70 Mësimdhënës në komunën Prizrenit janë në shkollë të mesme

  • 25 October 2016 - 13:00
70 Mësimdhënës në komunën Prizrenit janë në shkollë të mesme

“70 mësimdhënës në shkollat e komunës së Prizrenit janë me shkollë të mesme” tha në emisionin “Aktuale” në Televizionin e Prizrenit, Bujar Nerjova, punëtor shumëvjeçar i Arsimit, anëtar i Kuvendit Komunal të Prizrenit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Këtë shifër të Nerjovajt as nuk e pohoi dhe as nuk e mohoi drejtori i ri i Arsimit në Prizren, Zahadin Shemsedini.

Ai pranoi se ka mësimdhënës në shkollat e Komunës së Prizrenit që janë me shkollë të mesme, por shtoi se numrin e saktë nuk e di.

“Po kur po i nënshkruaj kontratat po e shoh se mësimdhënësit janë me shkollë të mesme. Drejtorët e shkollave janë përgjegjës dhe ata në drejtorinë e Arsimit duhet t’i paraqesin rastet e të mos i mbajnë të fshehura. Në rastet që i kam gjetur menjëherë kam reaguar duke e shpallur konkursin për atë vend pune” tha Shemsedini.

Skender Susuri njohës i rrethanave dhe zhvillimeve në Arsimin parauniversitar , tha se nuk ka ndonjë rregullore apo ndonjë vendim të veçantë me të cilin këta persona do të mbaheshin në punë si mësimdhënës.

“Ligjërisht asnjë rregullore dhe asnjë vendim nuk i mban këta mësimdhënës në vendet e tyre të punës” tha Susuri.

Këtë e konfirmoi edhe Drejtori i Arsimit Zahadin Shemsedini, i cili u shpreh kategorik se do të reagojë, për të gjitha rastet dhe insistoi se ato duhet të paraqiten nga drejtorët e shkollave.

“Për 17 vjet të gjithë këta mësimdhënës me shkollë të mesme kanë pasur kohë dhe mundësinë që ta kryejnë fakultetin, jo njëherë po katër herë, prandaj nuk do të ketë lëshime për asnjë rast, bile ata duhet të jenë falënderues që kaq vite kanë marr paga të pakualifikuar” tha Shemsedini.

Në prokurorinë e Prizrenit, është duke u hetuar pikërisht punësimi i paligjshëm në Drejtorinë e Arsimit, në një rast, kur sipas informacioneve të Gazetaere.com, janë mbi 30 dëshmitarë, që dëshmojnë për dyshime për keqpërdorime nga më të ndryshmet. Te akuzuar janë ish drejtori i Arsimit dhe 5 zyrtarë të tjerë, të cilët vazhdojnë të punojnë në DKA.

(Kosova Sot)