33 rastet që po e bllokojnë liberalizimin e vizave

  • 25 October 2016 - 13:05
33 rastet që po e bllokojnë liberalizimin e vizave

Derisa drejtësia nuk përparon në rastet si ai i Azem Sylës për prona, e ish-ministrit Ferid Agani për “Stenta”, shumë pak gjasë ka të liberalizohen vizat për kosovarët.

Janë plotë 33 raste të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar kusht i Bashkimit Evropian për liberalizim. Ndërkaq, demarkacioni me Malin e Zi, del të jetë vetëm një kriter teknik që po e zvarrit procesin deri në arritjen e progresit në rastet gjyqësore.

Në Ministrinë e Integrimeve Evropiane kanë konfirmuar për Gazetën Fjala se agjencitë për zbatim të ligjit, në pjesën e parë të këtij viti kanë themeluar një ekip të veçantë të udhëhequr nga një prokuror i prokurorisë speciale në mënyrë që të bashkërendojnë aktivitetet në hetimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Flamur Salihu, zyrtar për informim në MIE tregon se ky ekip përbëhet nga përfaqësues nga policia, prokuroria, dogana, ATK, Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar dhe përgjatë hetimeve vlerëson nëse një rast mund të konsiderohet si korrupsion i nivelit të lartë dhe krim i organizuar.

“Fillimisht numri i rasteve të shënjuara ka qenë shumë më i vogël ndërsa tani janë gjithsejtë 33 raste”, ka thënë Salihu.

Deri më tani, ai tregon se nga 33 rastet e shënjuara, prokuroritë kanë ngritur gjithsejtë 21 aktakuza. Për më tepër, nga këto 21 raste në proces gjyqësor, 3 raste kanë marr aktgjykim dënues të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.

“Në 18 rastet e tjera është duke u zhvilluar procedura gjyqësore”.

Salihu thotë se Ministria e Integrimit Evropian monitoron dhe raporton mbi zbatimin e këtij kriteri, dhe përmbushja e tij nënkupton një proces në vazhdimësi.

“Për më tepër, meqë ky kriter është përgjegjësi e Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave dhe duke pasur parasysh pavarësinë e tyre, ju lusim që për detaje të tjera të kontaktoni drejtpërdrejtë më këto institucione”, thotë ai.

Mirëpo, në Prokurorinë e Shtetit nuk kanë dhënë detaje për rastet konkrete.

Kosova një burg i madh për qytetarët

Ndërkaq, lidhur me rastin e ish komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla,i përfolur si kusht për liberalizim të vizave, avokati i tij, Tomë Gashi thotë se nuk është në dijeni për diçka të tillë dhe nuk beson se mund të jetë klienti i tij pengesë e procesit.

“…. Nuk mund të them se mund të jetë rasti i klientit tim Azem Syla, i cili ka qenë udhëheqës I UÇK-së, për një periudhë, pjesëmarrës i delegacionit në Rambuje dhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Sigurisht mund të them se rasti i Azem Sylës nuk pengon askënd në Kosovë për asgjë”, thotë Gashi, i cili beson se shumë shpejt Syla do të lirohet.

Qytetarët e Kosovës sipas tij, nuk mund të lëvizin lirë në vendet e Bashkimit Evropian për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe jo mungesa e kapaciteteve për të gjykuar rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Në këtë mënyrë Kosova ka mbetur si një burg i madh për banorët e vet.

“Sa un e di askujt prej politikanëve tanë të nivelit të lartë nga 12 qershori 99, nuk i ka konvenuar heqja e vizave për qytetarët e Kosovës, për shkak se populli në momentin që do të udhëtonte jashtë kufirit, apo burgut të madh të quajtur Kosovë do të shihte se bota ka shkuar përpara dhe do të kërkonte përgjegjësi nga udhëheqësit e Kosovës”, thotë Gashi.

BE pret progres konkret për luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar

Rreth një muaj më parë kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka konfirmuar Radios Evropës së Lirë se janë mbi 33 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë, përfshirë edhe nivelet ministrore që po shqyrtohen nga Prokuroria e shtetit. Lumezi tha se gjysma nga 33 rastet janë ngritur akuzat, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë shtetërorë.

Edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, pati thënë se Qeveria e Kosovës, që duhet të ofrojë dëshmi konkrete për dënimin e rasteve të nivelit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar.

Sipas Lunaçek, Kosova duhet të përfundojë me dënimet e rasteve të nivelit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar

(Kosova Sot)