sikur edhe Tribunalin e Arushas për Krime në Ruanda shkaku se mirret vetëm me njërën palë ndërluftuese e që Tribunalet në fjalë e kanë bërë të kundërtën me qasjen e tyre holistike ( gjithëpërfshirëse) për gjykimin e të gjitha palëve të përfshira në konflike të armatosura”, thuhet në reagim.

Po ua sjellim të plotë reagimin e KMDLNj-së:

A do të mbrohen të drejtat e njeriut të të dënuarve shqiptarë para Gjykatës Speciale?

Gjykata Speciale që do të ndajë pa – drejtësi vetëm për shkelësit shqiptarë të ligjeve të luftës në një luftë “multietnike” po konsolidohet ditë – ditës dhe, së fundi Parlamenti i Holandës e ratifikoi marrëveshjen për selinë e kësaj gjykate të “Kosovës” dhe e cila do të punojë “sipas ligjeve të Kosovës”, në territorin e Holandës. Për punën një vjeçare të “kësaj gjykate të Kosovës” u ndanë afërsisht 30 milionë euro nga e cila, Gjyqësori i Kosovës dhe buxheti i Kosovës do të përfitojnë 0 – zero cent e që nuk është normale për një shtet normal e lëre më për një shtet, me ligjet e së cilës formohet Gjykata Speciale.

Të arrestuarit, të akuzuarit dhe të dënuarit eventual do të jenë të gjithë shqiptarë, kurse, prokurorët, gjyqtarët, administrata dhe gardianët e burgjeve do të jenë të gjithë ndërkombëtarë që është përparësi e Kosovës në planin ndërkombëtar sepse, përkundër papunësisë thuaja 55 – 60 %, varfëri mbi 50 % të qytetarëve të saj po gjen mundësi të punësojë ndërkombëtarët me paga jashtëzakonisht të larta që do të jetojnë dhe punojnë në shtetet e pasura dhe mondane sikur është Holanda.

KMDLNj ua përkujton opinionit në Kosovë se të gjithë të dënuarit shqiptarë, shtetas të Kosovës, dënimet e tyre do t’i vuajnë në burgjet që i cakton gjykata e që në asnjë rast nuk do të jenë burgjet e Kosovës e që është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria sipas standarteve ndërkombëtare dhe sipas Rregullave Europiane të Burgjeve ku parashihet që i dënuari duhet të mbajë dënimin sa më afër familjes e që shqiptarëve të dënuar nga kjo Gjykatë Speciale që punon “sipas ligjeve të Kosovës”, u mohohet skajshmërisht.

Edhe Kushtetuta e Kosovës ua njeh këtë të drejtë personave të dënuar sepse ligjet e Kosovës janë harmonizuar me standartet e BE – së, para se të miratohen nga Kuvendi i Kosovës. Të gjithë të dënuarit në shtet e BE – së, pas shfrytëzimit të të gjitha mundësive të ankimimit për padrejtësi eventuale të gjykatave, si adresë të fundit e kanë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e që të dënuarit shqiptarë që do të dënohen nga Gjykata Speciale që “ punon sipas ligjeve të Kosovës”, nuk do ta kenë mundësinë shkaku se Kosova si shtet që “ e kanë themeluar Gjykatën Speciale në Holandë”, nuk është anëtar e Këshillit të Evropës dhe nuk ka qasje në këtë Gjykatë.

Në kuadër të Gjykatës Speciale që “punon sipas ligjeve të Kosovës” është improvizuar dhe Institucioni i Ombudspersonit që paraqet një adresë pa adresë për adresimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut për të arrestuarit, të akuzuarit dhe të dënuarit. Gjykata Speciale “që punon sipas ligjeve të Kosovës” ka filluar një fushatë vetdijësimi në Kosovës kur ishte për vizitë në Kosovë dhe shefja e Informimit të kësaj Gjykate Speciale e cila u takua me dy OJQ të Kosovës që nuk kanë fare të bëjnë me krime lufte. Njëra është nga Graqanica, kurse, tjetra nga Prishtina e Beogradit.

Gjithashtu, për ndërtimin e përshtypjeve në opinion të kësaj Gjykate ku përfshihen vetëm opinionet pozitive e që përjashtohen opinionet mospajtuese, është angazhuar një OJQ ndërkombëtare PAX, për para të majme e cila ka pasur qasje diskriminuese dhe përjashtuese ndaj OJQ – ve që nuk janë pajtuar me pikëpamjet e tyre për Gjykatën Speciale, ndërsa, kanë favorizuar OJQ – të , individë dhe medie që e kanë afirmuar punën e kësaj Gjykate që ndanë pa – drejtësi vetëm për njërën palë ndërluftuese (shqiptarët) kurse, i amniston kriminelët që janë përgjegjës për vrasjen e mbi 12. 000 shqiptarëve, dëbimin e 1 milion shqiptarëve, dhunimin masiv të femrave shqiptare dhe shkatërrimin e pronave private, trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës.

Si pasojë e kësaj, të akuzuarit shqiptarë do të diskriminohen në shumë drejtime nga Gjykata Speciale; në fushën e mbrojtjes efektive shkaku se nëse nuk kanë mjete financiare për mbrojtjen e tyre, do të mbesin të pambrojtur ose me mbrojtje gjysmake. Do të jenë të privuar nga vizitat e familjes dhe ruajtjen e bashkësisë familjare shkaku se do të vuajnë dënimin në shtete të ndryshme të Europës ku shqiptarët e kanë lirinë e kufizuar të lëvizjes. Do të jenë të privuar nga e drejta e qasjes në Gjykatën për të Drejatat e Njeriut në Strasburg sepse nuk janë qytetarë të barabartë të Europës. Të akuzuarit e mundshëm janë thuaja të dënuar sepse ndaj tyre po zhvillohet një luftë psikologjike dhe një fushatë akuzuese, ende pa filluar procesi gjyqësor. Të akuzuarit e kanë ndjenjën se kjo Gjykatë do të punojë sipas fajësisë mbi baza etnike dhe jo në bazë të provave të siguruara.

KMDLNj nuk i ndanë viktimat sipas parimit etnik por të gjitha viktimat i konsideron të barabartë dhe kërkon drejtësi për të gjitha viktimat pavarësisht përkatësisë etnike, bindjeve fetare, statusit shoqëror, bindjeve politike, moshës, gjinisë, etj.

Gjithashtu, KMDLNj kërkon përgjegjësi për të gjithë ata që urdhëruar, planifikuan, nuk e penguan apo e bënë krimin që dënohen si krime lufte dhe krime kundër popullatës civile në rrethana lufte pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, statusit në shoqëri, gjendjes ekonomike, moshës, gjinisë, etj.

KMDLNj thjesht kërkon nga çdo Gjykatë drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për kriminelët e që qartazi kjo Gjykatë Speciale “ që ndanë pa – drejtësi “ sipas parimit etnik nuk do ta bëjë këtë sepse drejtësia selektive është padrejtësi e qëllimshme.

Kjo Gjykatë Speciale del mbi mandatin e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish Jugosllavinë sikur edhe Tribunalin e Arushas për Krime në Ruanda shkaku se mirret vetëm me njërën palë ndërluftuese e që Tribunalet në fjalë e kanë bërë të kundërtën me qasjen e tyre holistike ( gjithëpërfshirëse) për gjykimin e të gjitha palëve të përfshira në konflike të armatosura.

(Kosova Sot)